Bashkia Roskovec ka përmbyllur një vizitë studimore dyditore në Bashkinë Lezhë, e zhvilluar më 12 dhe 13 korrik, në kuadër të Programit të Qeverisjes së Mirë. Vizita kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe njohjen me praktikat më të mira të administrimit vendor.
Delegacioni i Bashkisë Roskovec, i përbërë nga 14 përfaqësues dhe i udhëhequr nga kryetarja Majlinda Bufi, u prit nga kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu. Në takimin zyrtar u diskutuan sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e qeverisjes vendore, si dhe rëndësia e bashkëpunimit mes njësive të pushtetit lokal.
Kryetarja Majlinda Bufi theksoi se vizita përfaqëson një investim në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, përmes njohjes me modele të suksesshme të administrimit vendor.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, vlerësoi se shkëmbimi i përvojave mes bashkive kontribuon në ndërtimin e administratave më profesionale, më efikase dhe më pranë qytetarëve.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Bashkisë Lezhë prezantuan praktikat e tyre në fushat e qeverisjes vendore, ofrimit të shërbimeve publike, zhvillimit territorial, turizmit, mbrojtjes së mjedisit, komunikimit publik dhe transparencës. Prezantimi u mbajt nga Vasilika Laska, drejtoreshë e Drejtorisë së Projekteve Strategjike, Çështjeve Evropiane, Migracionit, Diasporës, Komunikimit dhe Transparencës.
Programi përfshiu edhe vizita në terren dhe diskutime mbi menaxhimin e shërbimeve publike, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e turizmit, duke krijuar mundësi për identifikimin e praktikave që mund të zbatohen edhe në Bashkinë Roskovec.
Në përfundim, të dyja bashkitë e vlerësuan këtë vizitë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit dhe ndërtimit të një administrate vendore më efikase, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
