Rrëmuja me specializantët, vazhdon ikja e mjekëve nga Kosova

Mungesa e mentorëve, hapësirave të punës dhe mossistemimi i duhur e me kohë, janë disa prej problemeve që po përballen specializantët e rinj, që në muajt e fundit, u futën në sistemin shëndetësor të Kosovës.

Problemi ka filluar që në vitin 2016, kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë. Në mënyrë që ta plotësojë numrin e specializantëve për vitet e humbura, Ministria e Shëndetësisë më 30 korrik të vitit 2020 hapi konkursin për të pranuar rreth 1.500 specializantë. Deri tash janë pranuar rreth 1.300 të tillë.

Largimi i mjekëve nga Kosova si dhe mosha mesatare e mjekëve, që thuhet se është mbi 50 vjeç, ka alarmuar autoritetet shëndetësore për nevojën e shtimit të numrit të mjekëve.

Përfaqësues nga Oda e Mjekëve të Kosovës thonë se institucionet kanë dështuar me procesin e pranimit të specializantëve, sepse sipas tyre, nuk ka pasur koordinim as mes institucioneve shëndetësore e as odave që përfaqësojnë punonjësit e këtij sektori.

Radio Evropa e Lirë ka arritur që të flasë me njërin nga specializantët në Klinikën e Stomatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare, i cili foli në kushte anonimiteti dhe tregoi për problemet që po ballafaqohet, pasi Ministria e Shëndetësisë, bashkë me udhëheqësit e klinikave, nuk kanë paraparë në detaje mënyrën e sistemimit të specializantëve.

“Disa specializantë kanë probleme sepse ende nuk e kanë gjetur mentorin. Disa të tjerë nuk kanë hapësirë pune edhe pse i kanë të nënshkruar kontratat për të filluar shkollimin specialistik”, ka thënë ai, pa dashur t’i përmendet emri.

Sipas tij, ka shumë specializantë që ende nuk kanë nisur praktikën sepse “nuk ka vend as në kliniken bazë dhe momentalisht janë duke qëndruar në shtëpi derisa të bëhet një zgjidhje”.

Klinikat e ngarkuara me specializantë

Specializimi i mjekëve bëhet atëherë kur një student i mjekësisë mbaron fakultetin, mirëpo duhet të specializohet në një drejtim të caktuar.

Drejtori i Klinikës së Stomatologjisë, Shefqet Mrasori, thotë se të gjithë specializantët e pranuar do të sistemohen, edhe pse siç thotë ai, klinika është e mbingarkuar me numër të madh të specializantëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm se klinika është e ngarkuar me mbi 100 specializantë”, thotë Mrasori.

Mrasori thekson se në bazë të mundësive dhe gjendjes me pandeminë, do të bëhen edhe oraret për specializantët.