Ende nuk dihet se kush është duke dërguar dokumente në zyret qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të cilat po pretendohet se janë konfidenciale dhe të Dhomave Specializuara ne Hagë.

Identiteti i personit i cili më 7 dhe 16 shtator ka dërguar në këtë organizatë “me mijëra dosje me dëshmi dhe emra dëshmitarësh”, vazhdon të jetë anonim.

Institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë nuk konfirmojnë hetime për këtë rast. Policia e Kosovës tha se pyetja për këtë çështje duhet të adresohet ‘tek institucionet përkatëse’, e në Prokurorinë e Shtetit nuk përgjigjën. Koment për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Në një konferencë për media të enjten në Prishtinë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së konfirmoi se në prani të avokatit Tomë Gashi, u ka dorëzuar hetuesve të Gjykatës Speciale ‘dosjet që kanë mbetur’ në zyret e kësaj organizate.

Avokati i OVL UÇK-së, Tomë Gashi, tha për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e vendit nuk kanë arsye të hetojnë sjelljen e këtyre dosjeve, pasi ‘rrjedhja e tyre ka ndodhur në Hagë’. Ai tha se në cilësinë e avokatit, ka përfaqësuar organizatën në dorëzimin e dosjeve.

“Ata me dokumentacion, identifikim të Gjykatës Speciale, i kanë marrë një pjesë të dokumenteve që kanë mbetur, për shkak se ditën e djeshme kur janë sjell këto dokumente, një pjesë e tyre ka mbetur aty dhe ka mundur të përdoret nga kushdo gjatë konferencës për media”, tha Gashi.

Përgjegjësi penale për ata që publikojnë dosjet
Të mërkurën, drejtues të OVL UÇK-së kishin thënë se nuk do të dorëzojnë dokumentet te hetuesit e Hagës pa praninë e Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës. Por, ata ndryshuan qëndrim pas këshillës së avokatit, duke u bazuar në faktin se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar e përcakton si vepër penale, publikimin apo posedimin e dokumenteve të Gjykatës. Dënimi në këto raste është deri në dhjetë vjet burg.

Njëri nga gazetarët në Prishtinë, Zekirja Shabani, tregon se ka marrë një kopje nga dosjet e para të prezantuara në konferencën e OVL UÇK më 7 shtator, dhe më pas ka publikuar disa pjesë që në gjykimin e tij kanë qenë të publikueshme. Porse, më pas, media ku ai punon, është kontaktuar nga Dhomat e Specializuara dhe më pas ai është pajtuar që dosja të dorëzohet në tërësi, e cila, sipas Shabanit, kishte materiale të ndjeshme të Task Forcës Hetuese të udhëhequr nga Clint Williamson në vitet 2014-2015.

“Duke e ditur sensitivitetin e këtyre dokumenteve, vazhdojmë të besojmë që nuk është mirë që ato t’i ketë në dorë asnjë person. Ne kemi pranuar t’i dorëzojmë me procedurë standarde, ku hetuesit na kanë dëshmuar se janë nga Gjykata Speciale”, tha Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, fton gazetarët që t’i përmbahen etikës dhe të mos publikojnë dokumente që mund të rrezikojnë jetën e personave që janë të përfshirë në proceset gjyqësore.

“Këto dokumente kanë rënë në më shumë se një dorë, por fakti që nuk janë publikuar dëshmon se të gjithë e dinë përgjegjësinë penale që pason, nëse dokumente të tilla do të publikoheshin. Ajo që është me rëndësi është që këto procedura të Gjykatës të respektohen, nëse për asgjë tjetër, për shkak të drejtave që i gëzojnë personat e hetuar, personat e akuzuar dhe po ashtu që të mbrohen dëshmitarët të cilët janë pjesë e këtyre proceseve”, tha Kusari për Radion Evropa e Lirë.

Mbrojtja e dëshmitarëve, sfiduese për Specialen
Njohës të fushës së drejtësisë, ditë më parë për REL kanë shprehur shqetësimin e tyre se rasti me këto dosje, mund të frikësojnë dëshmitarët potencialë në proceset gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Avokati Tomë Gashi beson se interesi i këtyre veprimeve është që të diskreditohet puna e Gjykatës Speciale. Sipas tij, dokumentet janë sjellë tek OVL UÇK me besimin se kjo organizatë do t’i publikojë ato.

Ndërkohë, mediat në Kosovë raportuan edhe për dorëheqjen e prokurorit Kwai Hong Ip pas ‘rrjedhjes së dosjeve’, por zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennet, i tha Radios Evropa e Lirë se prokurori Hong Ip ishte dorëhequr më herët dhe se tani punon në një institucion tjetër.

Sepse në ëndrrat tuaja, çdo detaj ka rëndësi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *
You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>