Studentët paralajmërojnë institucionet: Mos i shkatërroni dokumentet!

Lëvizja studentore në Serbi ka kërkuar ruajtjen e dokumentacionit zyrtar në institucionet publike dhe transparencë lidhur me dhënien me qira afatgjatë të hapësirave ku funksionojnë tri barnatore në Smederevë.

Në një reagim të publikuar në profilin “Studenti u blokadi”, lëvizja u drejtohet punonjësve të Fondit Republikan për Sigurimin Shëndetësor (RFZO), si dhe personave përgjegjës në institucionet që administrojnë pasurinë publike.

Studentët paralajmërojnë se shkatërrimi, largimi, ndryshimi apo fshehja e paautorizuar e dokumentacionit zyrtar, në letër ose në formë elektronike, sjell përgjegjësi ligjore, përfshirë atë penale.

“Askush nuk ka të drejtë të zbatojë urdhra të paligjshëm apo të shkatërrojë gjurmët e veprimeve të veta. Ndryshimi i drejtuesve nuk e fshin përgjegjësinë”, thuhet në reagim.

Lëvizja u bën thirrje punonjësve të ruajnë të gjithë dokumentacionin, bazat elektronike të të dhënave, evidencat zyrtare dhe korrespondencën.

Njëkohësisht, studentët kërkojnë sqarim urgjent për dy shpallje të publikuara më 28 tetor 2026, për dhënien me qira afatgjatë të hapësirave afariste në pronësi të Qendrës Shëndetësore të Smederevës dhe të qytetit të Smederevës.

Sipas reagimit, në këto hapësira tashmë ushtrohet veprimtari farmaceutike, ndërsa ofertuesve u kërkohet të kenë së paku 300 barnatore, 700 farmacistë të punësuar, 50 miliardë dinarë të ardhura vjetore dhe të paktën 25 vjet përvojë në këtë veprimtari.

Studentët shtrojnë pyetjen përse janë vendosur kushte kaq të larta për hapësira ku funksionojnë vetëm tri barnatore dhe nëse këto kritere kufizojnë konkurrencën apo pengojnë vazhdimin e punës së institucionit ekzistues të barnatoreve në Smederevë.

Ata shprehin shqetësim edhe për afatin e shkurtër të dorëzimit të ofertave. Sipas tyre, ofertuesve të interesuar nuk u janë vënë në dispozicion të dhënat bazë për numrin dhe strukturën e punonjësve, të ardhurat e barnatoreve dhe informacione të tjera të nevojshme për përgatitjen e ofertave.

“Kërkojmë që institucionet kompetente të përgjigjen publikisht se kush i ka përcaktuar këto kushte, mbi cilat kritere dhe në interes të kujt”, theksohet në reagim.

Lëvizja studentore kërkon transparencë, ruajtjen e të gjitha provave dhe përcaktimin e përgjegjësisë për këdo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin.