Sulmohet me armë zjarri familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt

Avokat i Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, Ahmet Tahiri ka njoftuar se të hënën pas mesnate është sulmuar klienti dhe familja e tij, shkruan Gazeta Sinjali.

Ai thotë se sulmi është kryer me armë zjarri nga i cili kanë mbetur të traumatizuar familja Pajazitaj.

“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mengjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij”, shkroi ai.

Gjithashtu, Tahiri i bëri thirrje organeve të drejtësisë që personat që kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar.

“Lusim organet e drejtësisë, perkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar”, përfundoi i njëjti.

Kujtojmë se Naser Pajazitaj, në maj të vitit të kaluar, në rigjykim Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn për vrasjen e Donjetës në Bjeshkët e Strellcit, në Deçan ndërsa në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, Gjykata Supreme e ka liruar nga kjo akuzë./GazetaSinjali