Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, nuk ka ndërmend të heq dorë nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe përkundër faktit se në Samitin e Berlinit mori pjesë si e paftuar në vend të Jean-Claude Juncker.

Pas Samitit të Berlinit, ajo ka marrë iniciativë që të takojë në Tiranë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Aleksadner Vuçiqin, gjatë Samitit të Brdo-Brionit, gjatë 8 dhe 9 majit në Tiranë.

Këtë e kanë konfirmuar në Bruksel për tanjug.

“Ministrja e Jashtme e BE-së, do të diskutojë në takime të ndara, me presidentin Aleksander Vuçiq, dhe Hashim Thaçin”, kanë thënë për tanjug, transmeton Gazeta Express.

Nga BE-ja ndër të tjera kanë thënë se Mogherini si ndërmjetësuese ka vazhduar përpjekjet dhe kontaktet me dy palët, që të rifillojnë dialogun për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Mogherini si ndërmjetësuese po përpiqet që  të ruaj rolin e saj në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithatë nga Brukseli hezitojnë që të flasin për ndonjë parashikim se kur mund të priten ndryshime për të rifilluar dialogun.

Pas Samitit të Berlinit, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të vazhdojnë përpjekjet për normalizim të raporteve, dhe si rrjedhojë është caktuar edhe Samiti i Parisit që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti, e ku do të marrin pjesë vetëm Kosova dhe Serbia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në hapjen e Samitit të Berlinit, është diskutuar për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Në një postim në Facebook, Thaçi tha se situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

“Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Sipas presidentin Thaçi, Gjermania dhe Franca, kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme.

“Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë”, deklaroi presidenti Thaçi, duke ritheksuar se Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë dhe se qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen.

Aleksandar Vuçiq do të takohet sot me përfaqësuesit politik të serbëve nga Kosova.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet sot me përfaqësuesit politik të serbëve nga Kosova.

Ai po ashtu do të bisedojë me institucionet më të rëndësishme të Serbisë, ka njoftyar zyra e presidencës në një komunikatë për media.

Takimi i tyre do të zhvillohet në ndërtesën e sekretariatit të përgjithshëm të presidentit serb me fillim nga ora 11.