Korrupsioni mbetet sfidë e madhe në Kosovë dhe kjo dukuri negative po ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve. Përderisa korrupsioni është mjaft i madh në Kosovë, do të marrë mjaft kohë që të ndryshohet kjo dukuri.

Kështu u tha sot në tryezën “Projekti kundër krimit ekonomik në Kosovë”, organizuar nga Zyra e BE-së në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen në Kosovë me rastin e Javës kundër Korrupsionit.

Riccardo Serri, zëvendës shef i zyrës së BE-së në Kosovë, tha se projekti “PECK II” synon të sjellë Kosovën te nivelet e standardeve evropiane për luftën kundër korrupsionit dhe shpëlarjes së parave.

Serri tha se korrupsioni ndikon te të dyja gjinitë, mirëpo ka argumente se ndikimi është më i madh te burrat, teksa shtoi se ka studime se gratë janë më të ndjeshme ndaj korrupsionit.  

Ai foli edhe për vakumin institucional që po e vështirëson punën e BE-së në Kosovë për luftën kundër korrupsionit.

Ndërsa, Albulena Haxhiu, ish-kryetare e Komisionit parlamentar për Legjislacion, tha se lufta ndaj korrupsionit është përgjegjësi e të dyja gjinive, ndërsa shtoi se në Kosovë ka korrupsion të lartë, por që nuk ka të bëjë me gjininë.

Ajo tha se arsyeja përse Kosova përballet me korrupsion të madh, krim të organizuar, është për shkak që nuk është se ka  pasur vëmendje të plotë për ta luftuar këtë dukuri negative që e ka lënë të pa zhvilluar vendin.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, tha se edhe femrat janë të involvuara në korrupsion, por me një përqindje më të ulët. 

Po ashtu edhe ambasadorja e Suedisë në Kosovë Karin Hernmarck Ahlin tha se Kosova përballet me nepotizëm që është formë korruptive, e që në këtë rast janë të përfshira edhe femrat.

Vlora Marmullakaj, udhëheqëse e projektit PECK II, tha se kanë vendosur ta trajtojnë temën e cila ka marrë më pak vëmendje, por e cila për nga ndikimi ka rëndësi të madhe./KosovaPress/    

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është dhe duhet të jetë prioriteti më i lartë strategjik në kuadër të prioriteteve nacionale.

Sipas tij, rruga e Kosovës drejt NATO-s, pavarësisht sa e sfiduar mund të jetë, është më e lehtë sesa ajo drejt BE-së, njofton Klan Kosova.

“Kjo, kryesisht, për shkak të qëndrimit të paqartë të BE-së rreth zgjerimit të saj, sikurse edhe për shkak të qartësisë më të madhe që ka NATO në domosdoshmërinë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e Aleancës”.

“Konform rregullave të NATO-s dhe orientimit tonë strategjik, pra nga hapja e dialogut e deri te aderimi final, ky proces shtetëror kërkon implikim dhe angazhim konkret të institucioneve qendrore të vendit, të cilat janë pjesë e Komitetit Ndër-Ministror për integrim dhe anëtarësim në NATO”.

“Prandaj, kur Qeveria e tashme ka institucionalizuar këtë aspiratë, e ka bërë të qartë objektivin e Kosovës. Besoj se është shumë e vlefshme që institucionalizimi i aspiratës së Kosovës të vazhdojë së ekzistuari”. /Klan kosova

Bashkimi Evropian shpërdoroi më shumë se 3 miliardë euro në vitin 2018, sipas një vlerësimi të botuar nga Gjykata Evropiane e Audituesve (ECA).

 ECA kontrollon nëse buxheti i BE-së është shpenzuar në përputhje me rregullat e bllokut. Shpërdorimi mund të ndodhë si rezultat i gabimeve financiare ose kur fondet përdoren për qëllime të tjera. Në raste të rralla, për shkak të mashtrimeve.

Auditorët theksuan se përqindja e shpërdorimit të fondeve ishte 2,6% e totalit të shpenzimeve.

Gabimet u gjetën kryesisht në zonat me rrezik të lartë, si në zhvillim rural dhe shpenzime për vendet anëtare më të varfra.

 Shpenzimet e BE-së arritën në shiftën 156,7 miliardë euro në vitin 2018, duke përfaqësuar rreth 1% të të ardhurave bruto kombëtare. Pjesë e vogël kjo, e shpenzimeve të përgjithshme publike të 28 vendeve anëtare.

 Shefi i ECA-së, Klaus-Heiner Lehne, i bëri thirrje, presidentes të zgjedhur, Ursula von der Leyen, të përmirësojë standardet financiare dhe të transparencës.

“Fillimi i një periudhe të re legjislative dhe programi financiar krijojnë mundësi të reja. Hartuesit e politikave duhet t’i përdorin këto për të përqendruar politikat dhe shpenzimet e BE-së në dhënien e rezultateve dhe në vlerë të shtuar”, deklaroi Lehne. /Express

“Bisedimet në mes Beogradit dhe Prishtinës duhet të rifillojnë sa më shpejt që të jetë e mundur sespe dialogu është i rëndësishëm për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Kjo është thënë nga ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Thomas Schib. Ai ka theksuar se nga këndvështrimi  i Berlinit, zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor mbetet përparësi, megjithëse në publikun serb thuhet se prandimi i vendeve perëndimorë në BE nuk është në krye të axhendës.

Duke folur për sfidat për stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, ambasadori gjerman tha se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur, përcjell lajmi.net.

Ndërsa shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Sam Fabrici tha se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin në rajon duke shtuar se çështja kryesore është se si mund të vendoset normalizimi i marrëdhënieve.

“BE duhet të përdorë burimet e veta për të stimuluar dialogun, por ky proces duhet të mbështetet dhe të dakordohet, jo të imponohet nga palët e treta”, deklaroi Fabrici. /Lajmi.net/

Në fund të vitit 2018 ishte premtuar nga Qeveria Haradinaj se Kosova do të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Ndonëse jemi në shtator të vitit 2019, njohës të çështjeve politike në vend janë shprehur skeptik se Kosova do të mund të marrë statusin e kandidatin edhe në vitin 2020.

Demush Shaha, nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) ka thënë se marrja e statusit të vendit kandidat është një proces jashtëzakonisht kompleks, i cili mesatarisht vendeve të rajonit u ka marrë tre vjet.

“Kjo storia e marrjes së statusit të vendit kandidat ka filluar qysh nga nisja e punës së qeverisë së kaluar kur në programin e saj qeverisës, qeveria u zotua se deri në fund të mandatit qeverisës do të aplikojë dhe do të marrë statusin e vendit kandidat”.

“Tani neve e dimë për shkak të rënies së qeverisë nuk arritëm të shohim fundin e mandatit plotë qeverisjes Haradinaj por njëkohësisht përtej çfarë ka shkruar në programin qeverisës, ishte një komunikate, në shkurt të vitit 2018, ku thuhet se Kosova meriton të marrë statusin e vendit kandidat deri në fund të vitit 2018, por që kjo gjë nuk ndodhi”.

“Gjithsesi që nuk ndodhi por marrja e statusit të vendit kandidat është një proces jashtëzakonisht kompleks, i cili mesatarisht vendeve të rajonit u ka marrë tre vite për ta arritur të statusi i vendit kandidat”, ka thënë Shaha.

Shaha ka shprehur skepticizëm se as Qeveria e ardhshme nuk do të jetë në gjendje të marrë statusin e vendit kandidat.

E analisti tjetër, Bekim Baliqi, ka thënë se detyrat e shtëpisë nga ana e Prishtinës, nuk janë kryer me kohë dhe se vendimi merret nga shtetet anëtare të BE-së.

“Kjo nuk varet aq shumë nga ta, pasi që detyrat e shtëpisë nuk janë kryer dhe shumë vendime sa i përket BE-së nuk varen vetëm nga Prishtina, por varet më shumë nga qendrat e vendimmarrjet në këto shtetet anëtare të BE-së”, ka thënë Baliqi.

Kosova vazhdon të mbetet e fundit në Ballkanin Perëndimor në proceset integruese për në BE. /Literal media

Përmes një mesazhi solidarizues, shefja në largim e politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini i shprehu keqardhjen kryeministrit Edi Rama mbi situatën e krijuar në vend si pasojë e lëkundjeve të djeshme sizmike.

Mbi tërmetet shkatërruese që goditën Shqipërinë duke plagosur dhjetëra njerëz dhe shkatërruar ndërtesat dhe infrastrukturën, Mogherini uroi shërim të shpejtë për gjithë të dëmtuarit.

Po kështu nënvizoi gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të ofruar ndihmë, përfshirë edhe përmes mekanizmit të mbrojtjes civile.

Për sa i përket Ramës, ky i fundit anuloi udhëtimin e tij për në New York, në javën ministrore të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, shkruan TCH.

Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar paraditen e sotme një bisedë të gjatë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel. Sipas mediave serbe bëhet me dije se tema kryesore e bisedës kanë qenë raportet bilaterale midis Prishtinës dhe Beogradit, çështje kjo e cila ka një ndikim të madh në stabiliteti rajonal në Ballkan.

Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra e Vuçiqit, thuhet se ai ka pasur një bisedë të gjatë dhe miqësore me Merkel, duke treguar se Serbia është e përkushtuar për dialog, të ndërmjetësuar nga BE-ja, me qëllim të sigurimit të stabilitetit në rajon duke gjetur një kompromis, dhe një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dy palët.

Sipas medias serbe Danas, Vuçiç i ka kërkuar kancelares gjermane Angela Merkel ndihmë që Prishtina të pezullojë taksën, për ta pasur një tregti të lirë, kjo në këmbim të kthimit të Serbisë në dialog.

Në këtë bisedë telefonike me Merkelin, Vuçiç duke falënderuar Merkelin për ‘Procesin e Berlinit’, që ka kontribuar në stabilitetin e rajonit, është thënë se Serbia është e përkushtuar për paqe dhe bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor.

Kjo bisedë e tij, vjen pas një forumi të djeshëm në Bratisllavë ku mori pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, e me të cilin janë përplasur rreth çështjes së taksës, Asociacionit e marrëveshjes së Brukselit.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë shtetërore treditore. Avioni “Air Force One” u ul në Aeroportin “Stansted” mëngjesin e së hënës.

Trump do të takohet me familjen mbretërore, ndërsa pritet të diskutojë edhe mbi ndryshimet klimatike dhe kompaninë kineze të teknologjisë, Huawei, me kryeministren në largim të Britanisë, Theresa May.

Para mbërritjes në Britani, Trump kritikoi kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, me të cilin është përplasur edhe në të kaluarën. Përmes një postimi në “Twitter”, Trump tha se Khan është një humbës i ftohtë, por sidoqoftë ai pret ta takojë.

Gjatë vizitës së Trump në Britani janë paralajmëruar një varg protestash në Londër, Manchester, Belfast dhe Birmingham. Ndonëse më parë Trump ka folur me admirim për kryeministren May, në diskutimet e tyre pritet të kenë qëndrime të ndryshme.

Para vizitës së tij, presidenti Trump i tha gazetës “The Sun” se përkrah kandidaturën e pjesëtarit të Partisë Konservatore, Boris Johnson, për kryeministër të Britanisë. Ai tha gjithashtu për “The Sunday Times” se, lideri i “Partisë për Brexit”, Nigel Farage, një kritik i ashpër i kryeministres May, duhet të përfshihet në negociatat qeveritare në procesin e largimit të Britanisë nga BE-ja.

Trump ka përmendur sërish mundësinë e një “marrëveshjeje shumë të madhe tregtare” mes dy shteteve, në një të ardhme të afërt.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se Qeveria ka me përfshi në marrëveshjen e Brexit’it edhe nji kërkesë përmes së cilës deputetët do të votonin nëse duhet me u mbajtë nji referendum tjetër për Brexit’in.

Theresa May tha se deputetët e kanë “nji mundësi të fundit” për me procedue me Brexit’in, mbasi ajo prezentoi nji version të ri të marrëveshjes.

Projektligji gjithashtu përmban garanci të reja për të drejtat e punëtorëve, mbrojtjen e mjedisit dhe çashtjen e kufinit irlandez si dhe nji “kompromis” doganor, çashtje këto të cilat janë kundërshtue nga ana e deputetëve britanikë.

Nëse deputetët refuzojnë projektligjin, May i paralajmëroi ata se nji dalje e negociueme nga BE kishte me qenë “e vdekun”.

Bahet e ditur se projektligji për daljen e Britanisë nga BE mundet me u vnue në votim para deputetëve britanikë në fillim të muejit Qershor.

Shqipëria është duke ndërmarrë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë për t’u integruar në BE, por Brukseli është i shqetësuar tani edhe për disa vende anëtare.

Një sondazh i fundit tregon se qytetarët dhe kompanitë kryesisht në Europën Lindore, janë të shqetësuar se presioni dhe ndërhyrja politike po rriten mbi gjyqësorin.

Jo vetëm vendet kandidate për në Bashkimin Evropian, por edhe vendet anëtare kanë probleme të mëdha pavarësinë e gjyqësorit. Komisioni Evropian thotë se pavarësia e gjyqësorit është e kërcënuar në vendet si Bullgaria, Hungaria, Polonia dhe Rumania. Komisionarja për Drejtësinë, Vera Jourova, paralajmëroi se kjo prirje mund ta dëmtojë besimin midis të gjitha shteteve anëtare të BE’së

“Sfidat për sundimin e ligjit po rriten në disa vende, në një kohë kur reformat e nevojshme të gjyqësorit po helmohen me debate jashtëzakonisht të politizuara. Nëse sistemi i drejtësisë thyhet në një vend, ndikimi mund të ndjehet në gjithë BE-në, sepse ne mbështetemi te besimi i ndërsjellë,” tha Jourova në një konferencë për gazetarët në Bruksel.

Ajo shtoi se qytetarët dhe kompanitë kryesisht në Europën Lindore janë të shqetësuar se presioni dhe ndërhyrja politike po rriten. Të premten, BE’ja publikoi edhe rezultatet e një sondazhi, i cili nxori në pah se shumica e qytetarëve në Kroaci, Sllovaki, Bullgari dhe Spanjë e vlerësojnë pavarësinë e gjykatave dhe gjykatësve të tyre si të keqe ose shumë të keqe.

Në Poloni, ndaj së cilës BE-ja ka nisur procedurat për shkak të një reforme të diskutueshme të gjyqësorit, 50% e qytetarëve shfaqin mungesën e besimit në pavarësinë e gjyqtarëve.