Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të rikthehet në fokus të dialogut Kosovë-Serbi këtë të enjte, porse autoritetet kosovare insistojnë se kjo temë “do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyjave vendeve”.

Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti thotë se Kosova do të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke. Ai e konfirmoi këtë qëndrim për Radion Evropa e Lirë, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel, ku do të diskutojnë “për aranzhimet rreth komuniteteve joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronave”.

Beqiri insiston se Kosova nuk do të nënshkruajë marrëveshje të veçanta për çështje specifike.

“Qëndrimi zyrtar i delegacionit të Kosovës dhe i kryeministrit po ashtu, është se asnjë marrëveshje, sado e vogël, për çështje që duken të parëndësishme, nuk mund të arrihet, nëse nuk arrihet marrëveshja finale, ligjërisht e obligueshme, gjithëpërfshirëse, ku do të përfshihet edhe njohja”, deklaroi Beqiri për REL.

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më 2015, të dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kishin arritur një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, porse Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Kushtetuesja përcakton se parimet mund të harmonizohen me akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kjo çështje ka nxitur debate të ashpra e protesta masive në Kosovë.

Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të vitit 2015. Pas kthimit në Prishtinë, ai tha se “zbatimi i marrëveshjes do të bëhet në përputhje me secilën shkronjë të Kushtetutës”.

Sidoqoftë, mbetet e paqartë se si do të procedohet tutje, kur kihet parasysh se një ekip menaxhues në gusht të 2018-tës, i përbërë nga katër anëtarë serbë – Vinka Radosavljeviq, Dejan Radojkoviq, Igor Kallamar dhe Svetisllav Durleviq – kishte dorëzuar në Bruksel një draft-statut për funksionalizmin e Asociacionit, i cili nuk u diskutua asnjëherë dhe mbeti në sirtarët e BE-së. Ky ekip menaxhues, i emëruar zyrtarisht nga Qeveria e Kosovës, kishte autonomi të plotë në punën e vet.

Thaçi: Rihapja e temës së Asociacionit, kthim prapa për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një deklarimi për media në Prishtinë më 15 shtator, u shpreh kritik për rihapjen e temës së Asociacionit në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar këtë gjë si “kthim prapa për Kosovën”.

Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes, në mes të ekipeve të ekspertëve, është i rrezikshëm duke shtuar se askush nuk ka të drejtë që të arrijë një marrëveshje të re për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e ‘Republikës Serbe në Kosovë’. Për diçka të tillë mendoj se Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin”, u shpreh Thaçi.

BE konfirmon diskutimet për Asociacionin

Në BE nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse draft-statuti i ekipit menaxhues është ende valid apo nëse do të jetë temë diskutimi.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, i tha Radios Evropa e Lirë se në takimin e së enjtes do të ketë diskutime për aranzhimet e përgjithshme, në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Asociacioni/Bashkësia ishte mekanizëm që u gjet në 2013-tën për të adresuar nevojat e komunitetit joshumicë serb. Është esenciale që si pjesë e negociatave për marrëveshje gjithëpërfshirëse, të adresohen aranzhimet e përgjithshme për komunitetin joshumicë”, deklaroi Stano, pa specifikuar përmbajtjen e “aranzhimeve të përgjithshme”.

(Mos)Koordinimi i koalicionit qeverisës

Partnerja në koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është zënë në ‘befasi’ nga rihapja e temës së Asociacionit dhe zotimi i kryeministrit Hoti në Parlamentin Evropian për zbatimin e marrëveshjes të vitit 2015.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, që vjen nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, në një deklarim për Radion Evropa e Lirë tha se kjo çështje as që ishte temë diskutimi në takimet e javës së kaluar në Bruksel, gjatë një vizite zyrtare të delegacionit qeveritar të Kosovës.

“Mund të konfirmoj se në asnjë takim që kam qenë unë, Asociacioni nuk u hap si temë. Gjatë vizitës së fundit në Bruksel, unë i kam pasur tri takime me kryeministrin dhe asnjëherë nuk u hap si temë. Temat kanë qenë (raportet me) Brukselin, përditësimi për dialogun dhe ka pasur pyetje që kanë qenë publike prej deputetëve. Dhe me sa e di unë, me sa më kujtohet, askush nuk ka pyetur për këtë temë”, tha Tahiri, duke shtuar se nuk ka njohuri se çfarë do të ndodhë në procesin tjetër dialogues të Brukselit.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, që vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka emëruar Skender Hysenin si koordinator për dialogun me Serbinë, gjë që kishte acaruar raportet LDK-AAK, ku kjo e fundit kishte kërkuar publikisht përfshirjen e zyrtarëve të saj në proces. Hyseni nuk ka dhënë detaje për temat që do të diskutohen.

Pas takimit të ekspertëve këtë të enjte, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar një takim në nivel liderësh, brenda muajit shtator.

Pas emërimit në këtë post në prill të këtij viti, Lajçak pati thënë se dialogu Prishtinë-Beograd nuk do të jetë proces i pafund, duke paralajmëruar marrëveshje eventuale brenda një viti. Edhe mandati i tij fillestar është i kufizuar në 12 muaj.

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën se bisedimet me udhëheqësit e Talibanëve të Afganistanit janë anuluar, por ai ende po shikon mundësinë e një tërheqjeje të trupave amerikane atje.

“Përsa më takon mua, bisedimet janë të vdekura,” u tha Presidenti Trump gazetarëve ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut.

Negociatat shumëmujore të SHBA me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Afganistanit, përfunduan të shtunën kur Presidenti Trump njoftoi befas se po i anulonte bisedimet sekrete në Camp David me talibanët dhe presidentin afgan. Bisedimet kishin për qëllim të arrihej një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 20 vjeçare.

Presidenti Trump tha se ai e kuptoi se bisedimet nuk mund të vazhdonin kur javën e kaluar talebanët morën përgjegjësinë për një sulm që vrau një ushtar amerikan në kryeqytetin Kabul. Luftimet kanë vazhduar në rajon gjatë gjithë këhës që bisedohej për t’i dhënë fund luftës.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ka qenë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të zotit Trump. Presidenti republikan tha se administrata e tij ishte ende duke menduar për një tërheqje të 14,000 ushtarëve amerikanë nga Afganistani.

“Ne do të donim të tërhiqeshim, por do të ikim në kohën e duhur,” tha ai.

POMPEO: ISHTE VENDIMI I DUHUR

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të dielën se Presidenti Donald Trump “mori vendimin e duhur” për të anuluar bisedimet e paqes me liderët talebanë në vend-pushimin presidencial për shkak të sulmeve të vazhdueshme të grupit terrorist në Afganistan.

“Duhet t’i shohim ata të aftë për të përmbushur premtimet e tyre” për t’i dhënë fund dhunës në vendin e shkatërruar nga lufta para se të “shpërblehen” me një takim me presidentin Trump, tha zoti Pompeo për kanalin CNN. Ai nuk bëri asnjë koment nëse do të vazhdojnë ose jo bisedimet e paqes.

Diplomati i lartë amerikan tha se takimet e planifikuara të dielës në Camp David pranë Uashingtonit me Talibanin dhe Presidentin Afganistan Ashraf Ghani, megjithëse bisedime të ndara me secilin, ishin planifikuar mbi besimin se ato “mund t’i shërbenin interesit kombëtar të Amerikës” për t’i dhënë fund përfshirjes 18 vjeçare amerikane në Afganistan.

Negociatorët amerikanë dhe Talibani kanë zhvilluar gati një vit bisedime paqeje. Kryenegociatori amerikan Zalmay Khalilzad javën e kaluar tha se ekipi i tij i negociuesve kishte hartuar një projekt-marrëveshje kornizë që, nëse miratohet nga Presidenti Trump, do të lejonte 5,000 trupa amerikane të largoheshin nga pesë baza ushtarake në vend brenda 135 ditëve.

Sekretari Pompeo tha se zoti Khalilzad është udhëzuar të kthehet në vend.

Lufta më e gjatë në historinë amerikane filloi me përpjekjet ushtarake amerikane për të fshirë bazat e trajnimit terrorist të al-Kaidës të mbrojtur nga Talibani që u përdorën për të nisur sulmet terroriste të vitit 2001 në SHBA që vranë gati 3.000 njerëz, me afrimin e 18 vjetorit të sulmit të mërkurën.

Presidenti Trump zbuloi planet për bisedimet në Camp David, për të cilat tha se ishin “të panjohura për pothuajse të gjithë”, pas një shpërthimi me makinë bombë në Kabul javën e kaluar që vrau 12 njerëz, përfshirë një ushtar amerikan.

Por përpjekja e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare me Talibanët në Camp David nuk ishte pa polemika.

Kongresmeni republikan, Adam Kinzinger, një pilot i Forcave Ajrore që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan para se të fitonte një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, tha në Twitter, “Asnjëherë nuk duhet që udhëheqësit e një organizate terroriste që nuk ka dënuar sulmet e 11 shtatorit dhe vazhdojnë rrugën e së keqes, të lejohen në vendin tonë të shkëlqyeshëm. ASNJËHERË ”

Në një intervistë për kanalin Fox News, sekretari Pompeo u pyet nëse ishte e përshtatshme të ftoheshin talebanët të takoheshin tre ditë para një përvjetori tjetër të sulmeve të 11 shtatorit, por ai devijoi pyetjen në lidhje me kohën.

Ai tha se “shumë njerëz të këqij kanë qënë në Camp David në vite. Ai tha se presidenti Trump mori vendimin për takimet, duke e cituar presidentin të ketë thënë, “Unë dua të flas me Presidentin Ghani. Dua të flas me negociuesit talibanë. Dua t’i shikoj në sy. Dua të shoh nëse mundemi të arrijmë një marrëveshje përfundimtare …. Kështu që e pamë këtë takim të pranueshëm”.

Trump, në Twitter, tha se talebanët kishin kryer sulmin me makinë bombë “me qëllim që të ndërtonin një epërsi të rreme” në bisedime. Por ai tha se nëse Talibanët “nuk mund të bien dakord për armëpushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqen, dhe madje vranë 12 njerëz të pafajshëm, atëherë me siguri nuk do të kenë forcën për të negociuar një marrëveshje kuptimplotë. Sa dekada të tjera janë të gatshëm të luftojnë”, tha presidenti në Twitter.

Presidenti Trump tha se presidenti Ghani dhe liderët talebanë ishin planifikuar të udhëtonin në Shtetet e Bashkuara të shtunën në mbrëmje.

Ndërsa presidenti Trump është angazhuar të përfundojë përfshirjen amerikane në Afganistan, sekretari Pompeo tha: “Ne thjesht nuk do të largohemi, nëse nuk është e drejtë” për interesat e sigurisë kombëtare amerikane në mbrojtjen kundër terrorizmit.

“Nëse talebanët nuk sillen siç duhet, nëse nuk zbatojnë angazhimet që kanë bërë tani për disa javë, dhe në disa raste disa muaj, presidenti nuk do të zvogëlojë presionin. Ne nuk do të pakësojmë mbështetjen tonë për forcat afgane të sigurisë që kanë luftuar kaq shumë atje në Afganistan”, tha ai.

Talibanët thanë se forcat ushtarake amerikane në Afganistan “do të vuajnë më shumë se kushdo tjetër” nga anulimi i menjëhershëm ibisedimet në Camp David.

Talibanët thanë se “besueshmëria e Shteteve të Bashkuara do të dëmtohet, qëndrimi i tyre kundër paqes do të bëhet më i dukshëm në botë, viktimat dhe humbjet e tyre financiare do të rriten, dhe roli i Amerikës në ndërveprimin politik ndërkombëtar do të diskreditohet edhe më tej”.

Edhe pse synimi fillestar për të sulmuar Afganistanin ishte heqja e bazave të al-Kaidës, lufta në Afganistan është zvarritur për vite me radhë, me gati 2.400 personel ushtarak amerikan të vrarë dhe më shumë se 20,000 të plagosur.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 14,000 personel ushtarak në Afganistan edhe pse presidenti Trump është zotuar të tërhiqte me forcë atë forcë. /VoA

Në kuadër të përgatitjeve për Samitin e Parisit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të premten do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mësohet nga burime ndërkombëtare.

Takimi i presidentëve, me ndërmjetësim të BE-së, do të mbahet në kuadër të konferencës GlobSec, që do të mbahet në Bratislavë të Sllovakisë.

Thaçi dhe Vuçiq do të flasin në konferencë për gjasat e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më 1 korrik, në Paris pritet të mbahet takimi i thirrur nga presidenti Macron dhe kancelarja Merkel në mes të Kosovës dhe Serbisë. Këto ditë janë duke u zhvilluar edhe përgatitjet për Samitin e Parisit.

Lidershipi i Kosovës pret që në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, do të këtë një përfshirje edhe më direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë proces.

Pas Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të mbajtur më 29 prill, ku ishte ritheksuar nevoja e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka rolin e tyre mbështetës e ofruan edhe Gjermania e Franca, në Prishtinë është mbajtur takimi i radhës së akterëve të përfshirë në këtë proces.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Ekipin negociator, theksoi se dialogu më Serbinë është një proces i rëndësishëm, ndaj sipas tij, spektri politik duhet të jetë i unifikuar. Ngjashëm me takimet paraprake, edhe kësaj radhe aty munguan dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Veseli tha se Prishtina zyrtare mbështet vetëm ato bisedime që nuk prekin në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Besojmë që në të ardhmen të ketë një involvim më direkt të SHBA-së. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të jetë tërë jetën. Asnjëherë nuk do të flitet për sovranitetin e shtetit tonë. Ne po flasim për obligimet që duhet t’i marrë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vetë, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ”, theksoi Veseli.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e taksës 100 për qind e vendosur tani e sa muaj nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Veseli tha se nuk do të merren vendime që do t’i vendosnin në pozita të papërshtatshme udhëheqësit e shtetit.

Kjo taksë, ishte marrë si pretekst nga Serbia për të braktisur dialogun dhe kushtëzuar rikthimin e saj në bisedime me shfuqizimin e vendimit.

“Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz ndaj Serbisë. Taksa është dashur të konsumohet vetëm në raport me Serbinë. Kur e kam propozuar taksën 100 për qind, ka qenë përgjigje ndaj Serbisë, jo ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë apo Francës. Do të shkojmë gradualisht, por kurrë nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, theksoi Veseli, duke mos prezantuar një qëndrim të drejtpërdrejtë se do të pezullohet ajo jo vendimi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilët kanë qenë pjesë e këtij takimi nuk janë deklaruar pas takimit.

Por, të dy liderët janë deklaruar se presin zhvillime serioze ne Samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 dhe 2 korrik.

Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet të koordinohet me Shtete e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe finales, mendoj se qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për ndërrim të territoreve apo për lëvizje të kufijve, por shkohet për njohje reciproke. Për modalitet si ndihmohet dialogu tani më është qartësuar se nuk ka nevojë të diskutohet për taksën, pasi që dialogu po vazhdon dhe qëndrimet nuk kanë nevojë të diskutohen. Takimi i Parisit është takimi më serioz pasi që është bilateral dhe duhet të përgatitemi edhe ne edhe Serbia që të ndihmojmë veten”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti Thaçi në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë një ditë më parë është shprehur optimist se në takimin në Paris mund të ketë një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.​

Thaçi ka folur për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që sipas tij, mbyll të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

Por, që kur Kosova ka vendosur taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, kjo e fundit është tërhequr nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ketë bisedime pa heqjen e taksës. Derisa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se taksa është në kundërshtim me interesat amerikane.

Thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi foli edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa kritikoi sërish Bashkimin Evropian për mosunitet. Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e sheh si të pashmangshëm. Thaçi tha se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, pas Samitit të Berlinit ju nuk ishit shumë optimist se do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Ku aktualisht qëndrojnë pengesat kryesore në këtë proces?

Hashim Thaçi: Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë: E shihni si vazhdim të procesit të dialogut apo fillim të ri?

Hashim Thaçi: E shoh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron. Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren.

Radio Evropa e Lirë: Nuk i kursyet nga kritikat as BE-në dhe vendet e Kuintit. A nënkupton kjo që procesi nuk është duke u udhëhequr si duhet?

Hashim Thaçi: Definitivisht, në Berlin është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse. Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur edhe rolin e SHBA-së në proces si të pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes. Në çfarë kuptimi keni menduar, marrë parasysh faktin që Uashingtoni disa herë është shprehur se e mbështetë procesin që udhëhiqet nga BE-ja?

Hashim Thaçi: Në kuptimin e rolit vendimtar dhe historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të kaluarën, kur ka arritur paqen në Dejton për Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen në Rambuje për Kosovë, e gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjen në Konçul. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, dhe jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E them këtë, për arsye se presidenti (Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe formula e gjetjes së zgjidhjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është në substancën dhe kornizën e letrave të presidentin Trump.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni përmendur në shumë raste edhe idenë e korrigjimit të kufirit, si pjesë të negociatave, por nuk keni marrë mbështetje, sidomos në Prishtinë, e së fundit edhe në Samitin e Berlinit. Për çfarë korrigjimi angazhoheni ju?

Hashim Thaçi: Unë gjithmonë kam qenë kundër dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve sepse është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj që të ndodhë. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të mbes fuqishëm në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Punoj fuqishëm që ajo pjesë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujoncit që t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës. Diçka të tillë kam prezantuar edhe në Samitin e Berlinit, por Samiti i Berlinit nuk ka sjell ndonjë ide të re, por nuk i ka mbyllur asnjë ide të diskutuar deri më tani, pra edhe atë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse ju do të kërkoni që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i takojnë Kosovës, a nuk i hapë kjo rrugë edhe Serbisë që ta kërkojë të njëjtën gjë për pjesë të caktuara të Kosovës, si veriu për shembull?

Hashim Thaçi: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, mund dhe do të luftoj që të jenë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, me territorin aktual të shtetit të Kosovës, duke mos e cenuar asnjë centimetër të territorit të shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë, kam theksuar edhe në Berlin se nuk do të lejojmë asnjë ide për ndonjë sovranitet të dyfishtë për Kosovën, apo ndonjë ide për ndonjë Asociacion me elemente ekzekutive të modelit të Republikës Serbe, sepse kjo nënkupton ndarje të Kosovës, sikundër që nuk do të lejojmë ndonjë model gjermano-gjerman.

Radio Evropa e Lirë: President, t’i kthehemi taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. A mund të vazhdojnë negociatat pa heqjen e kësaj takse?

Hashim Thaçi: Takimi i Berlinit, është fat që në fund me iniciativën e presidentit (Emmanuel) Macron, me pajtueshmërinë time, por edhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiq, jemi dakorduar të ndodhë takimi i Parisit. Taksa është një diçka legjitime dhe e drejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe do të mbetet në fuqi. Nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: Më herët edhe ju e keni kundërshtuar taksën, keni kërkuar që të hiqet ose të pezullohet?

Hashim Thaçi: Është gënjeshtër e kulluar nga kushdo që e ka prezantuar se unë e kam refuzuar taksën dhe merrni deklaratat e mija, një nga një, nga dita e parë, nga momenti që është propozuar nga zoti (Enver) Hoxhaj për 10 për qind, e kam mbështetur dhe në momentin që është propozuar nga kryeparlamentari (Kadri) Veseli në 100 për qind, e kam mbështetur. Taksa është vendim legjitim dhe i drejtë dhe do të mbetet. Për gjëra të tjera, ka deklarime të tjera, është gënjeshtar dhe mashtrues.

Radio Evropa e Lirë: Nëse taksa nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç kërkojnë edhe vendet aleate të Kosovës, a duhet të ketë zgjedhje të reja në Kosovë?

Hashim Thaçi: Taksa nuk hiqet dhe nuk ndërlidhet fare me zgjedhje. Nëse partnerët e koalicionit humbin shumicën në Kuvend, apo nëse nuk e konstatojnë që e kanë shumicën në Kuvend, natyrisht se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nuk është fundi i botës. Përkundrazi, është vetëm shëndet për demokracinë dhe unë u kam dërguar mesazh edhe partnerëve të koalicionit se duhet ta ruajnë shumicën, përndryshe vendi nuk mund të mbetet i paralizuar me qeverisje të minorancës.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ju jeni që të mos hiqet taksa edhe pse ka pasur presion nga vendet mike të Kosovës që taksa të hiqet.

Hashim Thaçi: Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin, asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion.

Radio Evropa e Lirë: Ka edhe një Ekip negociator në Prishtinë që ka hartuar Platformën për dialogun, të cilën e ka miratuar edhe Kuvendi. Do të jeni ju apo ky ekip që do ta përfaqësojë Kosovën në fazën finale të negociatave?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë e përfaqësuar me bartësit e institucioneve, legjitimitet dhe legalitet që del ky nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, mandati kushtetues dhe ligjor, por do të punojmë që të kemi një përfshirje edhe më të gjerë, atë të një pjese të Ekipit të unitetit. Pra, do të jemi bartësit e institucioneve, por do të jenë edhe anëtarët e tjerë, për çka do t’i informojë sot dhe nesër anëtarët e tjerë, ku do të jetë edhe opozita.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi zoti Thaçi, a prisni që Kosova dhe Serbia sivjet të arrijnë marrëveshje?

Hashim Thaçi: Unë shpresoj që po, nëse jo do të humbim dekadë.

Kryeministrja Ana Branbiç, pas kthimit nga Berlini, u shpreh për agjensinë serbe të lajmeve “Beta“ se është e zhgënjyer nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, sepse ka menduar se ai ka një vizion tjetër për Ballkanin dhe marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, por ai në të vërtetë grumbullon pikë në tema populiste, duke shpjeguar kryeministri Rama, flet një gjë në rastet e takimeve individuale, ndërsa në konferenca flet ndryshe dhe “për publikun e tij“.

“Unë nuk e shoh politikën ndryshe nga raportet njerzore“, u shpreh Branabiçi dhe shtoi se gjithmonë do të bisedojë me Ramën, duke “rekomanduar“ se në politikë nevojitet “pak më shumë sinqeritet“. Duke folur për Samitin e 29 prillit, ajo tha se bisedimet ishin të vështira, por delegacioni serb ishte i sinqertë dhe e përfaqësoi mirë vendin e tij.

“Thamë atë që mendojmë dhe që ndjejmë dhe se jemi këtu (në Berlin) për të vazhduar bisedimet dhe për të gjetur kompromis, por taksat duhen hequr“- shpjegoi Kryeministrja, duke shtuar se dialogun e frenon mungesa e kurajos politike dhe populizmi i njerëzve që kanë vendosur taksat ndaj mallrave serb.

“Hajde të bashkohemi të gjithë bashkë dhe të bëjmë një rajon tjetër për brezat që do të vijnë“- bëri thirrje Kryeministrja serbe.

Shumë nisma e thirrje ndërkombëtare për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri më tani nuk kanë bindur Prishtinën dhe Beogradin që të kthehen në tavolinën e negociatave për të finalizuar këtë proces me një marrëveshje, të paralajmëruar edhe si historike.

Krahas rolit lehtësues të Bashkimit Evropian në këtë proces, inkurajimi dhe mbështetja për arritjen e një marrëveshjeje, palëve u kanë ardhur muajve të fundit edhe nga vetë presidenti amerikan Donald Trump, që shprehet përmes letrës që ai u pati drejtuar presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, si dhe Gjermanisë e Francës, të cilat rolin e tyre e theksuan edhe në Samitin e fundit të Berlinit.

Por, aktualisht, janë vetë palët në bisedime ato që nuk kanë arritur lëvizin nga pozicionet fillestare për t’u kthyer në tavolinën e negociatave.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri tha për Radion Evropa e Lirë se pas ngecjes së procesit të dialogut nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, tani Gjermania dhe Franca të cilat po ashtu janë pjesë e BE-së, mund t’i japin një dimension të ri të dialogut, marrë parasysh peshën politike që kanë Berlini dhe Parisi dhe kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron.

“Ndryshe është kur bisedimet zhvillohen mes kancelares Merkel e presidentit Macron dhe përfaqësuesve nga Kosova dhe Serbia dhe ndryshe kur ato organizohen nga një burokrate si Federica Mogherini (Përfaqësuesja e Lartë e BE-së). Pra, niveli është shumë më i lartë dhe investimi ishte shumë më i fuqishëm nga ana e Gjermanisë dhe Francës, prandaj ky mund të konsiderohet edhe si hapi i parë që këto dy vende me peshë të jashtëzakonshme në politikën evropiane e botërore, të angazhohen në mënyrë më serioze për gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se Gjermania dhe Franca kanë filluar të zotërojnë procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas një studimi të prezantuar nga ky Grup, shprehet edhe skepticizmi që në këto rrethana mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare në një të ardhme të afërt.

“Ndonëse në këtë Samit nuk është bërë i qartë përkufizimi i vazhdimit të dialogut, ai ka filluar të marrë një formë të re dhe është ridizajnuar në njëfarë forme, duke qenë se tani kemi një përfshirje të drejtpërdrejtë të Francës dhe Gjermanisë në këtë proces dhe kjo mbështetet nga deklaratat pas Samitit, se një takim i radhës do të mbahet në muajin korrik”, tha Kryeziu.

Beogradi e ka vënë kusht të padiskutueshëm për vazhdimin e dialogut heqjen e taksës doganore të cilën autoritetet e Kosovës ua kanë vënë importeve nga Serbia që nga nëntori i vitit 2018. Kurse për Prishtinën zyrtare, mbajtja në fuqi e taksës mund të kuptohet edhe si blerje kohe, për shkak të mungesës së një konsensusi të brendshëm politik rreth përfaqësimit dhe përmbajtjes së bisedimeve.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili deklaroi në Berlin se procesi i dialogut ka devijuar dhe se taksa është vënë si pasojë e veprimeve të Serbisë të cilat, siç ka thënë ai, e kanë rrezikuar planin e sigurisë nacionale të Kosovës.

“Taksa është vënë si masë mbrojtëse pasi që Serbia na ka rrezikuar në planin e sigurisë nacionale. Zgjidhja është te marrëveshja për njohje, ku përfshihen të gjitha temat tjera”, ka thënë Haradinaj.

Artan Muhaxhiri thotë se ngjashëm me thirrjet e mëhershme ndërkombëtare, edhe nga Gjermania e Franca lidershipeve në Prishtinë e Beograd iu bënë thirrje që t’i heqin pengesat dhe barrierat në dialog dhe të ulen e të bisedojnë për të përmbyllur jo vetëm konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe për të përmbyllur një prej problemeve më të mëdha në Ballkan. Por, që dialogu të ketë sukses, ai thotë se do të duhet të ndryshohet edhe qasja që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë kanë ndaj këtij procesi.

“Qëndrimet ishin të kundërta mes palës kosovare dhe asaj serbe, mirëpo edhe vetë brenda palës kosovare pati paqartësi, pra në qëndrimet e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, kështu që e gjithë kjo është një simbolikë se procesi ka degraduar dhe nevojitet të ndryshohet qasja e deritashme. Pra, deri më tani kishte një qasje shumë të qetë e cila nuk ka sjellë rezultat kështu që nëse BE-ja dëshiron ndonjë rezultat, atëherë qasja duhet të ndryshojë”, tha Muhaxhiri.

Pas Berlinit, një përpjekje tjetër për të zhbllokuar bisedimet pritet të ndodhë në korrik, kur në Paris do të ftohen liderët e Kosovës dhe Serbisë.

Bazuar në analiza e deklarata politike, interesimi i shtuar i Gjermanisë dhe Francës për t’u përfshirë në mënyrë më aktive në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndërlidhet edhe me qëndrimin e këtyre dy vendeve kundër idesë për ndryshimin e kufijve, që doli nga akterët e bisedimeve në Bruksel, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka thënë se do të marrë pjesë në një samit të tretë me presidentin Donald Trump, por vetëm nëse SHBA-ja mban “qëndrimin e duhur”.

Mediat shtetërore të Koresë së Veriut raportuan komentet e udhëheqësit Kim të shtunën.

Në një fjalim, ai i kërkoi presidentit Trump të vazhdonte një marrëveshje që ishte e drejtë dhe reciprokisht e pranueshme për të dy kombet.

Të dy udhëheqësit u takuan për herë të parë në Singapor vitin e kaluar. Megjithatë, një samit i dytë në Hanoi në shkurt u prish për hapat e denuklearizimit.

Presidenti Trump tha se zyrtarët e Koresë së Veriut kishin kërkuar që sanksionet ekonomike të hiqen në këmbim të çaktivizimit të një vendi të madh bërthamor, duke e provokuar atë të largohej.

Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka sqaruar qëndrimin e institucioneve evropiane lidhur me mundësitë që çështja e kombinatit metalurgjik “Trepça” të përfshihet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket çështjes se a është “Trepça” pjesë e dialogut, Bashkimi Evropian, si ndihmës i procesit ka qenë gjithmonë i qartë që rendi i ditës në dialog përcaktohet nga Beogradi dhe Prishtina. Ne nuk komentojmë për pikat për të cilat nuk dëshirojnë të bisedojnë. Ata i sjellin në tavolinë çështjet që i konsiderojnë të hapura dhe më pas duhet të merren vesh për atë se a duan të flasin për secilën çështje, në mënyrë që të arrihet marrëveshja juridikisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo ka shtuar se dialogu ka për qëllim zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pa një normalizim të plotfuqishëm dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës përmes dialogut, të cilin e ndihmon BE-ja, nuk mund të arrihet deri te stabiliteti afatgjatë në rajon. Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për normalizimin është emergjente dhe vendimtare që Serbia dhe Kosova të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, ka porositur zëdhënësja Kocijançiq.

Ky sqarim i saj vjen pas reagimeve të ashpra që janë shënuar në Prishtinë pas publikimit të lajmit që Bashkimi Evropian konsideron që “çështja e “Trepçës” duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar të papranueshëm qëndrimin e BE-së lidhur me “Trepçën”.

“Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq, dhënë medieve serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut është qëndrim i papresedan, i papranueshëm dhe, si i tillë cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj, të martën në Facebook.

Mjaft politikanë të Kosovës dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të martën kanë bërë thirrje për ndërprerjen e të gjitha kontakteve me BE-në për dialogun, përderisa të mos sqarohet qëndrimi i Brukselit rreth “Trepçës”.