Dy njohësit e rrethanave në Ballkan, Wolfgang Petrich dhe Edward Joseph, kanë folur për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Petrich ka thënë se trasenë se nga do të shkojnë bisedimet duhet ta shtrojnë vetë Prishtina dhe Beogradi pa ndërhyrje nga jashtë, ndërkohë Joseph ka thënë se tashmë ideja e korrigjimi të kufijve është duke u zhbërë si ide.

Sipas Joesph duhet të pritet dhe të shikohet se si do të qaset në dialog Albin Kurti, pasi që ky i fundit ka thënë se do të jetë i përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Qeveria në Prishtinë duhet të presë sepse ekziston një figurë krejtësisht e re politike në lojë – Albin Kurti, të cilin nuk e kemi parë deri më tani në Kosovë apo rajon, i cili është i përqendruar në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka thënë Joseph.

Sipas Joseph, Kurti do t’i japë një intensiteti të ri bisedimeve, dhe sipas tij përfshirja e kreut të VV’së në dialog mund të ndryshojë edhe pozicionin e Hashim Thaçit.

“Do të japë gjithashtu një vrull të ri në bisedime, por gjithashtu mund të ndryshojë pozicionin e presidentit Hashim Thaçi. Unë pres ndryshime në dialog, por në të njëjtën kohë nuk besoj se ajo do të zhvendosë pozicionet e veta kur bëhet fjalë për reciprocitet dhe shkëmbimin e territorit”, ka shtuar Joseph.

Tutje Joseph shprehet se është i lumtur që tashmë korrigjimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve ka filluar që të zhbëhet si zgjidhje, pasi sipas tij një ide e tillë do të ishte fatkeqësi për dy palët.

“Unë jam i gëzuar që shkëmbimi i territoreve po zhbëhet si zgjidhje pasi do të ishte fatkeqësi për të dyja palët, si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Disa udhëheqës në rajon, siç është presidenti i Maqedonisë Veriore e quajtën atë “idenë më të dobët”. Unë mendoj se do të ketë pasoja negative për serbët, për këtë arsye, njerëzit në Kosovë janë të brengosur me të drejtë. Serbia duhet ta trajtojë Kosovën me respekt dhe të bëjë marrëdhënie të qëndrueshme. Kisha Ortodokse Serbe duhet të ketë sovranitetin mbi pasuritë e saj fetare dhe gjithashtu duhet të jetë sinjal për pakicën serbe që jetën në Jug se Serbia është gjithmonë e pranishme. Serbia duhet të mësojë nga e kaluara. Realiteti është se historia e fundit n Kosovë nuk filloi në vitin 1999, por një dekadë më herët me Millosheviqin, shpërnguljen, armatosjen e shqiptarëve… Të dyja palët duhet të merren me këto gjëra dhe të mos tregojnë gishtin njëra-tjetrës”, ka thënë analisti amerikan, Joseph,

Sa i përket bllokimit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Joseph thotë se pajtohet plotësisht me përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, i cili ka thënë se një vendim i tillë ishte gabim historik.

“Unë do të pajtohesha me atë që tha Matthe wPalmer, duke e quajtur këtë gabim historik, pra mospranimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendim plotësisht i keq nga Emanuel Macron.Ajo është e keqe në çdo rast dhe veçanërisht në imazhin e Maqedonisë Veriore që ka bërë hapa të mëdhenj dhe lëvizje të rrezikshme madje edhe emocionuese për qytetarët e saj. Shpresoj se ka ende një vizion evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Macron duhet të marrë përgjegjësi për zhvillimet negative që mund të ndodhin në rajon” ka potencuar ndër të tjera.

Ndërkohë ish-diplomati austriak, Wolfgang Petrich, thotë se dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i duhet një transformim i plotë.

“Duhet të shohim gjithashtu se cilat janë pikëpamjet e të dy palëve, Beogradit dhe Prishtinës, ku ekziston një ngërç nuk ka asnjë përparim dhe pastaj të shohim se çfarë do të bëhet”, thotë ai.

 Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi duhet të vendosin se nga do të shkojë dialogu, duke potencuar se Bashkimi Evropian nuk duhet të shtyjë në asnjë drejtim.

“Nëse të dy palët gjejnë një kompromis, bien dakord dhe vendosin diçka atëherë bëhet e mundur, përfshirë këtu edhe shkëmbimin e territorit, qasje kjo që është cilësuar e gabuar”, ka potencuar Petrich. /GazetaExpress/

Albin Kurti, kandidati për kryeministër që fitoi zgjedhjet në Kosovë ka deklaruar se do ta drejtojë vetë dialogun me Serbinë. Në një intervistë për Top-Channel, Kurti tha do t’i kërkojë Serbisë dëmshpërblim për luftën. /Gazeta shqip

“Dialogun gjashtë vjeçar ne nuk e kemi shumë të qartë çka është zbatuar, pse nuk është zbatuar ajo që nuk është zbatuar dhe cili ka qenë ndikimi dhe thelbi i këtyre marrëveshjeve në jetën e qytetarëve të Kosovës. Pas këtyre do të krijoj ekipin negociator edhe me opozitën, do ta udhëheq vetë ekipin negociator dhe do ti shtoj kërkesa Serbisë.

Serbia thotë cila është oferta juaj, oferta jonë për Serbinë janë kërkesat tona për Serbinë, pra borxhin që na e ka ajo neve dhe unë jam i bindur që dialogu i ardhshëm do të jetë shumë më solid dhe nuk do të jetë jo transparent, anash popullit apo prapa tij”.

Dialogu Kosovë-Serbi i cili është “ngrirë” që nga vendosja e taksës për produktet serbe nga ana e palës kosovare, pritet që së shpejti të marrë kahje tjetër.

Kjo pasi që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donlad Trump, zgjodhi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Për zgjedhjen e Grenell, ka shkruar edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

Cufaj përmes një postimi në Twitter ka shkruar se është i sigurt që miku i tij do të bëjë një punë të shkëlqyeshme sa i përket dialogut.

” Urime dhe shumë fat për Richard Grenell. Jam i sigurt se Ambasadori dhe shoku im Richard Grenell do të bëjnë një punë të shkëlqyeshme. Ka ardhur koha që Serbia të njohë Kosovën dhe një marrëveshje përfundimtare midis të dy vendeve që do të sjellë paqe dhe zhvillim në Ballkan”, ka shkruar Cufaj.

Congrats and best of luck to @RichardGrenell I am sure Ambassador and my friend Richard Grenell will do a great job. Time has come for #Serbia to recognize #Kosovo and a final agreement between both countries that will bring peace and development to the Balkans. @KosovoinDe https://twitter.com/thehill/status/1179932686690983936 …

View image on Twitter

The Hill@thehillJUST IN: Trump selects US ambassador to Germany Grenell, as envoy for Serbia, Kosovo peace talks http://hill.cm/Yd0XcUV 85:59 AM – Oct 4, 2019 · Berlin, GermanyTwitter Ads info and privacySee Beqë Cufaj’s other Tweets

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur qëkur Kosova iu ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian për heqjen e kësaj mase, Qeveria e Kosovës nuk ka ndryshuar qëndrim, duke thënë se Serbia fillimisht duhet ta njohë Kosovën.

Autoritetet në Serbi, në anën tjetër, janë pozicionuar për mos vazhdimin e dialogut derisa të hiqet taksa. /Telegrafi/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi foli edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa kritikoi sërish Bashkimin Evropian për mosunitet. Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e sheh si të pashmangshëm. Thaçi tha se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, pas Samitit të Berlinit ju nuk ishit shumë optimist se do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Ku aktualisht qëndrojnë pengesat kryesore në këtë proces?

Hashim Thaçi: Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë: E shihni si vazhdim të procesit të dialogut apo fillim të ri?

Hashim Thaçi: E shoh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron. Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren.

Radio Evropa e Lirë: Nuk i kursyet nga kritikat as BE-në dhe vendet e Kuintit. A nënkupton kjo që procesi nuk është duke u udhëhequr si duhet?

Hashim Thaçi: Definitivisht, në Berlin është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse. Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur edhe rolin e SHBA-së në proces si të pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes. Në çfarë kuptimi keni menduar, marrë parasysh faktin që Uashingtoni disa herë është shprehur se e mbështetë procesin që udhëhiqet nga BE-ja?

Hashim Thaçi: Në kuptimin e rolit vendimtar dhe historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të kaluarën, kur ka arritur paqen në Dejton për Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen në Rambuje për Kosovë, e gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjen në Konçul. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, dhe jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E them këtë, për arsye se presidenti (Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe formula e gjetjes së zgjidhjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është në substancën dhe kornizën e letrave të presidentin Trump.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni përmendur në shumë raste edhe idenë e korrigjimit të kufirit, si pjesë të negociatave, por nuk keni marrë mbështetje, sidomos në Prishtinë, e së fundit edhe në Samitin e Berlinit. Për çfarë korrigjimi angazhoheni ju?

Hashim Thaçi: Unë gjithmonë kam qenë kundër dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve sepse është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj që të ndodhë. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të mbes fuqishëm në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Punoj fuqishëm që ajo pjesë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujoncit që t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës. Diçka të tillë kam prezantuar edhe në Samitin e Berlinit, por Samiti i Berlinit nuk ka sjell ndonjë ide të re, por nuk i ka mbyllur asnjë ide të diskutuar deri më tani, pra edhe atë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse ju do të kërkoni që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i takojnë Kosovës, a nuk i hapë kjo rrugë edhe Serbisë që ta kërkojë të njëjtën gjë për pjesë të caktuara të Kosovës, si veriu për shembull?

Hashim Thaçi: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, mund dhe do të luftoj që të jenë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, me territorin aktual të shtetit të Kosovës, duke mos e cenuar asnjë centimetër të territorit të shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë, kam theksuar edhe në Berlin se nuk do të lejojmë asnjë ide për ndonjë sovranitet të dyfishtë për Kosovën, apo ndonjë ide për ndonjë Asociacion me elemente ekzekutive të modelit të Republikës Serbe, sepse kjo nënkupton ndarje të Kosovës, sikundër që nuk do të lejojmë ndonjë model gjermano-gjerman.

Radio Evropa e Lirë: President, t’i kthehemi taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. A mund të vazhdojnë negociatat pa heqjen e kësaj takse?

Hashim Thaçi: Takimi i Berlinit, është fat që në fund me iniciativën e presidentit (Emmanuel) Macron, me pajtueshmërinë time, por edhe të presidentit (Aleksandar) Vuçiq, jemi dakorduar të ndodhë takimi i Parisit. Taksa është një diçka legjitime dhe e drejtë nga ana e Qeverisë së Kosovës, prandaj edhe do të mbetet në fuqi. Nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: Më herët edhe ju e keni kundërshtuar taksën, keni kërkuar që të hiqet ose të pezullohet?

Hashim Thaçi: Është gënjeshtër e kulluar nga kushdo që e ka prezantuar se unë e kam refuzuar taksën dhe merrni deklaratat e mija, një nga një, nga dita e parë, nga momenti që është propozuar nga zoti (Enver) Hoxhaj për 10 për qind, e kam mbështetur dhe në momentin që është propozuar nga kryeparlamentari (Kadri) Veseli në 100 për qind, e kam mbështetur. Taksa është vendim legjitim dhe i drejtë dhe do të mbetet. Për gjëra të tjera, ka deklarime të tjera, është gënjeshtar dhe mashtrues.

Radio Evropa e Lirë: Nëse taksa nuk hiqet nga Qeveria e Kosovës, ashtu siç kërkojnë edhe vendet aleate të Kosovës, a duhet të ketë zgjedhje të reja në Kosovë?

Hashim Thaçi: Taksa nuk hiqet dhe nuk ndërlidhet fare me zgjedhje. Nëse partnerët e koalicionit humbin shumicën në Kuvend, apo nëse nuk e konstatojnë që e kanë shumicën në Kuvend, natyrisht se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nuk është fundi i botës. Përkundrazi, është vetëm shëndet për demokracinë dhe unë u kam dërguar mesazh edhe partnerëve të koalicionit se duhet ta ruajnë shumicën, përndryshe vendi nuk mund të mbetet i paralizuar me qeverisje të minorancës.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, ju jeni që të mos hiqet taksa edhe pse ka pasur presion nga vendet mike të Kosovës që taksa të hiqet.

Hashim Thaçi: Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin, asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion.

Radio Evropa e Lirë: Ka edhe një Ekip negociator në Prishtinë që ka hartuar Platformën për dialogun, të cilën e ka miratuar edhe Kuvendi. Do të jeni ju apo ky ekip që do ta përfaqësojë Kosovën në fazën finale të negociatave?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë e përfaqësuar me bartësit e institucioneve, legjitimitet dhe legalitet që del ky nga Kuvendi i Kosovës, por edhe nga vullneti i qytetarëve të Kosovës, mandati kushtetues dhe ligjor, por do të punojmë që të kemi një përfshirje edhe më të gjerë, atë të një pjese të Ekipit të unitetit. Pra, do të jemi bartësit e institucioneve, por do të jenë edhe anëtarët e tjerë, për çka do t’i informojë sot dhe nesër anëtarët e tjerë, ku do të jetë edhe opozita.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi zoti Thaçi, a prisni që Kosova dhe Serbia sivjet të arrijnë marrëveshje?

Hashim Thaçi: Unë shpresoj që po, nëse jo do të humbim dekadë.

Përderisa kryeministri Ramush Haradinaj këmbëngul që Kosova nuk do ta heqë taksën ndaj produkteve serbe, heqja e kësaj tarife vazhdon të jetë kusht i Serbisë për rifillimin e fazës finale të dialogut.
Në anën tjetër Bashkimi Evropian pohon se nuk ka ndonjë alternativë për kthimin e palëve në tavolinën e bisedimeve. Në këto rrethana analistët vlerësojnë se këtë vit nuk do të ketë dialog e rrjedhimisht as marrëveshje me Serbinë, shkruan “Zëri”.

Heqja e tarifës 100% ndaj produkteve serbe vazhdon të jetë kushti kryesor i Serbisë për rifillimin e fazës finale të dialogut. Tash kur ky proces ka ngecur për më shumë se 4 muaj për shkak të taksës, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj qëndron pas vendimit të tij se ajo nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës si shtet nga Serbia.

Analistët politikë e shohin me skepticizëm mundësinë e heqjes së taksës. Duke parë kushtëzimet edhe të Serbisë, por edhe të BE-së ata konsiderojnë se këtë vit nuk do të ketë zhvillim në procesin e dialogut me Serbinë e as arritje të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me këtë shtet. Se së shpejti nuk do të ketë dialog e ka konfirmuar dje edhe zëdhënësja e Federica Mogherinit, Maja Kocijançiq. Në një intervistë për mediet kosovare Kocijançiq pohoi se aktualisht nuk ka ndonjë alternativë për kthimin e shpejtë të palëve në tryezën e bisedimeve.

Mosbesimi dhe përçarja po e shoqëron dialogun.

Mosbesimi dhe jo transparenca vazhdojnë ta shoqërojnë procesion e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se e ka vështirë t’i besojë Evropës, opozita në Kosovë thotë se nuk mund t’i besohet kryeministrit dhe ekipit të propozuar prej tij, se do të aplikojë qasje ndryshe në negociata me shtetin serb.

Dialogu i Brukselit është në bllokadë për shkak të taksës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. Me gjithë presionin ndërkombëtar, Haradinaj deri tani ka refuzuar ta pezullojë vendimin, për t’i dhënë shans dialogut. Sipas tij, është vështirë t’i besohet Evropës se nuk do të kërkojë diçka tjetër, edhe nëse hiqet taksa, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Sot po vij këtu nga tri lokacione të masakrave ndër më tragjiket që ka pësuar populli i Kosovës. Me qindra të vrarë e me gjithë këtë situatë jemi ulur në tavolinë. Imagjino sot t’i thoni Kosovës plotëso kushte për të ardhur në tavolinë. Është e habitshme si ka ardhur kjo gjendje. Bëj apel të kthehet tavolina e të zgjidhen temat e hapura me njohje reciproke në kufijtë aktualë, e ku do të kishim tregti të lirë”, ka thënë Haradinaj të martën, pas mbledhjes së Qeverisë. Sipas tij, BE-ja nuk i mbajti fjalët as në çështjen e vizave.

“Qysh t’u besojmë evropianëve që na thanë njëherë dialogun, pastaj taksën, e ku ta dimë çka na thuhet më tutje. Është bërë vështirë t’iu besohet. Mogherini e të tjerët na kanë thënë kryejeni këtë se e keni liberalizimin”, ka theksuar ai.

Me udhëheqjen dhe mentalitetin aktual të Serbisë, Kosova është më afër luftës sesa paqes, ndërsa dialogu më shumë i ka shërbyer palës serbe për ta ruajtur integritetin evropian sesa palës kosovare për ta kompletuar shtet-ndërtimin.

Kështu u tha në tryezën e organizuar sot nga Paqja Studentore e Universitetit të Prishtinës me temën “Perspektiva e analistëve për fazën e fundit të dialogut Kosovë-Serbi”.

Profesori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Milazim Krasniqi tha se nuk ka dialog të mirëfilltë me një Serbi, e cila vazhdon me qasjen e njëjtë ndaj Kosovës, sikurse në kohën e kryekriminelit Sllobodan Millosheviq.

Ai tha se pala serbe ka mendim ndryshe nga pala kosovare sa i takon formatit të këtyre bisedimeve. Sipas tij, Kosova  ndodhet në situatë më të keqe se në vitin  2008 kur shpalli pavarësinë.

Profesori i UP-së është skeptik se tani është momentumi për marrëveshjen përfundimtare, por thotë se momentumi i duhur për vendin tonë është për t’u forcuar nga aspekti institucional.

“Derisa Kosova është pjesë e Kushtetutës serbe, derisa Serbia bllokon çdo iniciativë të Kosovës për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia nuk jep asnjë të dhënë për të zhdukurit që janë me mijëra, derisa asnjë kërkim falje nuk ka, për çfarë dialogu flitet, ku është dialogu? Këto janë thjesht situata të cilat politikanët tanë thjesht i përdorin si njëfarë fashe anestetiku, por realiteti është që qytetarët duhet ta kuptojnë se jetojnë në një botë reale në të cilën situata është shumë më prozaike dhe unë jam i bindur gjithmonë se ne më afër jemi luftës, sesa paqes me Serbinë sot dhe në të ardhmen me këtë Serbi që ekziston sot”, ka thënë Krasniqi.

Profesori Ibrahim Gashi  tha se pala serbe po fiton nga dialogu, ndërsa pala kosovare përmes këtij procesi vetëm është dëmtuar, sidomos në aspektin e njohjeve.

Ai shprehu dyshimet në atë që thuhet se dialogu ndodhet në fazën përfundimtare, derisa ka kërkuar nga klasa politike kosovare konsensus për të ditur nëse është i nevojshëm vazhdimi i dialogut apo jo.

“Ky proces i dialogut mendoj se e ka stërkeq në vijimësi procesin e afirmimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovë, dhe këtë nuk e ka vërejtur klasa jonë politike, iu ka besuar këtyre fotografive, ka besuar që normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, dhe dialogu po i kontribuon konsolidimit të shtetësisë dhe ne kemi ardhur në një pikë kur dialogu na u ka bërë si një në një farë mënyre në sy të politikanëve edhe një pjesë të opinionit ndërkombëtar si parakusht i ekzistimit të shtetit të Kosovës, nëse nuk ka dialogu, Kosova nuk mund të ekzistojë,” tha Gashi.

I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe profesori Adem Beha, i cili tha se Kosova nuk mund ta refuzojë dialogun lehtësisht, pasi zgjidhje tjetër nuk ka.  Sipas tij, falë dialogut Kosova ka fituar decentralizimin, por që bëri thirrje të ruhet karakteri multi-etnik i shoqërisë kosovare, sovraniteti i Kosovës dhe funksionaliteti i saj.

Profesor Beha nuk e përjashtoi  mundësinë e krijimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Ne nuk kemi çare, po e them në mënyrë metaforike për ta përfunduar këtë proces, duke qenë bashkëpunues serioz me bashkësinë ndërkombëtare. Leva më e mirë është suksesi që kemi pasur në procesin e decentralizimit. Nuk kemi çare pa e krijuar asociacionin. Kjo ideja ‘Zajednica nuk kalon’ i ka bërë edhe dëm Kosovës? Pse, sepse Kosova ka marrë obligim kushtetues për të krijuar një asociacion të komunave me shumicë serbe. Ky obligim ndërkombëtar është bërë ligj vendor i Kosovës. Ne e kemi miratuar një ligj, pra herë-do-kur, ne nuk kemi çare pa e krijuar asociacionin, por jemi vonë, e sa më shumë që vonohesh dalin opsione tjera”, tha profesor Beha.

Ndryshe, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë, pasi pala serbe kushtëzon vazhdimin e procesit me heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe  platformës për dialogun të votuar në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përsëritur disa herë se taksa do të hiqet vetëm atëherë kur Beogradi zyrtar të njohë pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb tha se vendi i tij e mbështet fuqishëm dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe pret që formati i dialogut të mbetet i pandryshuar.

Ai njëherit i ka bërë thirrje Prishtinës që ta shfuqizojë taksën, transmeton Klan Kosova.

Diplomati gjerman  i tha revistës “Diplomacia dhe Tregtia” (Diplomacy and Commerce) se rezultati i dialogut duhet të jetë një marrëveshje që do të jetë gjithëpërfshirëse, e pranueshme për të dyja palët dhe e zbatueshme, transmeton Spektri.

Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se në procesin e dialogut, Kosova nuk duhet t’i merr parasysh vërejtjet e Serbisë.

Kosova duhet ta ketë platformën dhe strategjinë e saj, ani pse sipas tyre kjo platformë le për të dëshiruar.

Gjithashtu sipas tyre, situata aktuale tregon se dialogu do të jetë i vështirë pasi është i kushtëzuar nga të dy palët.

Përderisa Serbia është deklaruar kundër platformës së Kosovës për dialog, duke e cilësuar atë një platformë lufte, njohësit e çështjeve politike në vend porosisin që deklarimet e tilla mos të merren fare parasysh.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, tha për Radio Kosovën se vërejtjet e Serbisë për punë të brendshme të Kosovës nuk duhet të merren seriozisht:

“Çka mendon Serbia për platformën e dialogut, kjo nuk duhet t’i interesojë askujt në Prishtinë. Prishtina duhet të ketë platformë dialogu të qartë megjithëse unë mendoj se ajo platformë është si një hartim me shkrim i cili nuk i hyn në punë kontrektisht as Kosovës as dialogut. Kosova sot i ka tri vija përfaqësuese si në dialog si në raport me kancelaritë evropiane, kështu që është njëfarë mjegulle totale dhe këtë mjegull Serbia është duke e shfrytëzuar me strategji të qartë edhe me diplomaci intensive, për fatin tonë të keq”, tha ai.

Profesor Kraki thotë se Serbia ka aftësi ta bllokojë tërë procesin në Kosovë, ani pse vendosja e taksës si formë e presionit ndaj Serbisë, tashmë është kthyer si rrezik për shkak të mungesës së strategjisë:

“Serbia në këto 20 vite ka tregu se ka talent me sabotua me shantazhu Kosovën bashkë me BE-në, kështu që të vetmin veprim që Kosova e ndërmori si mjet shtrëngues ose presioni ndaj Serbisë dhe BE-së ishte taksa. Fatkeqësisht duke mos ditur liderët tanë si të dakordohen dhe si t’i qasen me strategji të qartë kësaj pune tash taksa na është kthyer si armiku i ri. Do të thotë rreziku i ndarjes apo shkëmbimit të territoreve ka rënë në nivel të dytë dhe tash kryerrezik shihet kjo taksë”, tha ai.

Edhe politikologu Ramush Tahiri tha se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës , dhe sipas tyre platforma nuk është e nevojshme:

“Serbia është shtet dhe  e ka politikën e vet dhe politika e saj është që nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe deklarohet se nuk do ta pranoj shtetin e Kosovës. Në këtë bazë Beogradi zyrtar llogarit se nëse Kosova e ka një platformë dhe atëherë kjo platformë konsiderohet e papranueshme, sepse nëse realizohet platforma atëherë thotë se nuk ka nevojë që të bëhet dialog dhe s’ka nevojë për bisedime”, tha ai.

Sipas Tahirit, vërejtjet që i bënë Serbia tregojnë se dialogu do të jetë i vështirë edhe është i kushtëzuar nga të dy palët si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Platforma e Dialogut është ‘gozhda e fundit në arkivolin e dialogut me Beogradin”.

Sipas tij një platformë e tillë e ka ‘vrarë dialogun’ e Brukselit, shkruan novosti, transmeton Gazeta Express.

Gjuriq është kujdesur që të sulmojë edhe Sllobodan Petroviqin, duke thënë se përmes tij është bërë e mundur që të miratohet ajo platformë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij Petroviqi çdo ditë e më shumë është duke vepruar në kundërshtim me interesat e Serbisë.

Ai thotë se Lista Serbe çdo ditë e më shumë po lufton për interesat e Serbisë në Kosovë.

“Petroviq në vend se të protestonte kundër veprimeve që Kosova po i bën përmes taksave dhe sulmeve ndaj Trepçës, ai po mbështet protestat e organizuara kundër Vuçiqit”, ka thënë Gjuriq, transmeton Gazeta Express.

Dje në një komunikatë për media edhe Lista Serbe ka linçuar publikisht Sllobodan Petoroviqin, duke e quajtur si produkt të ‘kurvërisë’ së ndërkombëtarëve me Hashim Thaçin.