Para dhjetë vjetësh, Branislav Nikoliq si agjent i shërbimit sekret serb punonte kundër UÇK-së, sot Hashim Thaci e ka emëruar këshilltar politik, raporton T7

Në shikim të parë duket një muhabet normal mes dy personave.

Por përmbajtja e kësaj bisede e cila u publikua në vitin 2009 nga Televizioni Publik, tronditi opinionin kosovar.

Personat që shihen në këtë xhirim – thuhej me pompozitet – se janë agjent të shërbimit sekret serb të ardhur me Mision nga Beogradi për t’u ofruarmijera euro njerëzve që janë të gatshëm të dëshmojnë kundër UCK-së.

Ata u arrestuan, u nxoren para kamerave me duar ne pranga dhe nga shefat e politikes u quajt si nje fitore e madhe. 

Sot, njëri prej tyre, çuditërisht, është këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Millutin Radanovic, Predrag Zhelkovic shtetas te Serbisë dhe Igor Jucinac pjesëtar i Policisë së Kosovës si pjesëtarë të shërbimit sekret serb në vitin 2009 ishin filmuar duke dhuruar shuma të majme parash në këmbim të deklaratë të rrejshme për transplantim organesh.

Bile gjatë kësaj bisede përmendet edhe shifra sa kishte marrë një person që kishte dëshmuar rrejshme për transplantim të veshkës.

Këta persona i kishte arrestuar policia me 11 qershor të vitit 2009 në afërsi të Cagllavicës.

Për çka hetuesit kishin ngritur kallëzim penal për krim të organizuar dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejt.

Në këtë kronikë të transmetuar në RTK, shfaqet dhe njëri nga personat e kërkuar, por që ishte në arrati.

Ky është Branisllav Nikoliq i cili bashkë me tre persona tjerë akuzoheshin për krim të organizuar.

Sot, Branisllav Nikoliq, këshillon Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.   

Ngjashmëria mes videos dhe fotografisë  e dëshmon këtë.

Madje për arrestimin e Nikoliqit kishin raportuar edhe mediat serbe në atë kohë.

Prezenca e një serbi të dyshuar se ka qenë pjesë e BIA-s, në zyrën e kryetarit të shtetit, shihet si e rrezikshme për vendin. Eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, thotë se ka pasur informacione të për këtë rast.

Bazuar në dëshmitë që kishte policia dhe prokuroria  ishte ngritur aktakuzë kundër serbëve të arrestuar.

Televizioni T7 ka siguruar aktvendimin e Gjykatës së Qarkut i cili në mungesë të provave e ka hedhur poshtë aktakuzën e prokurorisë.

Në vendimin e kësaj gjykate ku fshihen emrat e të dyshuarve, thuhet se nuk janë gjetur elemente të mjaftueshme.

Se kishte mungesë fakteve ndonëse gjithçka ishte e dukshme dhe kishte edhe dëshmitar, e pohon edhe avokati Shefki Sylaj që mbronte njërin prej të akuzuarve.

Po si përfundoi një agjent i BIA-s në  këshilltar të presidentit të Kosovës? 
a është verifikuar e kaluara e Nikloqit para se ai të futet në zyrën e presidentit?

Televizioni T7 ka disa ditë që ka kërkuar një përgjigje nga Presidenca por ata nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim.

Nuk është ky rasti i vetëm kur Presidenti Thaci i ka rekrutuar si këshilltar personat që ai ka dyshuar se mund të dalin dëshmitar kundër tij në ndonjë proces gjyqësor.

Këshilltar i Thaçit është Veli Bytyqi, i cili gjatë kohës së luftës ishte arrestuar bashkë me një delegacion të LDK’së, kur ata po i vizitonin vatrat e luftës. Presidenti Thaçi e mbanë afër vetës, në pozita të ndryshme, edhe Gjergj Dedajn, i cili gjithashtu ka qënë i arrestuar në atë kohë. Dedaj sa herë që është ndier i braktisur nga Thaçi ka filluar ta akuzojë atë për rastin e tij dhe të zyrtarëve të LDK’së.

Në këtë frymë thuhet se është edhe një dekoratë që Thaçi ia ka ndarë postmortum Haki Ymerit, ish zyrtar i LDK’së në Skenderaj, i vrarë në rrethana të pasqaruara pas përfundimit të luftës. Vëllai i të ndjerit, Ymeri, e kishte akuzuar direkt Presidentin Thaçi për këtë vrasje. Mirëpo diçka ka ndodhur dhe është arritur një paqe në mes të Thacit dhe vëllait të të ndjerit.

Në këtë vazhdë është parë edhe kërkim falja që Thaçi ia ka bërë Gani Gecit, i cili kërkonte përgjegjësi për një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm i UCK’së e kishte lëshuar kundër Gecit dhe familjes së tij. Thaçi, në RTK, 20 vjet pas, ka thënë që komunikata të këtilla janë lëshuar nga stacionet e trenave në Perëndim dhe se i kërkonte falje familjes Geci për shqetësimin që i ka shkaktuar.

Me këpucë pa lidhëse, por që kushtojnë rreth 1000 euro Presidenti Hashim Thaçi është nisur për në konferencën e Gobal Security në Bratisllavë, ku bashkë me homologun Aleksandër Vuçiqin do të jenë në një panel diskutimi.

Presidenti Hashim Thaçi para se të nisej në Bratisllavë të Sllovakisë, ka mbajtur konferencë për media në Aeroportin e Prishtinës.

Aty në sy kanë rënë atletet e Thaçit, të cilat dukeshin shumë më ndryshe se çfarë mbathë zakonisht Presidenti.

Ato janë të markës “Zegna” dhe me një kërkim që ka bërë Gazeta Express, shihet se ato kushtojnë 735 funta britanike,  ose 827.39 euro.

Ai nuk njihej për eksperimente në veshje, ndërsa kohëve të fundit duket se ai po inspirohet nga miku i tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Herën e kaluar kur ai ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Samitin e Berlinit, vëmendje kishte marrë dizajni i bluzës që kishte veshur. /Express/

Duke komentuar takimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha shkruan se takimi kishte për qëllim që ata të mbanin flamurin e zi të Serbisë së Madhe, pasi projekti i tyre u varros në Samitin e Berlinit.

Sali Berisha

Berisha i përgjigjet indirekt edhe akuzave të mbrëmshme të Thaçit, duke theksuar se ata “kalojnë nga ekrani në ekran, duke besuar se me gjuhën e halabakëve ordinerë, shpifësve vulgar, mund të mbulojnë aktin e tyre në Samitin e Berlinit”.

Reagimi i plotë i Berishës:

Miq, Zografi Bis, Argati i Beogradit dhe Baton Stanishiqi te damkosur dhe denatyruar perfundimisht nga Samiti i Berlinit, u takuan sot ne Tirane.

Ky takim kishte vetëm një qellim, te mbanin fort ne duart e tyre te zeza flamurin e Serbise se Madhe pasi projekti i tyre antikombetar antishqiptar u varros ne Samitin e Berlinit dhe ata te shperfytyruar u paraqiten ne nje rast unik ne historine e samiteve si tregtare te tokave te tyre.

Pas këtij deshtimi, Zografi Bis, Miladini shqipfoles dhe Baton Stanishiqi, fytyre nxire kalojne nga ekrani ne ekran duke i shndërruar ato në shpiftorë duke besuar se me gjuhen e halabakëve ordinerë, shpifësve vulgar, banditëve apatridë mund te mbulojnë aktin e tyre ne Samitin e Berlinit, me te cilin ne funksion të krijimit te Serbisë se Madhe “zgjeronin” Kosovën duke e copëtuar atë.

Ne takimin e sotem, keta apatride pengje te te shkuares se tyre kriminale antikombetare, diskutuan gjerësisht se si te bindin patronin e tyre Vuçiç te mos tërhiqet nga projekti i Serbisë së Madhe dhe për përpjekjet e tyre te reja qe duhet te bëjnë për te përdorur edhe me tej idenë e ”zgjerimit “te Kosovës dhe “bashkimit” te saj me Shqipërinë duke e copëtuar ate dhe zhdukur shtetin e saj ne funksion te serbomadhise.

Me kete rast denoj me ashpersine me te madhe keto perpjekje antikombetare destabilizuese dhe luftenxitese te Zografit Bis, Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishqit dhe i paralajmeroj ata se koshi i plehrave te historise do te jete banesa e turpit e tyre!

Ashpërsia e retorikës politike mes Hashim Thaçit dhe Sali Berishës po rritet dita – ditës.

Në një intervistë për gazetën “Dita”, Presidenti i Kosovës ka shpalosur akuza të shumta ndaj ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë.

Dita: Kohët e fundit edhe Sali Berisha ka bërë disa akuza të rënda ndaj jush. Dikur nuk ka qenë kështu. Çfarë ka ndodhur mes jush?

Hashim Thaçi: Gjithmonë krimineli kthehet në vendin e krimit. Sali Ramë Berisha ka kryer krim të rëndë kundër UÇK-së kur është angazhuar në një fushatë armiqësore shpifjesh kundër saj, paralelisht me fushatën ushtarake të Slobodan Milosheviçit. E kam falur këtë duke e shikuar si një gabim strategjik të një politikani dhe i kam shtrirë dorën e bashkëpunimit.

Në maj të vitit 1999, kur ka qenë i izoluar nga shqiptarët dhe nga bota, unë e kam takuar sepse nuk kam dashur ta shpalli e ta trajtoj si armik apo si tradhtar. Kam vlerësuar gjithmonë se armiqësitë në mes vetë shqiptarëve janë më të rënda se vetë plumbat e Serbisë. Jam munduar ta respektoj atë në komunikimin tonë prej më shumë se dy dekadash.

Realisht, ai është sjellë mirë gjatë bashkëpunimit që kishim si kryeministra. Por fatkeqësisht, sot ai është kthyer në vendin e krimit dhe ka shkuar edhe më larg. Ndiej keqardhje për të sepse sot është shndërruar në një gërmadhë politike e shoqërore shqiptare. Fatkeqësisht, për të paska pasur shumë të drejtë Ibrahim Rugova që për vite të tëra nuk pranoi t’ia jepte dorën, dhe kështu qëndroi deri sa u nda nga jeta.

Megjithatë, unë nuk i quaj kurrë armiq apo tradhtarë njerëzit qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri,e që kanë mendime ndryshe nga unë. Përkundrazi. I dëgjoj dhe i respektoj të gjitha opinionet dhe i peshoj argumentet e secilës ide, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.

Vetvetiu shtrohet pyetja – pse Sali Ramë Berisha nuk guxon të përmendë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Nexhat Dacin, apo zyrtarë tjerë të lartë të LDK-së, që kanë folur për shkëmbim territoresh? Unë personalisht kam qenë dhe jam kundër një ideje të tillë.

E kush është ky patriot që na flet sot? Kur Berisha i bënte argat Sllobodan Milosheviçit, në vitet ‘92-‘95, unë me bashkëluftëtarët e mi e luftonim makinerinë vrastare të Milosheviçit, të njëjtën që ai e furnizonte me karburante, duke shkelur edhe sanksionet ndërkombëtare që i kishte vënë Perëndimi. Ky kontrabandist strehoi edhe kryekriminelin Arkan, duke i plotësuar të gjitha qejfet atij.

Vërtet ndiej keqardhje për të.

Ai është bërë krye-protagonist i përçarjeve brenda-shqiptare tash e tri dekada. Duket se ky ka qenë misioni i tij. Por tash është në gërhimat e fundit të tij. Kjo është trashëgimia e tij.

Kosova nuk ja bëri trazirat e vitit 1997 në Shqipëri. As nuk i grabiti shqiptarët përmes fajdeve. Kosovës nuk mund t’i vihet faji as për 21 janarin apo për Gërdecin, apo mëkatet dhe aktet tjera kriminale. E sidomos Kosova nuk duhet të bëhet pjesë e fushatës politike elektorale në Shqipëri.

Dita: Berisha u shpreh që ju duhet të dërgoheni në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, diçka që deri më sot e ka artikuluar vetëm presidenca, por edhe shërbimet serbe. Jeni dënuar në mungesë nga gjykata e instaluar serbe në Kosovë, me 10 vite burg, në të njëjtin gjykim me Adem Jasharin dhe Grupin e Drenicës. Keni ju drojë nga kjo Gjykatë, e ngritur veç të tjerash me miratimin tuaj?

Hashim Thaçi: E di që kam qenë dhe u mbes halë në sy të gjithë atyre që nuk ja duan të mirën Kosovës. Kam qenë lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam udhëhequr delegacionin kosovar në Rambouillet, kam shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe tash po i udhëheq proceset për konsolidim të plotë të brendshëm e ndërkombëtar të Kosovës. Sigurisht që gjatë këtij rrugëtimi kam bërë edhe armiq.

Sa për Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale, siç e quajmë më shpesh, ajo është një gjykatë e Kosovës, e krijuar nga institucionet e Kosovës. Armiqtë e shtetit të Kosovës kanë investuar shumë në përhapjen e të pavërtetave për Kosovën, duke bërë përpjekje për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së. Këto përpjekje do të dështojnë.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, nuk ka ndërmend të heq dorë nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe përkundër faktit se në Samitin e Berlinit mori pjesë si e paftuar në vend të Jean-Claude Juncker.

Pas Samitit të Berlinit, ajo ka marrë iniciativë që të takojë në Tiranë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe presidentin e Serbisë, Aleksadner Vuçiqin, gjatë Samitit të Brdo-Brionit, gjatë 8 dhe 9 majit në Tiranë.

Këtë e kanë konfirmuar në Bruksel për tanjug.

“Ministrja e Jashtme e BE-së, do të diskutojë në takime të ndara, me presidentin Aleksander Vuçiq, dhe Hashim Thaçin”, kanë thënë për tanjug, transmeton Gazeta Express.

Nga BE-ja ndër të tjera kanë thënë se Mogherini si ndërmjetësuese ka vazhduar përpjekjet dhe kontaktet me dy palët, që të rifillojnë dialogun për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Mogherini si ndërmjetësuese po përpiqet që  të ruaj rolin e saj në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, megjithatë nga Brukseli hezitojnë që të flasin për ndonjë parashikim se kur mund të priten ndryshime për të rifilluar dialogun.

Pas Samitit të Berlinit, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të vazhdojnë përpjekjet për normalizim të raporteve, dhe si rrjedhojë është caktuar edhe Samiti i Parisit që do të mbahet me 1 korrik të këtij viti, e ku do të marrin pjesë vetëm Kosova dhe Serbia.

Lidershipi i Kosovës pret që në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, do të këtë një përfshirje edhe më direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë proces.

Pas Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të mbajtur më 29 prill, ku ishte ritheksuar nevoja e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka rolin e tyre mbështetës e ofruan edhe Gjermania e Franca, në Prishtinë është mbajtur takimi i radhës së akterëve të përfshirë në këtë proces.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Ekipin negociator, theksoi se dialogu më Serbinë është një proces i rëndësishëm, ndaj sipas tij, spektri politik duhet të jetë i unifikuar. Ngjashëm me takimet paraprake, edhe kësaj radhe aty munguan dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Veseli tha se Prishtina zyrtare mbështet vetëm ato bisedime që nuk prekin në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Besojmë që në të ardhmen të ketë një involvim më direkt të SHBA-së. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të jetë tërë jetën. Asnjëherë nuk do të flitet për sovranitetin e shtetit tonë. Ne po flasim për obligimet që duhet t’i marrë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vetë, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ”, theksoi Veseli.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e taksës 100 për qind e vendosur tani e sa muaj nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Veseli tha se nuk do të merren vendime që do t’i vendosnin në pozita të papërshtatshme udhëheqësit e shtetit.

Kjo taksë, ishte marrë si pretekst nga Serbia për të braktisur dialogun dhe kushtëzuar rikthimin e saj në bisedime me shfuqizimin e vendimit.

“Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz ndaj Serbisë. Taksa është dashur të konsumohet vetëm në raport me Serbinë. Kur e kam propozuar taksën 100 për qind, ka qenë përgjigje ndaj Serbisë, jo ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë apo Francës. Do të shkojmë gradualisht, por kurrë nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, theksoi Veseli, duke mos prezantuar një qëndrim të drejtpërdrejtë se do të pezullohet ajo jo vendimi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilët kanë qenë pjesë e këtij takimi nuk janë deklaruar pas takimit.

Por, të dy liderët janë deklaruar se presin zhvillime serioze ne Samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 dhe 2 korrik.

Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet të koordinohet me Shtete e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe finales, mendoj se qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për ndërrim të territoreve apo për lëvizje të kufijve, por shkohet për njohje reciproke. Për modalitet si ndihmohet dialogu tani më është qartësuar se nuk ka nevojë të diskutohet për taksën, pasi që dialogu po vazhdon dhe qëndrimet nuk kanë nevojë të diskutohen. Takimi i Parisit është takimi më serioz pasi që është bilateral dhe duhet të përgatitemi edhe ne edhe Serbia që të ndihmojmë veten”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti Thaçi në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë një ditë më parë është shprehur optimist se në takimin në Paris mund të ketë një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.​

Thaçi ka folur për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që sipas tij, mbyll të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

Por, që kur Kosova ka vendosur taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, kjo e fundit është tërhequr nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ketë bisedime pa heqjen e taksës. Derisa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se taksa është në kundërshtim me interesat amerikane.

Thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte treguar për prapaskenat e takimeve në Berlin, dhe për presionin e madh që ia kishin bërë presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të hequr taksën.

Megjithatë këto deklarime, Thaçi po i quan përpjekje për të fituar poena politikë, duke thënë se në Berlin nuk ka pasur kurrfarë presionin për ta heq taksën. 

“Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin, asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ndër të tejra ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar që të hiqet një vendim i tillë, duke potencuar se e ka mbështetur atë edhe kur është propozuar nga Enver Hoxhaj për 10 për qind, dhe nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, prej 100 për qind.

E për ta demantuar Haradinajn, lidhur me ato deklarime, zyra e presidencës dje u ka shpërndarë mediave dy fjalime të Thaçit në Berlin.

Në fjalimin e parë që ka mbajtur Thaçi, ka theksuar se vendosja e taksës ndaj Serbisë, ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe si i tillë do të vazhdojë të qëndrojë.

“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës për prodhimet serbe të vendosur nga Kosova. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut i cili është respektuar që nga viti 2011, që nënkupton se dialogu është i pakushtëzuar.Vendosja e taksës ka qenë një vendim i domosdoshëm dhe legjitim si reagim ndaj shkeljeve të përsëritura e të dokumentuara të CEFTA-s nga ana e Serbisë. Si i tillë, ai mbetet  në fuqi”, shkruhet në fjalimin e parë që zyra e presidencës u ka dërguar mediave në Kosovë.

Ndërkohë në fjalimin e dytë, teksa ka folur për vazhdimin e dialogut, Thaçi ka cekur faktin se ai nuk mund të kushtëzohet nga Serbia me heqje të taksës. 

A i tha “Po” Ministri i Brendshëm Haradinajt për vizat? Ja çka thotë Berlini

“Dialogu i filluar në vitin 2011, përkundër rezultateve të prekshme, tani është i bllokuar nga Serbia, e cila e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e taksës.Kushtëzimi i dialogut nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, sepse dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.Ky ka qenë parimi udhëheqës i pashkruar që nga fillimi i këtij procesi”, citohet të ketë thënë Hashim Thaçi.

Megjithatë kryeministri Haradinaj, ka ndarë detaje nga takimet jo formale që janë zhvilluar në Berlin, duke treguar presionin e madh që i kanë bërë Thaçi e Rama për të hequr vendimin për taksën.

“Në pjesën e parë zyrtare, fjalën e ka pas shumë përmbajtjesore. Ka pas elemente të mira. Kur e ka shpjeguar pozicionin e Kosovës. Në këtë pjesën informale, të heqjes taksës, unë jam ndodh në një pozitë të keqe. Në vend se me i pas naj njo që t’mbron, po i ki krejt që të meshojnë, para miqve, ajo ka qenë e rëndë. Pastaj në pjesën e dytë ka thënë që është keqkuptuar ideja e demarkimit, dhe që nuk është menduar ndarje në vija etnike, gjë tjetër për kufirin s’ka thënë”, ka thënë Haradianj.

Kreu i Qeverisë ka treguar se madje Thaçi e Rama kanë folur edhe në gjuhë të huaja që t’i kuptojnë të gjithë në Berlin, se po e kërkojnë heqjen e taksës. 

Kosovarja lind gjashtënjakë në Zvicër, e pabesueshme ajo që bën shteti

“Edhe dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së fshtiri ish. Edhe presidenti, edhe Edi Rama, më shumë bënin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë insistonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Marconit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe Presidenti Macron”, ka thënë Haradinaj.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se nuk do të lejojë që në Kosovë të formohet një Asociacion i komunave serbe, i cili do të kishte elemente ekzekutive.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Thaçi tha se qëllimi i Serbisë është që në veri të Kosovës, të formohet një Asociacion, i ngjashëm me modelin e Republikës Serbe.

“Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që të zbatojë në praktikë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje në Marrëveshjen e Brukselit të 2013 dhe vendimit të Gjykatës së Kosovës. E ritheksoj edhe njëherë, se nuk do të ketë asnjë lloj asociacioni që mund të ketë ndonjë element ekzekutiv. Qëllimi i qartë i Serbisë me këtë angazhim është që në pjesën veriore të Kosovës të themelohet një Asociacion i komunave serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe. Një gjë e tillë nuk do të lejojmë që të ndodhë”, tha presidenti.

Presidenti Thaçi foli edhe për dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ku theksoi se asnjëra palë nuk duhet ta kushtëzojë këtë proces.

Thaçi: Taksa duhet të mbetet në fuqi

Duke treguar për punimet e Samitit të Berlinit, që u zhvillua të hënën, Thaçi tha se atje ka theksuar se perspektiva evropiane e Kosovës është vetëm “frazë” pasi sipas tij, Bashkimi Evropian nuk ka bërë asgjë konkrete në këtë drejtim.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, Thaçi tha se BE-ja ka “mashtruar” Kosovën.

“Ratifikimi i demarkacionit (me Malin e Zi), ka qenë kriteri i fundit për liberalizimin e vizave. Mirëpo, e kam theksuar edhe në takim se realiteti i sotëm dëshmon se ky kriter, ka qenë vetëm një mashtrim dhe asnjë më tepër, apo një premtim mashtrues”, tha Thaçi.

Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor, të cilët i nënshtrohen regjimit të vizave për të lëvizur në zonën Schengen.

Samiti i djeshëm i Berlinit i pati dy pjesë. Në pjesë e parë liderët e Ballkanit Perëndimor u pritën në selinë e kancelares gjermane, Angela Merkel ku nikoqir ishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kurse pjesa e dy ishte darkë pune.

E darka e punës doli të ishte problematike, sidomos për Kosovën. Aty u përplasen liderët kosovarë, Thaçi dhe Haradinaj me serbin Vuçiq. Njohja e Kosovës dhe dialogu pa kushte ishin pikat që përplasën dy shtetet.

Në ndërkohë, u kërkua nga kryeministri Haradinaj që të heqë taksën në mënyrë që dialogu të vazhdojë. Mirëpo, shefi i ekzekutivit kosovar nuk lëshoi pe as kësaj here.

Burime të mirëinformuara nga brenda darkës i thanë Ballkani.info se pati qëndrime kontraverse rreth taksës edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi.

“Njëri nga dy nikoqirët pas kësaj ia dha fjalën për herë të dytë kryeministrit Haradinaj, duke i premtuar edhe mbështetje për heqjen e vizave”, kanë thënë këto burime.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj u pa i nervozuar mbrëmë derisa largohej nga darka në Berlin.

Kjo u konfirmua edhe sot, pasi që ai tha se ka pasur presion për heqjen e taksës.