Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), të Kosovës e ka përgënjeshtruar lajmin për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga shteti i Ganës.

Mëngjesin e sotëm, kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se sipas tij, Gana bëhet shteti i 16-të që ka tërhequr njohjen e Kosovës.

Mirëpo, këto deklarata të Daçiqit, Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës po i quan gënjeshtra.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë për lajmi.net, se kjo është një lajm i rrejshëm dhe propagandë e vazhdueshme e Daçiqit.

“Është lajm i rrejshëm i radhës . Çdo anëtar i OKB-së mbështet dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Shumica e vendeve anëtare të OKB kanë votuar në vitin 2010 rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB që filloi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është një propagandë e vazhdueshme dhe një fushatë e ndyrë nga Ivica Daçiq që është e kotë të humbësh kohën me të”, ka deklaruar Zyberaj për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se kjo e vërteton faktin që Gana ka një ambasadore të akredituar në Kosovë.

“Gana ka një Ambasadore të akredituar në Kosovë. Gana ka një konsull nderi në Kosovë i cili i përfaqëson ata. Kohën e fundit ministri Pacolli u takua me ministren e Punëve të Jashtme të Ganës në OKB në Nju Jork”, ka theksuar Zyberaj.

Në anën tjetër, mediet serbe kanë publikuar edhe notën verbale të tërheqjes së njohës, në të cilën tregohen edhe arsyet e këtij vendimi. /Lajmi.net/

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është deklaruar nga Gjeneva ku mori pjesë në dialogun strategjik për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Forumi Botëror i Ekonomisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ende nuk ka marrë përgjigje nëse Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2025, nëse zgjidh problemin me Kosovën.

Ai këto deklarata i bëri në Gjenevë, ku mori pjesë në dialogun strategjik për Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Forumi Botëror i Ekonomisë, raportpojnë mediat serbe, transmeton lajmi.net.

“Serbia nuk është aq euro-optimiste si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ne jemi në rrugën evropiane, por presim çasje tjetër. Nuk e lusim askënd, por kërkojmë të ardhme të qartë”, tha Vuçiq.

“Duhet ta dimë dhe për këtë arsye i kam pyetur shumëkënd në BE se nëse zgjidhim problemin me Kosovën, a do të bëhemi anëtar të BE-së deri më 2025. Nuk kam marrë përgjigje të qartë”, shtoi ai.

Deklaratë dha edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili theksoi se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në, por edhe anasjelltas.

“Kush nuk e kupton këtë, nuk i kupton sfidat që vijnë në të ardhmen”, tha Rama. /Lajmi.net/

Qeveria e Kosovës është duke bërë përgatitjet e fundit për t’i kthyer në Kosovë rreth 100 kosovarë të tjerë të cilët gjenden në Siri, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë. Ministri në detyrë, Mustafa, tha se nuk mund të jap shumë detaje, por aktualisht po zhvillohen bisedime me Turqinë rreth kthimit të këtyre personave.

“Në detaje nuk mund të prononcohem. Por, tash jemi shumë të interesuar me shtetin turk, mos ndonjë nga personat (kosovarët) që kanë qenë nëpër kampe ka kaluar në pjesën turke”, tha Mustafa.

“Përafërsisht dihet numri, por nuk është numër i madh tash, sepse 110 i kemi sjellë në Kosovë. Aty diku sillet edhe numri i personave të tjerë (që pritet të kthehen)”, thotë Mustafa.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet kthyen në Kosovë 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë që ishin pjesë e organizatave terroriste në Siri, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Ministri Mustafa tha se institucionet kanë informacione për personat që gjendën në Siri dhe që pritet të kthehen në Kosovë. Sipas tij, në këtë grup ka më shumë luftëtarë për dallim prej operacionit të parë të realizuar në muajin prill, përmes së cilit në Kosovë ishin kthyer vetëm katër luftëtarë.

“Në kontingjentin e dytë ka më shumë persona që kanë marrë pjesë në luftë, por megjithatë më shumë ka fëmijë dhe gra”, tha Mustafa.

Kthimi i 110 kosovarëve në muajin prill ishte bërë përmes ndihmës së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në partneritet me SHBA-në, autoritetet e Kosovës po e planifikojnë edhe operacionin e ri, mirëpo për afatet kohore dhe mënyrën e zhvillimit të operacionit, ministri Mustafa refuzoi të tregojë apo jep më shumë informata.

“Sikurse që ka qenë i kaluari. Do të thotë ne e marrim përgjegjësinë e integrimit, transferimit, të mbajtjes 72 orësh, transferimit nëpër vendbanimet e tyre. Nëse ka persona që nuk kanë vendqëndrim të përhershëm, për shembull nëpër familjarë ose diku, ju organizojmë edhe vendbanim të përhershëm. Është një fond i posaçëm që është i destinuar vetëm për këtë problematikë”, thotë Mustafa.

Njohësit e fushës së sigurisë në Kosovë, thonë se është i domosdoshëm verifikimi i rrezikshmërisë për çdo person që mund të kthehet nga Siria në Kosovë, sidomos atyre që dyshohet se kanë qenë pjesë e grupeve terroriste.

Shpat Bala nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se integrimi i personave të kthyer është sfidë e madhe për Kosovën, pasi ende nuk dihet nëse ka sukses riintegrimi i grupit të parë prej 110 kosovarëve që u kthyen nga Siria në muajin prill të këtij viti.

“Mendoj se duhet të ndodh siç ka ndodhur me procesin e parë, ku veçse e kanë bërë njëfarë vlerësimi për gratë të cilat janë kthyer dhe ende janë duke vazhduar hetimet. Pra, unë mendoj që duhet pasur pak a shumë të njëjtën qasje që para se të vijnë këta persona në Kosovë, duhet të vlerësohet rrezikshmëria e tyre dhe duhet që rrjedhimisht të zbatohet ligji që shumica prej tyre i bjen se duhet të vuajnë dënimet për veprat që lidhen me terrorizimin dhe pjesëmarrjen në luftërat e huaja”, tha Bala.

Suksesi i procesit të riintegrimit të të kthyerve nga Siria, sipas Shpat Balës nga QKSS, varet edhe nga faktorë të tjerë, siç janë, gatishmëria e shoqërisë që t’i pranojë këta persona në komunitetin e tyre e po ashtu edhe nga fakti se sa institucionet do të krijojnë mundësi të kontrollit e më pastaj edhe sistemimit të tyre në tregun e punës.

Puna më e vështirë për institucionet, sipas Balës, do të jetë me luftëtarët e huaj që mund të kthehen në Kosovë, marrë parasysh se disa të tillë që janë aktualisht në burgje duke vuajtur dënimet, kanë refuzuar programet e riintegrimit.

“Disa nga aktivitetet që janë ndërmarrë brenda burgjeve veçse janë refuzuar nga të burgosurit, siç është ligjërimi i imamëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Për këtë arsye mendoj se duhet që institucionet të jenë më të koncentruara në Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që t’i ofrojnë mekanizmat e nevojshëm që të jetë i mundur riintegrimi i këtyre personave”, tha Bala.

Nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2012, drejt Sirisë dhe Irakut udhëtuan rreth 400 kosovarë duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Më shumë se 70 kosovarë u vranë duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS).

Personat që arritën që të kthehen në Kosovë u përballën me procese gjyqësore, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gratë që u kthyen në muajin prill nga autoritetet kosovare./REL

Kosova do të zhvillojë dy ndeshjet tejet më rëndësi në muajin nëntor.

Fillimisht me 14 nëntor Kosova do të udhëtoj në Çeki për të zhvilluar ndeshjen me kombëtaren çeke ndërsa 3 ditë më vonë, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do ta presë kombëtaren angleze.

Arianit Ahmeti, zëvendës sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës së Futbollit për KosovaPress ka pohuar se me datën 12 nëntor do të dalin në shitje biletat për ndeshjen kundër “Tre Luanëve”.

“Biletat për ndeshjen kundër Anglisë do të dalin me datë 12 nëntor. 5 % e stadiumit, saktësisht 750 bileta do të jenë për mysafirët, aq edhe sa ju takon në bazë të rregullave”, tha Ahmeti për KosovaPress.

Kujtojmë që ndeshja mes Kosovës dhe Anglisë zhvillohet me 17 nëntor me fillim nga ora 18:00, transmeton Spektri.

Kombëtarja e Republikës së Çekisë ka publikuar listën e futbollistëve për ndeshjen me Kosovën, e cila do të luhet më 14 nëntor në stadiumin “Doos Arena” në Pragë.

Kjo ndeshje do të jetë vendimtare për të dyja palët.

Ylli i Çekisë Patrik Schik, do të mungojë në këtë ndeshje të rëndësishme për shkak se klubi i tij Leipzig nuk dëshironte të rrezikonte që atij t’i përkeqësohej lëndimi.

Në rast të fitores çekët do ta siguronin kualifikimin për “EURO 2020”, ndërsa “Dardanët” këtë duhet ta kërkojnë si fitues Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

Në rast të fitorës ndaj Çekisë atëherë skuadrës së udhëhequr nga Bernard Challandes, i duhet të paktën një pikë në ndeshjen e radhës ndaj Anglisë më 17 nëntor, edhe nëse Çekia fiton ndaj Bullgarisë, shkruan Klan Kosova.

Një humbje eventuale e Çekisë e dërgon Kosovën automatikisht në evropian.

Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

Dardanët momentalisht gjenden në vendin e tretë në Grupin A, me vetëm një pikë më pak se Çekia.

Nga grupi dy vendet e para vazhdojnë rrugën për një Kampionatin Evropian, transmeton Spektri.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të reagojë pas presioneve nga i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohet sot me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin perëndimor, Matthew Palmer, kurse tema kryesore e diskutimit do të jetë Kosova.

Por, “Alo” shkruan se Vuçiq nuk do t’i pranojë kushtet e Palmerit dhe do t’ia përcjell porosinë se është e pamundur që Serbia t’i humbasë të gjitha e Kosova të fitojë gjithçka.

Nga presidenca serbe për “Alo” kanë bërë të ditura tetë pyetjet e Vuçiqit për Palmerin, gjatë takimit të tyre sot në Beograd.

Pse Matthew Palmer flet për njohjen e shtetit të rremë të Kosovës për hyrjen e Serbisë në BE? Si është e mundur që ai mund ta thotë këtë kur nuk është zyrtar i BE-së? A do të thotë kjo se SHBA-ja ka kontrollin e plotë mbi BE-në? Nëse vërtet njohja e Kosovës është kusht për hyrjen e Serbisë në BE, pse nuk e thotë këtë dikush nga Brukseli?

Pse SHBA-ja kërkon që Beogradi ta ndalojë fushatën për tërheqje të njohjeve të shtetit të rremë të Kosovës? Kur ishte zotuar Serbia se nuk do të lobojë për tërheqje të njohjeve? Në marrëveshjen e Brukselit nuk thuhet asnjë fjalë rreth kësaj.

Pse Matthew Palmer në asnjë deklaratë të tij në Prishtinë nuk e ka përmendur Asociacionin e Komunave serbe, formimi i së cilave është i garantuar me marrëveshjen e Brukselit? Si është e mundur që shqiptarët në Prishtinë nuk përgjigjen për mospërmbushjen e obligimeve e përgjegjësive ndërkombëtare?

Pse Palmer nga përfaqësuesit e Listës Serbe kërkon që të tërhiqen nga Beogradi dhe të gjejnë hapësirë për veprim në Kosovën e pavarur? Si është e mundur që opsioni politik që ka fituar bindshëm në Kosovë të kërcënohet në një mënyrë kaq të hapur?

Pse Matthew Palmer në mënyrë të fshehtë është takuar me Nenad Rashiqin dhe Slobodan Petroviçin në Prishtinë? Pse fotografinë nga ai takim e kishte publikuar vetëm pasi mediat e kishin zbuluar takimin e fshehtë? Si është e mundur që Palmer mbështet përfshirjen e Rashiqit dhe Petroviqit në bisedime rreth Kosovës kur ata persona në zgjedhje nuk kanë marrë kurrfarë mbështetje nga serbët?

Pse Palmer kërcënon Serbinë me sanksione për sistemin raketor S-400, duke qenë i vetëdijshëm se shteti ynë nuk e ka realizuar? Si është e mundur që Serbia të kërcënohet për planin e blerjes së sistemit mbrojtës PVO e njëkohësisht në Kroaci, Maqedoni, Bullgari dhe Shqipëri, me donacione nga SHBA-të bëhet furnizimi i armëve sulmuese?

Pse Matthew Palmer kritikon investimet e Kinës në Serbi, pse i pengojnë kinezët kanë marrë “Zelezarën” në Smederevë? Pse harron se atë “Zelezarë”, amerikanët e kanë braktisur menjëherë pasi nuk kishin shënuar fitime të mëdha?

Pse Palmer ka premtuar ndihmë për shoqatat e “viktimat shqiptare” në Prishtinë në kërkimin e dëmeve të luftës nga Serbia?/lajmi.net

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas publikimit të certifikatës së saj të lindjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nga ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në organizatën më të madhe botërore e ka cilësuar këtë si një akt të ulët të autoriteteve serbe që dëshmon se Serbia e ka vjedhur dokumentacionin e Kosovës.

“Serbia vodhi regjistrin civil, regjistrimet kadastrale, artefaktet etj. Ata nuk kanë turp dhe nuk e fshehin atë”, ka shkruar Çitaku në profilin e saj në Facebook.

Për disa arsye të pafalshme, kolegët tanë serbë menduan se ishte një ide e mirë për ta gjetur një kopje të “certifikatës së lindjes” time dhe ta prezantojmë atë përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka thënë Vlora Çitaku duke theksuar me ironi se e vlerëson interesin e serbëve për figurat politike të Kosovës. /Express

Autoritet serbe po vazhdojnë betejën e ashpër diplomatike kundrejt Kosovës, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe të shteteve të QUINT-it për ta ndaluar atë. Edhe pse Serbia është zotuar se nuk do ta ndalë ofensivën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë ndaj Kosovës, zyrtarë të këtij shteti po kërkojnë me ngulm nga Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve serbe. Sipas analistëve, në Kosovë po heshtet ndaj agresivitetit diplomatik serb edhe për shkak të procesit transitor të ndërrimit të qeverive, shkruan gazeta “Zëri”.

Fushata e egër diplomatike nga ana e Serbisë, e cila po lobon në botë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe po pamundëson anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, nuk ka të ndaluar, ndonëse bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht SHBA-ja dhe shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Serbisë që të ndalojë këtë betejë ndaj Kosovës. Autoritetet serbe, të cilat po i injorojnë këto kërkesa, janë zotuar se assesi nuk do të ndalen, madje kanë paralajmëruar se do ta ashpërsojnë këtë fushatë.

Të paktën kështu deklaroi shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq në një takim të mbajtur gjatë kësaj jave me ambasadorin e sapoemëruar amerikan në Beograd Anthony Godfreyn, duke pohuar se nga SHBA-ja u është kërkuar ndalja e fushatës.

“Ne kemi biseduar pak edhe për Kosovën dhe natyrisht ata janë gjithmonë të interesuar nëse ne do të vazhdojmë të punojmë për tërheqjen e njohjeve. Nuk vjen në shprehje që ne ta ndalim fushatën dhe ata të udhëheqin kampanja për njohje, duke përfshirë edhe shtetet e QUINT-it, por biseda jonë ka qenë shumë korrekte”, ka thënë Daçiqi pas këtij takimi. Në anën tjetër, Kosova si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe pati vendosur në nëntorin e vitit të kaluar taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake. E pikërisht kjo taksë po shfrytëzohet nga ana e shtetit serb për ta bllokuar dialogun me Kosovën.

Ambasada Britanike përmes partnerëve të saj implementues “Axiom International” dhe “Agencia limited”, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK) kanë lansuar projektit “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori Britanik në Kosovë, Nicholas Abott, tha se Britania ka besim të madh në vlerat e Kosovës,  sidomos në përforcimin e sundimit të ligjit.

Abott u shpreh se progresi në sistemin e drejtësisë vjen duke i zbatuar 3 elemente thelbësore, si; rekrutimet, emërimet e stafit udhëheqës dhe gjykatave dhe vlerësimet e performancës.

“Shteti im ka interes që ta mbështes Kosovën në këtë rrugëtim kjo do mundësonte që pas 20 vitesh investitorët tanë mos të hezitojnë dhe të vijnë të investojnë në Kosovë dhe kjo ka një interes reciprok për të arritur tek një gjyqësor transparent janë e elemente thelbësore; rekrutimet, emërimet e stafit udhëheqës dhe gjykatave dhe vlerësimet e performancës. Ky projekt ka për qëllim që të mbështes Këshillin Gjyqësor të Kosovës pikërisht në këto 3 procese”.

“Kjo si rrjedhojë do të mundësonte efikasitet në zgjidhjen e lëndëve po ashtu edhe emërimet e drejta. Vlerësimi i performancës është mekanizmi i duhur që do të duhej përdorur për ta vlerësuar punën e mirë. Në fund është sistemi dhe qytetarët që e pësojnë më së shumti”.

“Mekanizmat e krijuar duhet të përdoren që ky sistem të përmirësohet. Puna e gjyqtarit mban peshën e një përgjegjësie të lartë. Kosovën e pret një rrugëtim jo i lehtë më këtë rrugëtim ne presim shumë pasi kemi besim në aftësitë dhe vlerat e këtij vendi”.

Ndërsa kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Skënder Çoçaj, tha se bashkëpunimi si dhe ndihma e Britanisë është e nevojshme ani pse sipas tij, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shënuar progres kohëve të fundit.

“Kam nderin që të nënshkruaj këtë memorandum bashkëpunimi për forcimin e sundimit ligjor në Kosovë. Sundimi i qëndrueshëm ligjor paraqesin kushtet kryesore për një zhvillim ekonomik dhe përbën faktorin më të rëndësishëm për integrim. Sistemi i drejtësisë ka shënuar progres kohëve të fundit. Në rrjedhën e këtyre proceseve jemi në proces të ndërmarrjeve të reformave, si funksionalizmin e departamentin special, performancën e gjyqtarëve etj. Një prej objektivave të KGjK-së është përmirësimi i ndjeshëm i rekrutimit”.

“Ky projekt ka mundësuar një mundësi të mirë trajnimi për gjyqtarët tanë në Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë drejtim KGjK do të ofrojë ndihmën dhe bashkëpunimin e parezervë për këtë projekt. Mbetem me shpresë që ky do jetë vetëm fillim i bashkëpunimit tonë dhe rezultatet e këtij memorandumi do jetë çelës për bashkëpunime tjera në të ardhmen”.

Menaxheri i projektit, Steve Pitts, tha se të gjithë ata të cilët ndikojnë negativisht në sistemin e drejtësisë, duhet të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës, raporton EO.

“Ky projekt ka filluar në shtatorin e kaluar. Gjatë 4 muajve të parë të projektit tonë ne kemi mbledhur një mori informacionesh. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë bënin një punë të mirë por ajo që ishte e përbashkët ishte që shihej që dikush duhet të bënte diçka për këtë. Në këtë lloj sistemi është e vështirë që ti mbajmë personat llogaridhënës”.

“Thelbi i qasjes sonë është që përgjegjësinë dhe pronësinë për sukses t’ia bartim institucionit përfitues. Ne besojmë që përmes punës së përbashkët do të bëjmë ndryshimin që do jetë afatgjatë. Duhet që më mënyrë efektive ti mbajmë personat përgjegjës dhe ta mbajmë kontrollin”.

Në fund u nënshkrua edhe projekti “Forcimi i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë”, nga ambasadori britanik, Nicholas Abott dhe kryesuesi i KGjK-së, Skënder Çoçaj. /ekonomia online

Ish-presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu është shprehur se bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës është i domosdoshëm.

Por theksoi se Shqipëria duhet të ketë kujdes në raport me Kosovën dhe në raport me të tjerët për Kosovën.

Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora, Sejdiu tha se Shqipëria nuk duhet të flasë asnjëherë në emër të Kosovës.

“Është i natyrshëm dhe i domosdoshëm bashkëpunimi mes dy vendeve si një realitet praktik që kemi para vetes. Zgjidhja ideale është që të jemi të gjithë se bashku por zgjidhja racionale e kohës, për momentin është kjo zgjidhje që është bërë me Kosovën e pavarur dhe stabilitetin përgjithshëm që duhet të gjejnë shqiptarët në Maqedoni apo  në shtete të tjera. Kualiteti në marrëveshje duhet të shtohet.

Çështja e dytë që është shumë esenciale është kujdesi që duhet të ketë Shqipëria në raport me Kosovën dhe në raport me të tjerët për Kosovën. Janë veprime që duhet të bëhen me kujdes. Shqipëria duhet të jetë mbështetëse e vazhdueshme dhe Kosova gjithashtu e Shqipërisë por asnjëherë nuk duhet të flasë në emër të Kosovës.

Sepse kemi pasur një kureshtje të vazhdueshme, një investim të Serbisë që partnere për bisedimet për problemin e Kosovës të jetë Shqipëria, jo se shqiptarët do të gabonim apo udhëheqja shqiptare por formula kryesore ka qenë abstraktimi total i prezencës së Kosovës si një faktor që duhet të vendosë për veten e saj. Kjo nënkupton se diaspora është e Shqipërisë, se Kosova është me njerëz që kanë ardhur nga një emigrimi madh ose është zbrazur Shqipëria dhe s’ka mbetur njeri në Shqipëri dhe kanë ardhur në Kosovë”, ka theksuar ndër të tjera Sejdiu. /Telegrafi