Amabasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, i ka dalë në krah kolegut të tij nga Zvicra, Jean-Hubert Lebet, pas kritikave të shumta të drejtuara ndaj këtij të fundit pas fjalimit të mbajtur në Skenderaj, ku kritikoi qeverisjen në Kosovë, duke thënë se “Zvicra po ndërton ujësjellës në Kosovë, ndërsa ju po i paguani veteranët e rrejshëm”.

O’Conell mendon se ambasadori zviceran e ka thënë atë që tashmë të gjithë e mendojnë.

Sipas britanikut, tashmë ka ardhur koha që populli i Kosovës ta do vendin dhe të veprojë kundër krimit dhe korrupsioni.

“Ambasadori Zviceran e tha atë që ne të gjithë e mendojmë. Është koha që populli i cili e do Kosovën të veprojë kundër krimit dhe korrupsionit. Është një sfidë e vështirë dhe jo vetëm për Kosovën. Por ata që veprojnë, do ta kenë përkrahjen tonë”, ka shkruan O’Conell.

Mbrëmë kundër deklaratave të ambasadorit zviceran në Pressing të T7 ka dalë edhe ministri i Ramush Haradinajt, Pal Lekaj, duke thënë se nëse do të kishte kompetenca do ta dëbonte ambasadorin zviceran nga Kosova.

Sipas tij, është e papranueshme që të hapet një temë e tillë para familjarëve të dëshmorëve në Skenderaj. 

Parlamenti Evropian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.

Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshprimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.

Fajon e ka përmendur sërish se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga blloku evropian. Përveç kësaj ajo ka thënë se: “…nëse ju sot thoni se Kosova nuk ka përmbushur obligimet ju thjesht jeni duke gënjyer, jeni duke u treguar të papërgjegjshëm”.

Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Ish presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, e ka ripërsëritur deklaratën e tij, se Kosova është krahinë e Shqipërisë.
“Kam thënë atë që ka qenë, atë që është, kam thënë realitetin. E kam thënë në Prishtinë në një aktivitet dhe kam thënë: siç është Myzeqeja siç është Labëria ashtu është dhe Kosova. Sepse kështu është. Flas për Shqipërinë që ka qenë si një territor i banuar nga shqiptarët. Seç ndodhi më vonë, me zhvillimet historike dhe këtu Evropa na ka një borxh të madh, duke nisur që nga Kongresi Berlinit…”, ka thënë Moisiu, pasi gazetari ia ka kujtuar deklaratën që kishte ngjallur reagime.

Më tej Moisiu ka sqaruar se pse Evropa u ka borxh shqiptarëve.

“Na ka borxh. Më 1913 ministri i jashtëm i Anglisë në kongresin e ambasadorëve, kur u mbyll kjo punë, pasi raportoi në dhomën e komuneve tha: ‘zotërinj ne bëmë një gjë të mirë. Vërtet mund të na kritikojnë. Shqipërisë i kemi hyrë në hak, por rëndësi ka jo ajo çfarë i bëmë Shqipërisë, por ajo që ne arritëm të evitojmë përplasjen mes aleatëve të mëdhenj të Europës’”, tha Moisiu, për TVSH.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në shënim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, në maj të vitit 2011, kishte vizituar komunën e Skënderajt dhe kishte bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë dhe me këtë rast kishte thënë se Kosova është krahinë e Shqipërisë.

“Kështu ka qenë, nuk është se po e shpik unë. Ky është një realitet. Nuk duhet të kemi frikë dhe nuk duhet të druhemi që ta themi, sepse kjo është një e vërtetë historike”, kishte thënë ai./Telegrafi/

Kosova edhe një herë ka aplikuar për t’u bërë pjesë e organizatës së sigurisë, Interpol.

Zëvendësministri i Brendshëm, Izmi Zeka ka thënë për klankosova.tv se me 31 janar është dorëzuar aplikacioni dhe se përveç kësaj ju është konfirmuar edhe hyrja në agjendë.

“Kërkesa jonë është pranuar dhe është konfirmuar se do të futet në agjendë”, është shprehur Zeka.

Ai ka thënë se janë duke krijuar një strategji që kësaj here mos të dështohet sikur vitin e kaluar.

“Kemi marrë mësim nga hera e kaluar. Do të komunikojmë më vendet që kanë abstenuar ose kanë votuar kundër. Do të vazhdojmë të punojmë” ka shtuar ai.

Asambleja e Interpol sivjet do të mbahet në Santiago të Kilit në muajin tetor.

Ofensiva diplomatike e Washingtonit në Prishtinë, ku në javët e fundit vetëm po ndërrohen emisarët amerikanë  me mesazhe të ashpra drejtuar udhëheqësve të Kosovës, me sa duket ka për qëllim që SHBA-ja të zëvendësojë Brukselin pasiv në rolin ndërmjetësues sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Kësisoj shkruan e përditshmja serbe “Novosti”duke iu referuar burimeve të saj të cilat “kanë vlerësuar  rritjen e përfshirjes së zyrtarëve amerikanë “në terren” dhe emërimin e Philip Reeker, si Ndihmëssekretar të Shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike”.

“Reeker  një diplomat me përvojë që e di  situatën në Ballkan dhe është konsideruar si një “njeri i cili përfundon punët”, i bëri thirrje Prishtinës të heqë taksën për mallrat serbe, ndërsa nga Beogradi që të ndal  lobimin për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës dhe për të parandaluar pranimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, shkruan kjo gazetë, transmeton  Klan Kosova.

“Novosti” në shkrim përmend edhe vizitat e tjera të zyrtarëve të lartë amerikanë që do t’i bëjnë Kosovës.

Në mesin e tyre është edhe ajo e zëvendëssekretarit amerikan i Shtetit, David Hale, i cili do të qëndrojë më 8 dhe 9 mars në Beograd dhe në Prishtinë për të nxitur te dyja palët që të ulen në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, transmeton Klan Kosova.

Në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, thuhet se “në Beograd ai do të bisedojë me zyrtarët serbë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të nxis kthimin në tryezën e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai do të diskutoje edhe me drejtuesit e shoqërisë civile për çështje rajonale e globale, përfshirë ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimorë”.

Më pas më 9 mars në Prishtinë, ai do të takojë udhëheqësit e lartë të Kosovës “për të nënvizuar mundësinë historike për të arritur një marrëveshje të plotë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe për të kërkuar masa për të arritur një zgjidhje”.

Pas tij, në Kosovë vijnë edhe dy këshilltarët kryesorë për politikë të jashtme, të kancelares gjermane Angela Merkel, Matthias Luettenberg dhe Jan Hecker.

Përndryshe, Prishtinën së fundmi e kanë vizituar edhe zyrtarë të Këshillit për Siguri Kombëtare të Amerikës, John Erat dhe Brad Berkeley, të cilin krerët shqiptarë edhe njëherë të japë një mesazh se Washingtoni pret heqjen e menjëhershme të taksës, transmeton Klan Kosova.

Sipas informacioneve jozyrtare të gazetës beogradase, “SHBA dëshiron që një marrëveshje në mes të Beogradit dhe Prishtinës të arrihet këtë vit. Duke pasur parasysh se BE është kapluar nga problemet e brendshme dhe  është afër zgjedhjeve, është e qartë se Brukseli nuk ka fuqi për të luajtur një rol kyç në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”.

“Nëse presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e zgjidh çështjen e Kosovës, unë nuk e di se çfarë është perspektiva jonë, sepse me këtë ‘shkëmb në shpinë’, ne nuk mund të ecim përpara”.

Kështu, siç shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi, ka thënë ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zlatibor Lonçar.

“Nuk jam ekspert për këtë, por perspektiva nuk është e qartë për ne. Është si një lak rreth qafës. Prandaj, kjo çështje duhet të zgjidhet”, citohet të ketë thënë ai.

Lonçar ka thënë se gjëja më e rëndësishme është të investojë në paqe, sepse sipas tij, pa paqe gjithçka që bëhet për të përmirësuar ekonominë dhe standardet e qytetarëve nuk do të ketë efekt.

Ndërkohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se nuk e përjashton mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, por ka potencuar se Beogradi duhet të fitojë diçka si kundërshpërblim.

“Para së gjithash ekziston mundësia për kompromis. Nuk mund ta njohim Kosovën, e të mos fitojmë diçka nga pala tjetër”, ka thënë Vuçiq, në një intervistë për agjencinë italiane ANSA.

Siç transmetojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se çështja e ndryshimit të kufijve është një temë kontravrese, pasi që nuk i njohin të gjithë kufijtë e njëjtë, varësisht nga ajo nëse e kanë njohur Kosovën ose jo.

Ai ka mohuar se ka pasur ndonjëherë takime sekrete me presidentin Thaçi, siç pohojnë disa media, dhe i ka përshkruar si “rrenë e kulluar” pretendimet e ekzistimit të një drafti të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithsesi, Vuçiq ka përsëritur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të vazhdojë derisa Qeveria e Kosovës nuk e tërheq taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka lënë të kuptohet se Serbia mund ta ketë vullnetin që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Por, ai ka thënë se si kthim duhet të kërkojë diçka nga ish krahina e saj, si pjesë e një marrëveshje të gjerë.

“Ne duhet të gjejmë kompromis, nuk mund ta njohim Kosovën pa marrë diçka në anën tjetër”, ka thënë Vuçiq për agjencinë italiane të lajmeve, Ansa, transmeton Klan Kosova.

“Jam i sigurt se me ndihëm e miqve evropianë dhe përkrahjen e Rusisë, Amerikës, Kinës dhe vende të tjera, ne mund të gjejmë zgjidhjen”.

“Liderët kosovarë çdo ditë zhgënjejnë qytetarët e vetë me premtime joreale ku thonë se Prishtina do të marrë gjithçka dhe Beogradi asgjë, por detyrë imja është që t’ua shpjegoj serbëve rëndësinë e kompromisit me Prishtinën e cila nuk është humbje por fitore, fitore për të ardhmen e Serbisë”, është shprehur Vuçiq.

Vuçiq ka thënë në këtë intervistë se kurrë nuk ka mbajtur takime sekrete me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Shqipëria të vijojë reformat, opozita të miratojë Kodin Zgjedhor thotë për DW, ministri gjerman i shtetit, Michael Roth, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.*)

Deutshe Welle: Shqipëria pret që në qershor (së bashku me Maqedoninë) të marrë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Sa realiste është kjo?

Michael Roth: Një gjë është e qartë: Çdo vend kandidat matet me arritjet e veta. Këshilli i BE-së vendosi në qershor 2018 se me çfarë do të maten përparimet e Shqipërisë. Këtu kanë rëndësi qendrore reformat në administratën publike, gjyqësor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të drejtat e njeriut. Shqipëria duhet të vazhdojë të ndjekë reformat e saj, në mënyrë që shtetet anëtare të BE-së – të cilat duhet ta marrin këtë vendim njëzëri – të jenë të bindur se përparimi i saj është i mjaftueshëm për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Qeverisë federale për një “po” i nevojitet drita jeshile nga Bundestagu.

Në verën e vitit të kaluar, në një intervistë me DW, jeni shprehur pozitivisht për procesin e vettingut. A jeni i kënaqur me ecurinë e deritanishme të tij?

Procesi i verifikimit të gjyqtarëve – i ashtuquajturi vetting – i cili ka filluar vitin e kaluar,  është duke ecur mirë. Deri më tani janë shqyrtuar ose janë tërhequr nga procesi paraprakisht gati 100 gjyqtarë dhe prokurorë. Rreth gjysmës së tyre iu desh të largohej nga gjyqësori kryesisht sepse nuk mund të shpjegonte me besueshmëri origjinën e pasurisë. Përveç kësaj, për plotësimin e vendeve vakante është ngritur një institucion i ri i pavarur dhe  Shkolla e Magjistraturës po e përmirëson cilësinë e kualifikimit të tyre. Megjithë vështirësitë e mëdha që ka, kjo reformë gjyqësore është shembullore.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit që publikon çdo vit Transparency International Shqipëria ishte keqësuar. A do të ndikojë negativisht ky fakt në vendimin e Këshillit të BE-së për fillimin e negociatave?

Këtë e shoh me shqetësim. Lufta kundër korrupsionit duhet të vijojë me vendosmëri dhe është një prioritet kyç për hapjen e negociatave me BE-në.

Gazetarët e rrjetit investigativ, BIRN, kanë publikuar së fundmi në bashkëpunim me “Zërin e Amerikës” protokolle përgjimesh ku flitet për blerje votash me ndihmën e krimit të organizuar, ndër të tjerash, në Durrës. A ndikojnë këto protokolle mbi imazhin e Shqipërisë në BE? Dhe nëse po, çfarë mund të bëjë Shqipëria deri në qershor për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar?

Zbatimi i reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR-it është i rëndësishëm për të forcuar sistemin zgjedhor e bashkë me të edhe demokracinë në Shqipëri.  Ne e kemi  mbështetur intensivisht përgatitjen e propozimeve konkrete për reformën zgjedhore – prandaj presim që kjo reformë të miratohet në Kuvend dhe të zbatohet me shpejtësi.  Këtu pritet që të luajë një rol të veçantë edhe opozita, e sidomos Partia Demokratike, pasi qeveria nuk e ka shumicën e mjaftueshme të votave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Natyrisht, shkeljet e të drejtës së votës, të cilat qysh tani janë të dënueshme, duhet të ndiqen penalisht dhe të ndëshkohen. Zgjedhjet e lira, të barabarta dhe të fshehta janë themeli i çdo demokracie të vërtetë.

Opozita ka paralajmëruar për mesin e shkurtit protesta dhe po bën thirrjen për rrëzimin e qeverisë aktuale. Cili do të ishte apeli juaj për të dyja palët?

Sigurisht që dëshiroj që protestat e paralajmëruara të jenë paqësore dhe të mos kthehen në dhunë. Demonstratat paqësore janë legjitime dhe liria e tubimit është një shtyllë e rëndësishme e kulturës së politikës demokratike. Si student edhe unë kam marrë pjesë në demonstrata. Por vendi qendror i debatit politik midis qeverisë dhe opozitës është parlamenti shqiptar dhe jo rruga. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje opozitës: Shqipëria ende ka detyra të mëdha përpara, të cilat kërkojnë një bashkëpunim të të gjitha forcave politike.

Opinioni shqiptar aktualisht është disi i shqetësuar në lidhje me përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktin midis Kosovës dhe Serbisë. Ish-ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka qenë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Kryeministri dhe de jure ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edi Rama, i shmanget përgjigjes së kësaj pyetjeje në publik, por shumëkush mendon se ai është pajtuar tashmë me këtë plan. Si e shikoni ju ndihmesën e Shqipërisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura. Nga Shqipëria  ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve.

Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, por SHBA dhe Komisioni i BE-së nuk janë kundër.  Aktualisht ekziston një shtytje e madhe nga ana e SHBA-së për të arritur një marrëveshje edhe para zgjedhjeve për Parlamentin e Evropës. Si do të ndikonte kjo marrëveshje në procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE?

Është e vërtetë se ka qëndrime të ndryshme në lidhje me ndryshimet kufitare. Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme.

*) Kryetari i kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi (PS), dhe deputeti i partisë socialiste Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Gjermani, patën të martën (05.02.2019) një vizitë të shkurtër në Berlin, ku u takuan me kryetarin e Bundestagut, Wolfgang Schäuble (CDU) dhe ministrin parlamentar të shtetit pranë ministrisë gjermane për punë të jashtme, Michael Roth (SPD). /DW/