Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka dërguar edhe një letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ku ka theksuar se është në pritje të përgjigjes së tij, siç kishte premtuar në takimin e tyre konsultativ, por se ende nuk e ka pranuar propozimin e tij.

Pas funksionalizimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Thaçi i ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë e presin funksionalizimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presin nga ai si President të dekretoj kandidatin/en e propozuar për Kryeministër.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, thuhet në letrën që Thaçi i ka shkruar Kurtit.

Presidenti në këtë letër ka theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

Në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të mandatit, Thaçi ka kërkuar nga Kurti që ta njoftojë për një gjë të tillë në mënyrë që t’i ndërmarr të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Elitat politike në Kosovë deri tash “kanë rrëmbyer resurset që u takonin popullit”, ka thënë publicisti Veton Surroi gjatë një interviste për gazetën gjermane Tagezeitung. Këtë, ka shtuar ai, pushteti i Albin Kurtit do të duhej ta ndryshojë.

Negociatat me Beogradin janë prioritet për Prishtinën, meqë “në mes të Serbisë dhe Kosovës as përafërsisht nuk sundon paqja. Lufta nuk ka përfunduar”, ka vlerësuar publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi në intervistën për berlinezën Tagezeitung. Ai shprehet i bindur se Albin Kurti, kur të bëhet kryeministër, do të përmbushë premtimin dhe fillimisht të analizojë se çka është zbatuar nga marrëveshjet e deritashme në dialogun me Beogradin.

Surroi ka shtuar se një nga pengesat për zhvillimin e Kosovës është edhe “Serbia me politikën proruse, armatimin dhe ndërhyrjet në zhvillimet në Kosovë”

“Këtë e kanë dëshmuar edhe zgjedhjet e fundit në tetor: Beogradi ndërhyri drejtpërdrejti në rrjedhën e zgjedhjeve në veri të Kosovës”, konsideron ky publicist.

Surroi ndërkaq ka thënë se komuniteti serb në Kosovë e kupton se Kurti nuk është njeri i korruptuar.

“Ai e flet sinqerisht atë që e ndien dhe e mendon. Kjo mënyrë e komunikimit është plotësisht e re në Kosovë”.

Pyetjes së gazetares se si është puna “me fantazitë shqiptaromëdha” që vazhdojnë të jenë të gjalla në Vetëvendosje, partinë që e drejton Kurti, Veton Surroi iu përgjigj: “Njëmend më herët flitnin për këtë. Por mendoj se tani fokusi i qeverisë do të jetë që Kosova të kthehet në shtet normal”

Surroi, themelues i mediumit më me ndikim të Prishtinës, Koha Ditore, ka thënë se qytetarët kanë pritshmëri të mëdha nga qeveria që pritet ta formojnë Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Do të ishte qeveria e parë e Kosovës pa partitë e ish-komandantëve të UÇK-së.

“Tani shtetin e kontrollojnë grupe të ndryshme që shpesh janë në lidhje me krimin e organizuar. Qeveria e re duhet që nga Kosova të krijojë një demokraci parlamentare funksionale”, është shprehur Surroi.

“Elitat politike deri tash kanë rrëmbyer resurset që i përkasin popullit. Ua kanë vjedhur qytetarëve perspektivën në këtë vend”, ka vlerësuar Veton Surroi, transmeton Koha.net

Siç kishin paralajmëruar edhe pas takimit të mbrëmshëm tre orësh, krerët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të takohen edhe sot në përpjekjen e radhës për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje.

Sipas burimeve të Gazetës Express, takimi pritet të mbahet në objektin e Kuvendit të Kosovës në orën 15:30.

Ky do të jetë takimi i tretë radhazi në mes të dy partive pas zhvillimeve të seancës së 26 dhjetorit ku u zgjodh Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit të mbrëmshëm nga dy partitë kanë dhënë sinjale se ka lëvizje pozitive drejt arritjes së marrëveshjes, ndërkohë takimi i sotëm po shihet edhe si vendimtar, ku palët mund të afrojnë edhe më shumë qëndrimet e të shkojnë drejt arritjes së një marrëveshje finale.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV ka dalë e para e pasuar nga LDK, ndërkohë për më shumë se tre muaj dy partitë kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion, edhe përkundër faktit se ishin pajtuar për programin qeverisës./Express/

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje ka një këshillë për kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai ka thënë se është mirë që sa më shpejt të bëhet koalicioni në mes LVV-së e LDK-së.

Madje, sipas Bahtirit, nuk ka zgjidhje tjetër përveç këtij koalicioni.

“Pas kontaktit që kam pasur me shumicën e anëtarëve të Kryesisë dhe deputetëve të LDK-së, kam parë vullnetin e tyre për arritjen e menjëhershme të marrëveshjes për bashkëqeverisje”, ka shkruar ai.

“Isa Mustafa si kryetar i LDK-së duhet ta çojë në vend porosinë e partisë së tij në takimin që po zhvillon me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurti”, deklaron i pari i komunës së “minatorëve”.

“Për hir të qytetarëve dhe shumë proceseve që na presin, Isa Mustafa bën mirë që marrëveshjen ta nënshkruaj sot ose më së largu nesër, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç bërjes së koalicionit, por që kjo nuk duhet të prolongohet më shumë”, thuhet në fund të postimit të tij në Facebook.

Liderët e dy partive momentalisht janë duke zhvilluar takim lidhur me koalicionin qeverisës. /kallxo.com

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot gjatë ditës pritet që të mbledhë kryesinë e partisë.


Në këtë takim, shkruan Gazeta Express Kurti do të diskutojë me kryesinë pas takimit me presidentin e vendit, Hashim Thaçin për propozimin e mandatarit, si parti e dalë e para nga zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Presidenti Hashim Thaçi ka pritur dje në takim konsultativ liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Takimi zgjati vetëm 5 minuta.

Kurti tha pas takimit të shkurtër me presidentin e vendit, se kanë diskutuar për propozimin, e ai ka deklaruar se të njejtën çështje do ta diskutojnë në kryesinë e partisë, që pastaj të dërgojnë me shkrim propozimin.

“Në këtë takim disa minutësh, e dëgjova presidentin që shprehu interesimin për formimin sa më të shpejt të Qeverisë. Por, gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, mirëpo në bazë të Kushtetutës kjo duhet të bëhet në një kërkesë me shkrim. Do ta diskutoj këtë në Kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe do ta dërgojmë me shkrim propozimin e Vetëvendosjes”, tha Kurti.

Pas takimit, LV dhe presidenti i vendit lëshuan deklarata të kundërta lidhur me afatin që ka partia e dalë e para nga zgjedhjet për të propozuar mandatarin.
Nga kjo parti, kanë deklaruar se sipas kushtetutës, nuk ka afat ligjor se kur duhet të dorëzohet propozimi te presidenti.

Para takimit me Thaçin, Kurti lëshoi një video të dytë përmes së cilës tha se s’ka marrëveshje ende me LDK-në, se partia e Isa Mustafes nuk po pranon ende takime për koalicion dhe më kryesorja, sfidoi LDK-në duke publikuar emrat e ministrave të VV-së në një qeveri të mundshme të tij. /

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas takimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, por Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër.

Si presidenti i vendit, Thaçi ka thënë se ka vendosur që t’i ofroj Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore, transmeton lajmi.net.

Sapo ka përfunduar takimi në mes të Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit.

Vetëm pak minuta ka zgjatur takimi në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti pas këtij takimi ka deklaruar se nuk është mandatar dhe nuk është dorëzuar asnjë emër për kandidatin për kryeministër, raporton lajmi.net.

Kurti ka deklaruar se ky thjeshtë ka qenë një takim konsultativ me presidentin Thaçi dhe se sa më shpejt pas konsultimeve me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do t’ia dorëzoj emrin presidentit Thaçi.

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, me ftesën e këtij të fundit ishte një takim i shkurtër konsultativ, pa efekte juridike. Në këtë takim disa minutash unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin për formimin e sa më shpejt për formimin e qeverisë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, por në bazë të kushtetutës ne duhet ta bëjmë këtë shkresë me shkrim. Dhe për këtë kërkesë do ta bëj edhe në kryesinë e VV-së dhe sa më parë t’ia dorëzojmë presidentit në mënyrë që ai sa më parë ta mandator kandidatin për kryeministër”, ka deklaruar Kurti pas takimit. /Lajmi.net/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.

“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai.

Përndryshe, para këtij takimi LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.

Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive. /Lajmi.net

Kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti jeton në një banesë 61 metër katëror dhe mbi të gjitha me qira.Duke rrëfyer për emisionin “360 gradë” në RTV Ora, Kurti thotë se nuk kërkon të pasurohet, por njëkohësisht thotë se nuk ankohet nga ana materiale, pasi siç thotë ai ka vetëmjaftueshmëri.Albin Kurti: Banesa ime i ka 61 m2.

Artur Zheji: Keni porositur një vilë të re për 2-3 vitet e ardhshme?Albin Kurti: Jo, nuk kam porositur.Artur Zheji: Nëse pas 2-3 vitesh kryeministër mund t’ju lindë dhe një fëmijë tjetër, do të ketë nevojë për hapësira banimi, ndonjë pishinë…se në Shqipëri kështu ndodh, do ta ndjeni veten sikur keni ngjyer gishtin e korrupsionit apo do thoni që është normale….gruaja juaj është e pasur?

Albin Kurti: Gruaja ime nuk është e pasur.Artur Zheji: Pra nuk mund ta blejë ajo vilën?

Albin Kurti: Jo, nuk mund ta blejë ajo. Unë jam në këtë banesën 61 m2. Më e rëndësishme sesa banesa ku banoj është fakti që e kam me qira. Nuk është pronë e imja.Artur Zheji: Nuk është pronë e juaja?Albin Kurti: Jo!Artur Zheji: E tmerrshme, një grua shqiptare në Shqipëri do t’ju mallkonte që nuk keni blerë as 60 m2. Shyqyr që e keni norvegjeze.Albin Kurti: Mos i fajësoni gratë se burrat i kanë fajet. Burrat kanë qejf ti fajësojnë gratë për fajet që kanë ata. Një burrë nuk e dëgjon gruan për shumë gjera dhe po e dëgjon për këtë. Është një lloj shovinizmi mashkullor i njerëzve që kanë vendosur të korruptohen dhe mandej leja fajin gruas. Nuk është ashtu fare.Artur Zheji: Me 60 m2 nuk jetohet. Gjithë ky burrë shteti mos kesh 3 kate vilë.Albin Kurti: Burrave shqiptarë nuk ua kanë mësuar gratë e tyre shampanjën. Njerëzit duan që të pasurohen, sepse ka një propagandë kundër meje që unë i dua të gjithë të varfër. Jo mo, le të pasurohen, por me ligj, me nder dhe punë.Artur Zheji: Zoti Albin, pse duhet ta besoj unë që ju doni të pasuroni të gjithë të tjerët dhe vetë nuk doni të pasuroheniAlbin Kurti: Unë nuk dua ta pasurohemi, por në të njëjtën kohë nuk po ankohem për gjendjen time materiale. Kam një lloj vetëmjaftueshmërie në kushtet e mia. Tani më janë bërë shumë libra, dorë në zemër do ta kisha marrë një banesë tjetër me qira me një dhomë më shumë, ama jo ta blej. /Blic

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në adresimin e tij me rastin e fundvitit, ka bërë të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ftesës së tretë, është pajtuar që takimi ndërmjet tyre të mbahet të hënën, më 6 janar, në ora 15.00.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, tha presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se 2019 ishte një vit me plot sfida, ndërsa ka shprehur besimin se 2020 do të jetë vit i tejkalimit të këtyre sfidave në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në adresimin e tij me rastin e fundvitit, kreu i vendit ka folur edhe rreth procesit elektoral për të cilin tha se ka dëshmuar progres të standardeve, ndërsa ka përmendur edhe punën për  thellimin e reformave demokratike dhe forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Duke folur rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, presidenti Thaçi tha se pret që në javët e para të janarit të arrihet implementimi i tij, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

“E di për vështirësitë për një arritje të një marrëveshje që janë normale dhe natyrisht partia fituese e përcakton partnerin. Kemi realitet tjetër politik në Kosovës. Çdo marrëveshje e mirëpres dhe do ta shtyj përpara. Është me interes të mos humbet kohë dhe mund të them se Kosova është në një stad të zhvilluar të themelimit të institucioneve dhe çdo marrëveshje që e bëjnë partitë politike do ta mirëpres”, është shprehur ai. /Tv drenica