Ka nisur takimi mes partisë fituese të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë së dytë LDK-së në përpjekje për të formalizuar marrëveshjen e koalicionit të ardhshëm.

Pjesë e këtij takimi përveç kryetarëve të partive Albin Kurti dhe Isa Mustafa, janë dhe nënkryetarët e këtyre dy subjekteve politike.

Ndryshe, KQZ dje ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit është bërë i mundur pas vendimit të Gjykatës Supreme, për të mos numëruar 392 pako të ardhura me vonesë nga diaspora, raporton kp.

Kërkesën e Vetëvendosjes për numërimin e tyre, ditë më parë e ka hedhur poshtë Paneli për Ankesa dhe Parashtresa, arsyetimin e të cilit e ka mbështetur edhe Gjykata Supreme. /Lajmi.net

Sekretarja organizative e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit shpërfaqen nevojën për një reformë të thellë zgjedhore.

Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka thënë se Kosova duhet t’i themelojë sa më parë institucionet e veta.

Kadaj-Bujupi ka thënë se, ndonëse jo me rezultate të synuara zgjedhore, AAK-ja ka shënuar rritje të mbështetjes popullore në zgjedhjet e 6 tetorit dhe ka mundësuar përfaqësim dinjitoz parlamentar.

Ajo ka thënë se opozitarizmi i AAK-së do të jetë në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Kadaj-Bujupi ka thënë se tani presin të shohim se çfarë politika do të zhvillojë Qeveria e re e Kosovës në raport me dialogun me Serbinë, me projektet për “Zajednicë” dhe korrigjimin e kufijve.

Duke e komentuar bashkëpunimin LVV-LDK, ajo ka thënë se afrinë e sotme me LVV-në, LDK-ja e ka më shumë nga inati me PDK-në që ia ndërpreu bashkëqeverisjen në vitin 2017. /ekonomia online

Kërkesat e LDK-së kundrejt LVV-së që pozita e kryeministrit të barasvlerësohet me 4 ministri, të kenë pozitën e kryeparlamentarit, si dhe ulësen e presidentit (pas dy viteve) po shihen si lojë e radhës e LDK-së.

Analistët vlerësojnë se kushtet e tilla nga ana e LDK-së kanë për qëllim fuqizimin e kësaj partie në negociatat me Vetëvendosjen, si dhe zbehin mundësinë për bashkëpunim mes dy partive, shkruan sot gazeta Zëri.

Dy partitë opozitare në legjislaturën e kaluar, LVV dhe LDK, të cilat në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, shënuan fitore në raport me partitë që ishin në pushtet, tashmë disa muaj po negociojnë për arritjen e një koalicioni pas zgjedhor.

Ndonëse të dyja partitë deklarativisht thonë se janë në prag të nënshkrimit të marrëveshjes, është LDK-ja ajo e cila ka potencuar se nuk dëshiron që me LVV-në të udhëheqë me numër të barabartë dikasteresh qeveritare.

Çështja e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pitet të jetë një nga temat e takimit të radhës ndërmjet udhëheqëseve të Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që pritet të mbahet javën e ardhshme. Të dy këto subjekte politike, që gjatë mandatit të kaluar kanë qenë në opozitë, tani pas zgjedhjeve parlamentare te 6 tetorit, ndodhen në procesin e bisedimeve për formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Ajo që mbetet për t’u parë, është qëndrimi që Vetëvendosje dhe LDK do të mbajnë karshi rolit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në këtë proces. Përderisa ishin në opozitë, të dy partitë që pritet të kalojnë tani në pushtet, ishin kundër që presidenti Thaçi të ishte në krye të delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se sa i përket dialogut me Serbinë, fillimisht do të bëhet një vlerësim i marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.

Ai ka thënë po ashtu se dialogun do ta udhëheqë vet dhe nuk do të lejojë që presidenti i vendit të marrë kompetenca “të cilat nuk i takojnë”. /Indeks online

Megjithëse dje grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u pajtuan për çështjet programore, dallimet pritet të lindin në ndarjen e pozitave politike qeverisëse.

Deklaratat nga zyrtarë të LDK-së se ndarja e ministrive nuk mund të jetë e barabartë për nënkryetarin e VV-së Besnik Bislimi mund të stopojnë procesin, pasi ata nuk do të japin asgjë më shumë krahas peshës politike që kanë fituar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Bislimi në një intervistë për KosovaPress jep detaje për mënyrën e ndarjes së ministrive, për alternativen në rast të dështimit të koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, si dhe për vendimet e fundit të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

“Nuk e di se çka ndodhë në atë moment kur negociatat kalojnë nga niveli teknik ku dizajnohet programi qeverisës, në nivelin politik ku folet për ndarje  të përgjegjësive. Në qoftë se aty lindë ndonjë kërkesë shtesë dhe ka apetite të pambuluara atëherë kjo mundet me prolonguar procesin. Por, ajo që është me rëndësi që për VV-në vullneti i qytetarit është i paprekshëm. Nëse qytetari e ka shpall VV fituese dhe e ka shpall Albin Kurtin si kryeministër atëherë ne nuk mundemi me negociuar këto dy elemente. E para, pozita e kryeministrit, nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk është se një subjekt po ia jep një subjekti tjetër kryeministrin, por është i zgjedhur direkt nga qytetarët. Ndërkaq pjesa tjetër e qeverisjes duhet me u nda konform  peshës politike në zgjedhje”, thotë Bislimi.

Në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes, Bislimi thotë se zgjedhjet e reja janë alternativë e vetme. Pasi, sipas tij LDK nuk e ka alternativë opozitën.

“ LDK dhe VV alternativë të vetme e kanë zgjedhjet e reja. E vetmja mënyrë që LDK me shkuar në opozitë është nëse Vetëvendosje pranon me qeverisë me PDK-në, çka nuk ndodhë. Që do të thotë LDK ose ka me qenë pjesë e qeverisjes, ose kena me shku në zgjedhje. VV ose ka me qenë pjesë e qeverisjes ose kemi me shkuar në zgjedhje. E tash kjo alternativë si do të përkthehen në fuqinë e negociatave tregon prapë sovrani. Sondazhi i parë që është bërë pas zgjedhjeve ka tregu se qysh janë forcat”, pohon ai.

Për formatin e Qeverisë me 12 ministri, nënkryetari i VV-së thotë se janë dy versione që i janë dërguar liderëve partiak me dallime të vogla për alokimin e ministrive, derisa jep detaje si cilat ministri do të shuhen dhe  do të riorganizohen.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë ministri në veti, por ministri tjera do të bashkohen me të. Psh Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohen më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit, po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri…Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për me mbështet hulumtimet shkencore”, thotë ai.

Për deklaratat e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj për mos largim të taksës, Bislimi i cilëson si të pa pesha, teksa thekson se do t’i spostojnë gjitha vendimet e fundit të qeverisë në dorëheqje.

“Çka thotë kryeministri në largim nuk çon peshë në negociatat tona me LDK-në. Kur është vendosur taksa, kryeministri në largim nuk është konsultuar me askënd.  Do të thotë ajo taksë është instrument kryekëput i koalicionit që ka qenë në qeveri në atë moment. Edhe pse kurrë nuk e kemi pas të qartë kujt brenda koalicionit. Kur ka dalë mirë secili i ka nxjerr meritat, kur ka dalë keq secili ka thanë se ne kemi qenë kundër. Politikat e tilla që janë të njëanshme unilaterale dhe të pakoordinuara me faktorin politik në vend nuk mund të sigurojnë jetëgjatësi pas rënies së atij koalicioni. Ramush Haradinaj nuk mund të thotë jeni qeveri e re, populli ka votuar për ndryshim, por ju vazhdoni me politika të vjetra. Ne mendojmë që kemi marrë mandatin se jemi më kreativ dhe kemi ide të reja dhe më të mira për me e zgjidhë këto probleme. Për neve  nuk qon peshë asgjë çka deklaron Haradinaj në këtë fushë”, th otë Bislimi

Javën e ardhshme pritët të takohen kryetari i VV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa për të tentuar të formalizojnë marrëveshjen politike për koalicionin e ardhshëm qeverisës. /Lajmi.net

Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka treguar se si mund të ndahet pushteti nëse arrihet koalicioni me LDK-në.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili njëherësh është edhe pjesë e ekipit negociues për arritjen e një koalicioni me LDK-në, ka treguar në vija të trasha se si potencialisht mund të ndahet pushteti në mes partisë së tij dhe asaj që udhëhiqet nga Isa Mustafa, në rast të arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje.

Konjufca në një intervistë për RTK 3, ka thënë se rezultati zgjedhor tregon që me qeverinë do të udhëheq Lëvizja Vetëvendosje.

Sa i përket numrit të ministrive, Konjufca ka thënë se do të jetë maksimalisht 12, dhe do të ndahen në mënyrë proporcionale mes dy partive, përjashtuar dy që duhet t’iu jepen pakicave.

Konjufca ka thënë se fakti që kanë dalë të parët në zgjedhje, nënkupton që VV-ja duhet të ketë udhëheqësin e qeverisë.

“ Në përputhje me këtë, është shumë e pritshme që LDK ta ketë udhëheqjen e parlamentit, si dhe me një ndarje proporcionale të ministrive, të cilat me gjasë të madhe do të jenë 12 ministri, të cilat ju e dini që do t’iu takojnë pakicave. Ndërsa 10 të tjera do të rregullohen mes LDK-së dhe Vetëvendosjes”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka lënë të kuptojë që partia e tij do të kërkojë ministritë që ndërlidhen me fushat e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndërkohe i pyetur se çfarë do të jetë roli i tij në qeverinë e re, Konjufca ka thënë se perofrmon më mirë si deputet, megjithatë nuk e përjashton edhe angazhimin në qeveri.

Ai ka potencuar se 9 ministri ekzistuese do të bashkohen në ministri të tjera, të cilave edhe do t’iu ndryshohet emri.

Në këtë intervistë anëtari i VV-së ka folur edhe për deklarimet e njëpasnjëshme të nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit.

Sipas tij qëndrimet e tilla të Hazirit, tregojnë zhgënjimin e tij për rezultatin që LDK-ja ka marrë në zgjedhje.

Konjufca thotë se mbase Haziri ka qenë i bindur që Lidhja Demokratike e Kosovës do të dalë fitimtare në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Një gjë e tillë është normale, të gjitha partitë kanë pasur pritje që do të fitojnë. Edhe PDK-ja ka pritur që të fitojë, por VV-ja ka fituar, dhe duhet të sillemi konform këtij realiteti, duhet të shkojmë përpara me ndërtimin e qeverisë”, ka shtuar tutje ish-shefi i grupit parlamentar të VV-së.

Ai ka folur edhe për takimin e  të mërkurës, ku ka thënë se do të diskutohet për çështje politike, siç është dialogu me Serbinë. /Lajmi.net

Ish-deputeti i LDK-së, Nuredin Ibishi ka folur pas ftesës që ka marrë nga Specialja.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se intervistimi do të bëhet në mesin e muajit nëntor, shkruan lajmi.net.

Ai është shprehur i bindur se në Hagë bashkë me të ftuarit tjerë do të dëshmojnë vetëm pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Postimi i plotë i Ibishit në Facebook:

Të nderuar bashkëluftëtarë, qytetarë, miq dhe familjarë,

Ju njoftoj se kam pranuar ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale në Hagë .

Ky intervistim do të bëhet në mesin e muajit Nentor 2019.

Si në shumë procese të deritashme, unë dhe bashkëluftëtarët e mi do të deshmojmë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe do mbetet e tillë.

Ashtu siç e zhvilluam luften për liri dhe triumfuam falë mbështetjes së popullit të Kosovës dhe ndihmës së Aleancës Ndërkombëtare të prira nga SHBA edhe kësaj radhe do të dalim faqebardhë.

Faleminderit për mbēshtetjen e vazhdueshme!. /Lajmi.net/

Takimi në mes grupeve punuese të LDK-së dhe VV-së pritet të mbahet në orën 13:00.

Këtë e ka konfirmuar për Ekonomia Online zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Besian Mustafa.

Takimi do të mbahet në zyrat qendrore të LDK-së.

Në këtë takim pritet të diskutohet për harmonizimin e programeve qeverisëse të VV-së e LDK-së. /Lajmi.net

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti është i bindur se do të ndodh koalicioni LDK-VV, duke thënë se nuk duket si “martesë” e vështirë, transmeton Literal Media.

‘’Kryeministrin e ka vendosur populli më 6 tetor. Subjekti që del i pari fiton mandatin për formimin e Qeverisë. LDK dhe VV nuk janë një martesë e vështirë sic duket’’, tha ai.

‘’Qe një vit e gjysmë kemi pasë bashkëpunim të mirë. Është racionale dhe e dëshirueshme njëkohësisht’’, shtoi Kurti. /Literal media

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po shfaqet këto minuta edhe pse kanë paralajmëruar festë në sheshin e Prishtinës.

Kjo si pasojë se rezultati i zgjedhjeve është përmbysur nga Vetëvendosja e cila tani udhëheq me mbi 6000 vota përpara Lidhjes Demokratike të Kosovës.

LDK ka deklaruar në konferencë për media rreth orës 20:00 se janë të parët. /Lajmi.net/