Mbi 1 milionë e 972 mijë e 466 qytetarë me të drejtë vote sot patën mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të parlamentit të Kosovës

Qytetarët me të drejtë vote të Republikës së Kosovës e kanë shprehur vullnetin e tyre qytetar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Sipas Exit Poll-it të realizuar nga Klan Kosova, që paraqet një projeksion [anketim i votuesve pasi kanë dalë nga vendvotimet] dhe jo rezultate zyrtare, partitë politike në vend, në këto zgjedhje, janë renditur kështu:

1: LDK dhe Vetëvendosje me 30%

2: PDK  me 22.28%

3: AAK-PSD  me 10.58%

4: Nisma – AKR  me 4.41%

Të tjera: 2.20%

Më poshtë gjeni edhe grafikat me ulëset në parlament për secilat nga subjektet politike: /Klan kosova

Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur në KQZ një kërkesë të veçantë, por nuk është mbështetur nga subjektet opozitare LDK dhe Vetëvendosje. 

Përveç numërimit të fletëvotimeve që bëhet në vendvotime, PDK-ja ka kërkuar që votat e kandidatëve të rinumërohen edhe një herë në qendrën ku grumbullohen votat nga e gjithë Kosova, transmeton lajmi.net.

Këtë kërkesë të PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli e ka paraqitur në KQZ anëtari i këtij subjekti politik Ilir Gashi. Ai e ka arsyetuar këtë kërkesë me qëllim të rritjes së transparencës për votat e kandidatëve për deputetë dhe se në çdo palë zgjedhje KQZ-ja është detyruar të rinumërojë 1/3 e kutive të votimit për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve me ato të subjekteve politike.

Kërkesa nuk është mbështetur nga përfaqësuesi i LDK-së Sami Hamiti dhe ai i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi me arsyetimin se një kërkesë e tillë vjen vonë dhe vetëm 48 orë para ditës së zgjedhjeve. /Lajmi.net/

Lidhja Demokratike e Kosovës është e bindur se do të dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i cili është edhe shef i shtabit zgjedhor, ka thënë se nuk është i mundur një koalicion me PDK-në, pasi që kjo e fundit sipas tij ka rrënuar urat e bashkëpunimit.

Numri dy i LDK-së, nuk e përjashton mundësinë që të ketë koalicion edhe me partitë tjera, dukë përfshirë koalicionin AAK-PSD.

“Kulturën e bashkëpunimit ne do ta vendosim në Kuvend me të gjitha partitë, natyrisht që PDK-ja i ka rrënuar urat e bashkëpunimit, sepse ata e kanë larguar LDK-në dhe rishikuar partneritetin dhe kanë vendosur partner të tyre, por u binden të gjithë që problem është me bashkëpunu me ta. Me partitë të tjera natyrisht do të koordinohemi në nivel agjendash politike, nëse na bashkon agjenda politike, programi politik, ekonomik, social dhe çështje në interes të vendit, ne do të bashkohemi edhe në nivel Kuvendi edhe në nivel ekzekutivi, pse jo”, ka thënë Haziri.

Ndonëse nuk është arritur koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, Haziri thotë se ekziston një derë e hapur që këtë ta bëjnë pas zgjedhjeve.

“Ne kemi hapur një kaptinë bashkëpunimi për dy vitet e kaluara, duke i lënë anash gjërat që nuk na kanë bashkuar dhe tash do të varet krejt prej sjelljes në zgjedhje të Lëvizjes Vetëvendosje. Ne vullnetin e kemi shprehur përmes deklarimit të Isa Mustafës që përkundër mosarritjes së një marrëveshje për koalicion parazgjedhor, lihet dera e hapur dhe mundësia për bashkëpunim paszgjedhor. Fundja rezultati do të zbardhët me 6 tetor dhe secili do ta sheh vullnetin dhe renditjen e sovranit dhe sipas asaj do të ndërtojmë kulturë bashkëpunimi”, ka thënë Haziri për EkonomiaOnline

Deputeti i LDK-së dhe ish-ushtari i UÇK-së në Koshare, Anton Quni ka sqaruar pse disa ushtarakë në luftën e Kosovës janë paguar në shumë të caktuara.

Quni ka thënë se organizimi institucional i luftës nënkupton edhe kujdesin financiar për ushtarakët e angazhuar.

“Nëse paraqitesh të Ministria e Mbrojtjes dhe shpreh gatishmërinë që do t’i shërbesh dhe të jesh nën urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes, atëherë i ke pranuar edhe të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që duhen zbatuar. Nga ai moment liria individuale përfundon”, tha ai në Debat Plus.

Ish-ushtari i UÇK-së në Koshare ka thënë se paga e marrë në luftë nuk do të thotë se je shpërblyer për luftën e bërë, por nënkupton krijimi i një ambienti kur t’i nuk mund të gjesh pretekste që të largohesh nga vija e frontit.

“Kur është në pyetje financimi për ngritjen e kapaciteteve ushtarake etj., aty qarkullon shumë para. Dhe kontrolli i parave në kushte lufte është shumë i vështirësuar. Që ushtarakët të mos shfaqin apetite e të mos shndërrohen në profiter lufte, minimumi dhe maksimumi i tij është paga që i ka dhënë Ministria”

Deputeti i LDK-së ka thënë se një organizim i tillë ushtarak është kulturë e botës perëndimore por edhe në lindje.

“Kjo çështje reflektohet edhe në qarqet politike, diplomatike kur brenda një organizimi ekziston një kod, disiplinë, auditim, kontroll etj., dhe me mbarimin e luftës dihet se me çfarë pasurie ekonomike ka hyrë në luftë e me çfarë pasuri ka dalë”.

Quni ka thënë se gjatë gjithë periudhës së luftës është paguar në vlerë prej 12 mijë markash, por sipas tij ai vetëm për një muaj me biznesin e tij në Kroaci ka fituar 12 marka

Replika të mëdha me lloj-lloj akuza ndodhën dje në Komisionin hetimor për çështjen e shtetasve turq, pas ardhjes së presidentit Thaçi për të dëshmuar para deputetëve.

Por dëshmia nuk u jap nga ana e Thaçit, mirëpo aty vetëm u replika.

E replika të ashpra ndodhën mes Anton Qunit e Hashim Thaçit.

Ndaj kësaj përplasje ka reaguar edhe deputeti tjetër i LDK-së, Haxhi Avdyli. Ai presidentin e vendit e ka quajtur si Esat Pashë.

“Edhe njëherë u deshtë me lexu për Boshko Buhan, ai qenka nga Kroacia dhe u vra nga Çetniket në moshën 15 vjeçare. Huqje totale e Esat Pashës”, ka shkruar Avdyli në Facebook.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi i ka thënë deputetit të LDK-së Anton Quni se është mercenar, pasi ky i fundit i tha se ishte frikacak në luftë.

Madje Thaçi dje i tha Qunit se një këmbë e ka mbajtur në Kosovë e një në Shqipëri, gjatë kohës së luftës.

“Një kamë në Kosovë një në Shqipëri e ke mbajtë -shpinën sigurtë, je hi në Kosovë masi u hy NATO”, tha Thaçi. .

Ke qenë mercenar, i tha Thaçi Qunit.

“Ti je Bashko Buha”, vazhdoi Thaçi me akuza ndaj deputetit Quni.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kritikuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, pas debatit që ka zhvilluar sot me deputetët e kuvendit në Komisionin parlamentar hetimor. 

Aty presidenti Thaçi ishte ftuar nga Komisioni hetimor për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Deputetja Osmani në një shkrim të bërë në profilin e saj zyrtar në Facebook ka shkruar se “Institucioni më i lartë i vendit, Presidenti = Faqja më e zezë e vendit tonë”, ka shkruar ajo.

Ndërkohë, mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar është shoqëruar me përplasje të shumta ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe anëtarëve të Komisionit.

Thaçi ka refuzuar të përgjigjet para Komisionit, me arsyetimin se ky Komision ka shkelur ligjin pasi që ka angazhuar ekspertë të huaj për të hetuar rastin./

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti me anë të një postimi në Facebook ka thënë se sjellja e sotme e presidentit Hashim Thaçi para deputetëve është skandaloze.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sot para komisionit hetimor për ‘gulenistët’ ka pas përplasje me disa nga deputetët e sidomos me deputetin e VV-së Sami Kurteshi dhe atë të LDK-së Anton Quni.

Postimi i Hotit në Facebook:

Është skandaloze sjellja e sotme e presidentit para deputetëve. Fyerjet e tij ndaj deputetëve, por edhe të deputetëve të PDK-së ndaj deputetëve te LDK-së, kanë treguar edhe më qartë për nevojën e madhe që ka Kosova për t’u liruar nga kjo kastë qeverisëse.

Këmbëngulësia e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e hequr taksën ndaj produkteve serbe ka shtyrë partnerin më të madh të koalicionit, PDK-në, që të paralajmërojë rrëzimin e Qeverisë. Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe lider i PDK-së, tha para pak ditësh se të gjitha qeveritë mund të ecin, por asnjë qeveri nuk mund t’i rrezikojë raportet me SHBA-në. Pavarësisht kësaj, shefi i ekzekutivit përsëriti edhe gjatë ditës së djeshme se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se synimi i Veselit është ta largojë Haradinajn nga pozita e kryeministrit pa shkuar fare në zgjedhje, kjo vetë kreu i PDK-së ua ka “drojën” zgjedhjeve në këtë kohë, shkruan Gazeta “Zëri”. 

Teksa ka komentuar akuzat mes krerëve institucionalë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se një praktikë e tillë po ndodh me qëllim për t’i mbuluar dështimet e tyre.

“Për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jokushtetuese presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri-tjetrit. Në një fushatë të ashpër ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”, është shprehur ai.

Ndaj sipas tij, për të ardhur deri te një zgjidhje vendi duhet sa më shpejt të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Për të dalë nga kjo situatë, sa më parë duhet t’u japim mundësi qytetarëve të shtetit sovran të Republikës së Kosovës në kufijtë e 17 shkurtit 2008 të thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira”, ka theksuar Hoti.

Ndërkohë deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se LVV-ja në vazhdimësi është angazhuar për zgjedhje të parakohshme, pasi Kosova po përballet me probleme të shumta.

Sipas saj, tashmë është bërë rutinë që qeveria aktuale të bëjë skandale dhe veprime të kundërligjshme. Rrjedhimisht, liderët aktualë gjatë tërë kohës bëjnë akuza e kundërakuza mes vete, nuk mund të durohen më.

“Neve na duhet një angazhim opozitar e qytetar, në mënyrë që kjo Qeveri sa më parë të largohet. Është e vërtetë se ne si LVV konsiderojmë që taksa është një vendim i drejtë, por ne jemi që taksa të mbetet dhe qeveria ‘Haradinaj’ e njerëzit si Veseli të shkojnë”, ka theksuar ajo.

Së këndejmi, Haxhiu ka thënë se LVV-ja nuk do të pushojë së punuari për rrëzim të Qeverisë.

“Ne konsiderojmë që qeveria ‘Haradinaj’ nuk mund të mbetet vetëm për shkak të taksës. Ka veprime të panumërta, të dëmshme, të këqija, për të cilat duhet të rrëzohet. Prandaj angazhimi i LVV-së natyrisht që nuk do të pushojë”, ka theksuar ajo për “Zërin”.