Vazhdon jehona e samitit të Berlinit, me detaje pikante të publikuara nga portali i njohur, Politico. Sipas këtij portali, presidenti francez, Emmanuel Macron për pak e humbi gjatë këtij samiti, pasi tentoi dhe dështoi të bindte kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj që të pranonte një kompromis për të zhbllokuar situatën e krijuar me Serbinë.

“Nuk je në gjendje të kërkosh asgjë,” tha Macron, duke ngritur zërin.

Portali shkruan se teksa po nisnin orët e para të ditës së martë, në vend që të arrihej një marrëveshje, Merkel dhe Macron nxorrën në pah se sa jofunksionale është diplomacia europiane. Samiti tregoi ndarjet jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe mes Berlinit dhe mes vendeve anëtare të BE dhe aparatit të politikës së jashtme në Bruksel.

“I vetmi person i gëzuar ishte Mogherini,” tha një i pranishëm në samit, duke iu referuar shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.

Ajo mbërriti e buzëqeshur dhe e nxirë pas pushimeve në Berlin. Kritikët thonë se italiania nuk i ka kushtuar shumë vëmendje Ballkanit gjatë kësaj kohe, ndërsa nuk ia ka dalë të zgjidhë ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë. Jo vetëm kaq, por ajo ka mbështetur edhe një projekt që parashikon shkëmbim territoresh mes dy vendeve, diçka që kundërshtohet ashpër nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ndërkohë sot në një intervistë të shumëkomentuar, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në të ardhmen Kosova do të fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e saj, jo pse ai do ta njohë, por për shkak se dështoi zgjidhja e ofruar prej tij, duke mos e thënë qartazi se cila ishte ajo ofertë.

Presidenti serb në një intervistë për televizionin Pink, tha të dielën se “ajo që kishte ofruar nuk kaloi për shkak të trysnisë së tmerrshme të disa vendeve dhe shërbimeve të tyre të zbulimit, që vunë në lëvizje agjenturat e plota, politike, mediatike e të tjera nëpër vende të ndryshme”.

Dy ditë më parë, presidenti serb tha se ideja e tij për vënien e kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve ka rënë tashmë dhe kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duket se ka një simpati të veçantë për dy liderët aktual të Serbisë.

Përveç që e merr në përqafim kryeministren Ana Brnabiq, Rama të njejtën gjë e bën edhe me ministrin e propagandës të kasapit të Ballkanit, tani president i Serbisë Aleksander Vuçiqin.

Në një video shihet se si ai gjatë një takimi, e merr në grykë Vuçiqin, e ia rrah shpinën. 

Përveç kësaj afërsie fizike, Rama e Vuçiq, këta muajt e fundit kanë qenë bashkë edhe në idenë për korrigjim të kufijve, pa harruar këtu edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Lidhur me këtë treshe, ish-kryengociatorja Edita Tahiri, ka folur në një emision televiziv në Shqipëri. Sipas saj në Samitin e Berlinit që u mbajt më 29 prill, kanë dështuar Thaçi, Rama e Vuçiq, bashkë me idenë e tyre për korrigjim të kufijve.

Diplomati i njohur gjerman, Friedbert Pflüger ka thënë se Samiti i Berlinit ishte më i mirë se sa është shfaqur në media.

Pflüger ia ka bërë të ditur këtë detaj deputetit kosovar, Gani Dreshaj pasi që nga prapaskena ishte pjesëmarrës i këtij Samiti.

“Samiti ishte më i mirë se sa tregohet në media. Një aspekt shumë i rëndësishëm ishte përfshirja e suksesshme e Macron, reflektimi i tij dhe qasja e tij në shtetet e Ballkanit. Poashtu, për herë të parë ai e dëgjoi nga afër versionin e Haradinajt. Shkëmbimi i territoreve nuk është permendur fare si opsion. Haradinaj ishte konkret, pro idesë së bashkëjetesës në një shtet të kosovarëve e serbëve me të drejta të barabarta” i ka thënë Pflüger, Dreshajt.

Ditë më parë politikani gjerman i CDU-së kishte thënë se Gjermania është kategorikisht kundër prekjes së kufijve.

Nga Mentor Nazarko

Samiti i Berlinit ishte ngjar ja më e rëndësishme për një pjesë të madhe të Ballkanit, për faktorin shqiptar posaçërisht, dhe jehona e tij do të ndihet gjatë gjithë vitit që vijon. Tri ishin momentet kryesore që priteshin në lidhje me faktorin shqiptar, kryesisht: 1. Marrja e sinjaleve të qarta ose jo për çeljen e negociatave të Shqipërisë edhe Maqedonisë në lidhje me integrimin në Bashkimin Europian.

2. Liberalizimi i vizave për Kosovën në qershor.

3. Direktivat që do të vinin prej dyshes gjermano-franceze për bisedimet KosovëSerbi.

Të tria këto ngjarje ishin në lidhje me njëra-tjetrën dhe Shqipëria me Kosovën do të duhet ta përforconin pozitën e njëratjetrës, kështu që gjithçka që u tha në lidhje me njërën prej temave, ka ndikuar edhe te tjetra.

Por, para se të analizojmë efektet e këtij takimi për faktorin shqiptar dhe duke marrë më veçmas ato për Shqipërinë e njëlloj dhe për Kosovën, është e domosdoshme që të shpjegojmë atë se çfarë përfaqësonte ky samit.

I zhvilluar pak javë para zgjedhjeve parlamentare për institucionet europiane, ky samit nga dyshja franko-gjermane synonte që të fuqizonte zërin e shteteve kryesore të Bashkimit Europian, në një rajon që quhet ndryshe “oborri i Europës”, i cili i ka sjellë vazhdimisht telashe asaj, me luftërat e brendshme, refugjatët apo klandestinët, trafiqet e drogës apo edhe ato të armëve etj., dhe më së fundmi me shndërrimin e rajonit në një zonë ku përplasen ndikimet e atyre që quhen, sipas një konvencioni të butë, faktorë të tretë që janë praktikisht Turqia, Rusia apo Kina.

Kështu që, në këtë mënyrë dyshja franko-gjermane, dy personazhet më të rëndësishme në Europë, Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, (e cila, ndonëse është në fund të mandatit të saj, po luan fuqishëm deri ditën e fundit) kishin synim që të potenconin atë që Bashkimi Europian, posaçërisht Franca dhe Gjermania, do luajnë fuqishëm dhe nuk do ta harrojnë Ballkanin, por do të kujtohen më shumë pas zhvillimit të zgjedhjeve.

Pra, ky ishte mesazhi që preku dy prej kërkesave të faktorit shqiptar.

ÇELJA E NEGOCIATAVE PËR SHQIPËRINË DHE MAQEDONINË

As Shqipëria dhe as Maqedonia nuk do të trajtohen për të çelur negociatat në qershor, por në vjeshtë, pas zhvillimit të zgjedhjeve. Aq e vërtetë është kjo, sa Franca, e cila është pengesa kryesore për këtë qëllim, konsideron që hapja e një teme të tillë, ashtu si dhe ajo e liberalizimit të vizave, do t’i jepte pikë krahut të djathtë të zonjës Le Pen, partive të djathta në Europë, kështu që do ishte mirë që tema të tilla të shtyheshin për në vjeshtë.

Shtyrja e negociatave të Shqipërisë nuk ka lidhje vetëm me Shqipërinë, por me qëndrimin francez, me drojën e Presidentit Makron, i cili nuk dëshiron të flitet për zgjerim në një moment të tillë si ky i vigjiljes së zgjedhjeve europiane. Nëse do të ishte e vërtetë që do të kishte lidhje me Shqipërinë, atëherë do të ishte Maqedonia ajo që do të favorizohej. Duket se as Maqedonia, e cila i ka kartat në rregull për çeljen e negociatave, nuk do të merret në konsideratë përpara vjeshtës.

LIBERALIZIMI I VIZAVE PËR KOSOVËN

Të njëjtin fat pati edhe kërkesa e Kosovës për liberalizimin e vizave, ndonëse kontingjenti potencial, i cili do të përfitonte nga kjo, është shumë i vogël, midis 600 mijë dhe 1 milion shtetasve. Prapëseprapë, Europa ka frikë se një lajm si ai për liberalizimin e vizave do të ishte ‘karburant’ për të nxitur votat drejt ekstremit të djathtë.

NEGOCIATAT KOSOVË-SERBI

Dhe tema e tretë më e rëndësishme ishte ajo që lidhet me negociatat Kosovë-Serbi dhe këtu duket se dyshja pati një lloj përparimi relativ. Ndonëse ky sukses mban erën e kundërvënies midis Bashkimit Europian, dy shteteve kryesore të tij, (tani që Anglia nuk po di se ku është, brenda Bashkimit Europian apo jashtë tij) me SHBA-të. Pra, pozicioni franko-gjerman në fillim të këtij samiti ngjante se ishte në kundërvënie me SHBA-të në lidhje me dialogun, kurse nga mënyra se si u mbyll samiti duket se pati një lloj konvergjence sepse janë disa elemente që e mbështesin këtë pohim. Aq e vërtetë është kjo, sa ambasadori amerikan në Gjermani, Grenell, pati takime me drejtuesit e shtetit të Kosovës për të konvergjuar pozicionet me ta(?).

Pra, një samit i nisur, i shpallur, i menduar se do të ishte një marrje iniciative e BEsë, dy shteteve kryesore të tij, në lidhje me bisedimet Kosovë-Serbi, kundrejt faktorit amerikan, praktikisht rezulton se është një lloj konvergjence me SHBA-të dhe janë disa elemente si:

1. Nga të gjithë deklarimet publike të Kancelares Merkel apo Makron nuk kishte pozicionim, i cili është kundër atij momenti që konsiderohet më problematik, që është praktikisht shkëmbimi i territoreve apo ndryshimi i kufijve apo demarkacioni. Në një intervistë të sotme, zëdhënësi i zonjës Merkel, Siebert, e ka bërë të qartë se shqetësimi gjerman është ndaj një marrëveshjeje që mund të lëndonte të tjerët, pa hyrë në detaje.

2. Prej këtij samiti u vendos që bisedimet të zhvillohen në 1 korrik, me ftesën e Presidentit francez, pra Franca merr iniciativën në lidhje me Ballkanin. Në fakt, Franca e bëri të qartë se do të rikthente vëmendjen në Ballkan me iniciativat e saj në katër fusha dhe nëpërmjet moderimit të bisedimeve KosovëSerbi, ajo hyn plotësisht në rol.

3. Këto bisedime do të zhvillohen pa e hequr Kosova taksën. Serbia u detyrua që të pranojë që të ulet në bisedime pa u hequr kjo taksë. Vuçiç e pranoi me gjysmë zemre këtë kusht të francezëve.

Është zgjedhur që të moderojë këto bisedime një vend si Franca, i cili nga analizat e mëparshme mendohet se nuk ka asnjë lloj tabuje në lidhje me formën e marrëveshjes. Besohet se Franca do të pranojë çdo lloj rezultati që do t’i japin vetes të dyja palët nga bisedimet, pa pasur kurrfarë tabuje lidhur me shkëmbimin e territoreve siç e ka Gjermania.

Është ky moment, i cili e bën të qartë që ky rol i dyshes franko-gjermane nuk është kundërvënës, por në fakt marrje iniciative, pa dalë nga ato që duket se ishin linjat e qëndrimit amerikan. Ky qëndrim është në favor të një marrëveshjeje, të një njohjeje të ndërsjellë, pa vija të kuqe për llojin e marrëveshjes, ndonëse pozicioni amerikan është i përmbledhur në atë shprehjen që ‘jeni të lirë të vendosni marrëveshjen që doni, por mos kujtoni se ju kemi dhënë një letër të bardhë ku të shkruani çfarë të doni’.

Kjo është në njëfarë mënyre përmbledhja që mund të bëhet për takimin e samitit të Berlinit, një ngjarje e rëndësishme që faktoi, vuri në provë momente të funksionimit të Shqipërisë me Kosovën në arenën ndërkombëtare, apo dhe të sjelljes së udhëheqësve të saj në forume si këto.

U testua lloji i marrëdhënies të liderëve shqiptarë me zonjën Merkel, të cilat ngjanin se ishin të cenuara sadopak, posaçërisht ato të Ramës apo të Thaçit, dhe duket se ato u normalizuan. Priten reagimet amerikane, ndonëse zhvillimet ndërkombëtare janë shumë dinamike për të eklipsuar një ngjarje si samiti i Berlinit.

Nga Enver Robelli

Projekti për integrimin e Ballkanit në BE tani për tani duhet të konsiderohet si i dështuar. Samiti i Berlinit ishte vetëm një përpjekje për t’iu bërë bilanc harresave, dështimeve, injorimeve dhe aleancave fatale të Perëndimit me autokratët e rajonit.

“Godina impozante e civilizimit evropian është e ndërtuar mbi eshtrat e popujve të panumërt dhe të mposhtur evropianë. Kur flasim sot për Evropën dhe kur përpiqemi të ftillojmë se ku qëndron misioni i këtij kontinenti lavdiplotë, të madh dhe aq të shtrenjtë, ne nuk guxojmë të harrojmë se ekzistojnë dy Evropa. Krahas Evropës klasike Perëndimore, muzeore-grandioze, historike-patetike jeton një Evropë e dytë, e vobektë, e shtyrë në qoshe, prej shekujsh vazhdimisht e mposhtur, pra një Evropë periferike e popujve lindorë dhe juglindorë”.

Miroslav Kërlezha, shkrimtar kroat

Në Berlin të hënën në mbrëmje u takuan dy Evropa. Skena e takimit të kujtonte atë ushtarin e armatës jugosllave, të cilin gjatë luftës së shkurtër në Slloveni gazetarët e pyetën se çfarë po bënte në mal bashkë me shokët e tij. Ushtari, një boshnjak, tha: “Ata po bëjnë sikur po shkëputen, ndërsa ne po bëjmë sikur nuk po i lejojmë”.

Edhe në Berlin u këndua kënga e vjetër – vendet e Ballkanit duhet të hyjnë në BE, duhet të integrohen, reformohen, ato kanë një perspektivë të anëtarësimit, ju kujtohet – verë, viti 2003, Samiti i Selanikut. Më 2023 bëhen 20 vjet. Tani jemi në vitin 2019. Në BE ka hyrë vetëm Kroacia, dhe ka diplomatë të BE-së që edhe për këtë hap janë bërë pishman, kur të merren parasysh roli destruktiv i Kroacisë në Bosnjë, polarizimi agresiv i shoqërisë kroate mes “ustashëve” dhe “partizanëve”, gjendja e keqe ekonomike, ikja masive e qytetarëve kroatë.

Që nga viti 2003 shumica e vendeve të Ballkanit bëjnë sikur po përgatiten për t’u integruar në BE, në të vërtetë që nga atëherë suksesi më i madh i politikanëve që kanë sunduar në vendet e rajonit është pasurimi i tyre marramendës, krijimi i rrjeteve klienteliste, përvetësimi i resurseve shtetërore. Pra, BE-ja bën sikur po i integron shtetet e Ballkanit, e Ballkani bën sikur po integrohet. Një lojë tashmë transparente nga e cila janë lodhur shumë qytetarë, sidomos në Kosovë e Shqipëri, dy vende që kanë humbur shumë shanse për shkak të politikanëve të paaftë dhe të diskredituar. (Kjo nuk domethënë se vendet e tjera të rajonit nuk kanë politikanë të paaftë, por së pari të merremi me hallet tona).

Projekti për integrimin e Ballkanit në BE tani për tani duhet të konsiderohet si i dështuar. Samiti i Berlinit ishte vetëm një përpjekje për t’iu bërë bilanc harresave, dështimeve, injorimeve dhe aleancave fatale të Perëndimit me autokratët e rajonit. Ka qenë e ditur se herët apo vonë aleanca me autokratë do t’i kthehet si bumerang Bashkimit Evropian.

Bumerangu shihet sidomos në qasjen e BE-së dhe sidomos të Gjermanisë ndaj çështjes së Kosovës. Në vitin 2011, kancelarja Angela Merkel erdhi për vizitë në Beograd. Atëbotë shef i shtetit ishte Boris Tadiqi. Në konferencën për media Merkel tha se Serbia duhet të lëvizë drejt njohjes. Tadiq kundërshtoi ashpër. Pastaj në pushtet erdhi Aleksandër Vuçiqi, i cili tha se po e lexonte Max Weberin dhe se ishte i entuziazmuar me etikën protestante të punës. Gjermania gjeti rehatin. Me një ish-ultranacionalist që lexon Max Weberin mund të bëhen mrekulli, menduan me gjasë jo pak diplomatë gjermanë. Serbisë nuk iu bë presion.

Me çështjen e Kosovës u morën burokratët cinikë të Brukselit dhe në katër vjetët e fundit kryediplomatja e BE-së Federica Mogherini, e njohur për qëndrimet e saj proruse dhe proserbe. Ndërsa gjermanët qëndronin anash, gjërat dolën nga binarët. Aleksandër Vuçiqi dhe partneri i tij kosovar, Hashim Thaçi, me miratimin e Mogherinit filluan të diskutonin mbi korrigjimin e kufijve, të përkrahur me ide, propagandë e logjistikë nga politikanët austriakë, lobistët në Washington e Paris, publicistët e Sorosit, që pasi e kanë shurdhuar opinionin një çerekshekull kundër ndryshimit të kufijve, tani thonë: po kush është Evropa që të pengojë dy politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike për të gjetur zgjidhjen e një konflikti mes tyre. Kështu mendon, për shembull, bullgari Ivan Krastev, por i njëjti do të ishte i gatshëm të pohonte edhe të kundërtën nëse pas rrudhjes së Kosovës shqiptarët do të kërkonin rrudhjen e Maqedonisë dhe Malit të Zi, sepse, e kuptoni, nëse për 40 mijë serbë të veriut prishet një shtet – përse të ekzistojë një shtet tjetër që ka larg mbi 400 mijë shqiptarë?

Ndërsa është hapur kapitulli i ndryshimit të kufijve, Aleksandër Vuçiqi tani nuk ka arsye të tërhiqet. Nëse nuk pranohet ndarja siç e ka diskutuar me partnerin e tij kosovar dhe me duartrokitjen e Federica Mogherinit dhe fallxhiut politik Johannes Hahn, atëherë Vuçiqi do të kërkojë një «republikë serbe» brenda Kosovës. Çka është më mirë për Kosovën? «Korrigjimi» i kufijve apo shteti jofunksional? Qe, pra, para çfarë dileme e kanë sjellë vendin politikanët që kanë sunduar Kosovën nga viti 1999. Tani Vuçiq vetëm thotë: pa kompromis nuk ka zgjidhje, sepse në Serbi nuk ka politikan që e pranon Kosovën «pa kompromis». Kompromisi është: «të marrim çfarë mund të marrim», këtë e ka theksuar Vuçiq shpesh. Në prag të samitit ai e quajti Kosovën djep të mafisë. Në Berlin Angela Merkel ishte në rolin e rojtares së mullirit, të cilën e ka zënë gjumi me vite ndërsa mulliri ka bluar – drejt ndarjes së Kosovës sipas agjendës së Aleksandër Vuçiqit dhe Vladimir Putinit dhe partnerëve të tyre shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë.

Presidenti serb Aleksander Vuçiç është hedhur në sulm pas akuzave publike që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri dje rreth presionit politik në bllok për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave serbe. Ai ka autorizuar kreun e Komitetit Parlamentar për Kosvën, Milovan Drecun që të propagandojë idenë se pas qëndrimeve të Haradianjt nuk qëndron vullneti politik i këtij të fundit, por se ky qëndrim është thjesht pjesë e një loje të koordinuar mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi, të dy sipas Drecun nën diktatin dhe drejtimin e Tiranës, pra Edi Ramës. 

Çdo gjë që është bërë deri më tani, përfshirë formimin e UÇK-së terroriste është bërë për t’i lejuar Shqipërisë që të aneksojë me forcë provincën jugore të Serbisë, Kosovën dhe të realizojë projektin e Shqipërisë së Madhe…
Thaçi dhe Haradinaj kanë absolutisht qëllime identike. Në këtë fazë ato synojnë vendosjen e kushteve të ndryshme, në mënyrë që të ndalet vazhdimi i dialogut dhe të detyrohet Serbia të njohë shtetin e vetëshpallur që një ditë të deklarohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. 
Haradinaj dhe Thaçi janë nën ndikimin e fortë perëndimor, por Tirana po dikton ngjarjet me qëllimin e krijimit të Shqipërisë së Madhe

është shprehur Drecun për B92.

Ai është anëtar i Partisë Progresite Serbe që drejtohet nga Vuçiç dhe përtej faktit se me këto qëndrime është përpjekur të mbulojë dështimin e eprorit të vet, ai ka dalë me një tezë që synon të relativizojë rolin e Haradinajt. Sigurisht që akuza serbe për Shqipërinë e Madhe ka vlerën e një alibie, por Beogradi e di shumë mirë se me këtë qasje e ndihmon Edi Ramën dhe Thaçin të rifaktorizohen si nacionalistë, duke lënë mënjanë kryeministrin e Kosovës që në fakt ka sukses jo pse po reziston, por sepse ka në dorë një argument të fortë. 

Vetëm Milovan Drecun mund të bëjë lidhjen mes taksë dhe Shqipërisë së Madhe, ndërkohë që paralel me të dhe madje në kundërshtim me ato që ai thotë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, e ka cilësuar frikën nga ndryshimi i kufijve si të kotë. Është e qartë se pretendimi serb për rinisjen e dialogut me kushtin e heqjes së taksë nuk qëndron më, përderisa lëvizja e një pale duhe shoqëruar me lëvizjen e tjetrës. Ndaj një gur e dy zogj: shqiptarët me Edi Ramën po krijojnë Shqipërinë e Madhe – pra Edi është lideri i Ballkani – dhe Vuçiç po i përballon me heroizëm këto presione dhe plane. Përralla e zakonshme ballkanike e meshkujve politikanë që rendin nga një ambasadë në tjetrën për të spiunuar njëri – tjetrin apo për t’u ankuar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, ka reaguar për kreut të Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Denis Zvizidic, që nuk duhet të ketë korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi një gjë e tillë do të hapte kutinë e Pandorës.

Dçiq ka thënë se nuk iu intereson se çfarë mendojnë në Bosnje, duke thënë se ata janë askushi për të dhënë opinione lidhur me këtë çështje.

“Ato janë qesharake. Kutia e Pandorës është hapur kur është njohur pavarësia e Kosovës, dhe askush nuk e pyet Bosnjën se si do të zgjidhim një çështje të tillë”, ka thënë Dacic, shkruan tanjug.

Kreu i diplomacisë serbe ka thënë se nuk iu intereson aspak se çfarë mendojnë në Bosnje.

“Ne nuk ka intereson se çfarë ata mendojnë. Kush i pyet ata se si duhet të zgjidhet çështja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?!” u ka thënë Daçiq i nervozuar gazetarëve.

Zvizidic pas Samitit të Berlinit, ka thënë se Bosnja përkrah një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila nuk rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe specifikisht Bosnjës, duke treguar hapur se nuk duhet të ketë rivendosje të kufijve në rajon në baza etnike.

Samiti i Berlinit u dha argument zërave që e shohin refuzimin e hapjes së negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor si përplasje të brendshme të BE-së në prag të zgjedhjeve të majit.

Shtyrja e vendimit për në shtator e justifikon deri diku këtë logjikë për aq kohë sa mediat e huaja flasin për një veto të presidentit francez Macron ndaj zgjerimit me vende si Shqipëria apo Maqedonia e Veriut, pranimi i të cilave do u jepte argument forcave të ekstremit të djathtë, kësisoj dhe vota në parlamentin e ri. 

Nga ana tjetër janë edhe të ashtuquajtuit liderë të Ballkanit Perëndimor që nuk kanë asnjë fuqi të imponohen dhe që mundohen të shfrytëzojnë çdo detaj publiçitar për ta bërë lajm. Gjithsesi jo të gjithë kanë shkuar duarbosh në Berlin. Zoran Zaev u paraqit me marrëveshjen e Prespës nën sqetull, ndërsa Vuçiç arriti të marrë një rekomandim nga tre vende të BE-së siç shkruajnë mediat.

Kështu Greqia, Rumania dhe Bullgaria përmes një letre dërguar kancelares Merkel dhe presidentit Macron kanë kërkuar përshpejtimin e procedurave për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Njoftimi u bë nga vetë Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Tv Pink.

“Kryeministrat, Alexis Tsipras, Viorica Dăncilă dhe Bojko Borisov i dërguan një letër të përbashkët  Presidentit të Francës Emmanuelle Macron dhe Kancelares gjermane Merkel, ku kërkojnë përshpejtimin e procesit për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”-tha Vucic. Presidenti i Serbisë deklaroi se letra e tre kryeministrave, e cila do i behet e ditur publikut shpreh besimin se përpërshpejtimi i  integrimin evropian të Serbisë  do të sigurojë stabilitet në rajon.

Samiti i djeshëm i Berlinit i pati dy pjesë. Në pjesë e parë liderët e Ballkanit Perëndimor u pritën në selinë e kancelares gjermane, Angela Merkel ku nikoqir ishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kurse pjesa e dy ishte darkë pune.

E darka e punës doli të ishte problematike, sidomos për Kosovën. Aty u përplasen liderët kosovarë, Thaçi dhe Haradinaj me serbin Vuçiq. Njohja e Kosovës dhe dialogu pa kushte ishin pikat që përplasën dy shtetet.

Në ndërkohë, u kërkua nga kryeministri Haradinaj që të heqë taksën në mënyrë që dialogu të vazhdojë. Mirëpo, shefi i ekzekutivit kosovar nuk lëshoi pe as kësaj here.

Burime të mirëinformuara nga brenda darkës i thanë Ballkani.info se pati qëndrime kontraverse rreth taksës edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti kosovar, Hashim Thaçi.

“Njëri nga dy nikoqirët pas kësaj ia dha fjalën për herë të dytë kryeministrit Haradinaj, duke i premtuar edhe mbështetje për heqjen e vizave”, kanë thënë këto burime.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj u pa i nervozuar mbrëmë derisa largohej nga darka në Berlin.

Kjo u konfirmua edhe sot, pasi që ai tha se ka pasur presion për heqjen e taksës.

Pas takimit në Berlin, ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq thotë se formati i dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës nuk është në diskutim.

Sipas tij, nuk ekziston dialogu, por kjo sipas tij është ‘përgatitje për të ushtruar presion të plotë ndaj Serbisë’.

“Ju keni parë se atje, ndër të tjera, ata kanë sulmuar Vuçiqin, kanë sulmuar Serbinë”, tha ai.