Në konferencë për media, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për bisedimet LDK – LV për koalicion.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur për bisedimet LDK – LV për koalicion dhe për mundësinë që AAK-ja të bëhet pjesë e ndonjë negociate për krijim të qeverisë së re.

“Sa i përket LDK dhe LV-së të them të drejtën nuk na ka kontaktu kërkush prej Vetëvendosjes në radhë të parë, nuk e dijmë çka është duke ndodhur saktësisht, skemi qenë palë nuk e dijmë procesin, e kam thënë disa herë se në sistemin tonë parlamentar, partia e parë e ka përgjegjësinë me kriju institucione”, ka deklaruar Haradinaj, transmeton lajmi.net.

Haradinaj po ashtu thotë se partia në të cilën ai udhëheq nuk është pjesë e ndonjë negociate.

“Ne nuk mundemi me kërku takim me ta, as me Kurtin as me LDK-në, unë s’kam qenë pjesë, Aleanca sosht pjesë e ndonjë negociate, qoftë me Vetëvendosjen qoftë me LDK-në”, tha ai para mediave.

Haradinaj ka arsyetuar vendimin që ka marrë për ndarjen e 250 mijë eurove për Koalicionin Global Kundër ISIS-it.

Ai ka thënë se Kosova është pjesë e këtij koalicioni dhe ka për obligim ta përkrahë atë në luftën kundër terrorizmit.

“Kosova është anëtare e koalicionit kundër terrorizimit, në kuadër të këtij obligimi i kryem detyrat tona. Kosova është e gatshme ta përkrahë këtë koalicion në aspektin ushtarak, policor dhe të inteligjencës. Kësaj here e kryem edhe obligimin financiar, këtë vit e kemi rritur shumën, vitin e kaluar ka qenë 100 mijë euro”, ka thënë Haradinaj. /Lajmi.net/

Siç kishin paralajmëruar edhe pas takimit të mbrëmshëm tre orësh, krerët e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të takohen edhe sot në përpjekjen e radhës për arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje.

Sipas burimeve të Gazetës Express, takimi pritet të mbahet në objektin e Kuvendit të Kosovës në orën 15:30.

Ky do të jetë takimi i tretë radhazi në mes të dy partive pas zhvillimeve të seancës së 26 dhjetorit ku u zgjodh Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit të mbrëmshëm nga dy partitë kanë dhënë sinjale se ka lëvizje pozitive drejt arritjes së marrëveshjes, ndërkohë takimi i sotëm po shihet edhe si vendimtar, ku palët mund të afrojnë edhe më shumë qëndrimet e të shkojnë drejt arritjes së një marrëveshje finale.

Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV ka dalë e para e pasuar nga LDK, ndërkohë për më shumë se tre muaj dy partitë kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion, edhe përkundër faktit se ishin pajtuar për programin qeverisës./Express/

Pas bllokimit të bisedave për lidhjen e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja pritet të rikthehen sot në tryezën e bisedimeve edhe pse nuk ka asgjë zyrtare.

Jan të dyja partitë që dje janë deklaruar se janë të gatshme për të vazhduar bisedimet mes tyre, siç thonë që të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, mbrëmë në një deklarim për media ka paralajmëruar një takim mes Albin Kurtit e Isa Mustafës për sot.

“Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër (sot) dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, ka deklaruar ajo.

Përkundër gatishmërisë për t’u takuan, nëse merren parasysh deklaratat e fundit të dy partive, nuk ka aq sinjale pozitive që mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes tyre.

Arsyeja është përplasja për karrige të pushtetit, pra ndarjen e pozitave të rëndësishme.

Arban Abrashi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, mbrëmë përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se partia e tij këmbëngulë që të marrë pozitat që i ka synuar qysh në fillim, kur edhe kanë nisur bisedat me VV-në, pra presidentin, kryekuvendarin (që tashmë VV ia ka marrë me zgjedhjen e Konjufcës), si dhe 5 ministri.

“LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Por VV pas zgjedhjes së Konjufcës si kryekuvendar po e vlerëson këtë çështje të kryer.
Albulena Haxhiu, e nominuar nga Kurti si ministre e Drejtësisë deklaroi dje se Konjufca nuk do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit, pavarësisht gjithçkaje.

“Çështja e kryeparlamentarit është çështje e kryer. Ai s’do të japë dorëheqje. E kemi pritur LDK-në 81 ditë dhe s’ka pasur lëvizje. Madje, për çështjen e kryeparlamentarit s’kanë shfaqur interes sa kanë shfaqur për Presidentin dhe MPB-në”, ka thënë Haxhiu.

Duke parë këtë deklaratë të Haxhiut dhe institimin e LDK-së, përveç pozitës së presidentit, VV tash duhet të lëshojë pe edhe për pozitën e kryeparlamentarit në mënyrë që t’i hapet rruga lidhjes së koalicionit qeverisës mes këtyre subjekteve. /veriu.info

Sapo ka përfunduar takimi në mes të Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit.

Vetëm pak minuta ka zgjatur takimi në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Kurti pas këtij takimi ka deklaruar se nuk është mandatar dhe nuk është dorëzuar asnjë emër për kandidatin për kryeministër, raporton lajmi.net.

Kurti ka deklaruar se ky thjeshtë ka qenë një takim konsultativ me presidentin Thaçi dhe se sa më shpejt pas konsultimeve me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje do t’ia dorëzoj emrin presidentit Thaçi.

“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, me ftesën e këtij të fundit ishte një takim i shkurtër konsultativ, pa efekte juridike. Në këtë takim disa minutash unë dëgjova presidentin i cili shprehu interesimin për formimin e sa më shpejt për formimin e qeverisë, por gjithashtu kërkoi që ne ta bëjmë propozimin, por në bazë të kushtetutës ne duhet ta bëjmë këtë shkresë me shkrim. Dhe për këtë kërkesë do ta bëj edhe në kryesinë e VV-së dhe sa më parë t’ia dorëzojmë presidentit në mënyrë që ai sa më parë ta mandator kandidatin për kryeministër”, ka deklaruar Kurti pas takimit. /Lajmi.net/

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.

“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai.

Përndryshe, para këtij takimi LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.

Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive. /Lajmi.net

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në adresimin e tij me rastin e fundvitit, ka bërë të ditur se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas ftesës së tretë, është pajtuar që takimi ndërmjet tyre të mbahet të hënën, më 6 janar, në ora 15.00.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, tha presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se 2019 ishte një vit me plot sfida, ndërsa ka shprehur besimin se 2020 do të jetë vit i tejkalimit të këtyre sfidave në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në adresimin e tij me rastin e fundvitit, kreu i vendit ka folur edhe rreth procesit elektoral për të cilin tha se ka dëshmuar progres të standardeve, ndërsa ka përmendur edhe punën për  thellimin e reformave demokratike dhe forcimit të Ushtrisë së Kosovës.

Duke folur rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës, presidenti Thaçi tha se pret që në javët e para të janarit të arrihet implementimi i tij, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

“E di për vështirësitë për një arritje të një marrëveshje që janë normale dhe natyrisht partia fituese e përcakton partnerin. Kemi realitet tjetër politik në Kosovës. Çdo marrëveshje e mirëpres dhe do ta shtyj përpara. Është me interes të mos humbet kohë dhe mund të them se Kosova është në një stad të zhvilluar të themelimit të institucioneve dhe çdo marrëveshje që e bëjnë partitë politike do ta mirëpres”, është shprehur ai. /Tv drenica

Pas dy ftesave të refuzuara, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidenc.

Gazeta Express ka siguruar letrën që Thaçi ia ka dërguar Kurtit, ku thuhet se do të ndërmerren hapat për formimin e Qeverisë së Kosovë.

“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti. /Tetova sot

Presidenti Hashim Thaçi i ka bërë ftesë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të takohen sot në orën 13:30 në objektin e presidencës.

Aty pritet që Thaçi ta mandatojë Kurtin për kryeministër të Kosovës dhe formimin e kabinetit qeveritar, shkruan Indeksonline.

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të mbajë takim në në selinë e partisë një ditë para konstituimit të Kuvendit.

Burime të Gazetës Express kanë konfirmuar se takimi i deputetëve të rinj të VV-së do të zhvillohet sot pa ndonjë agjendë të veçantë.

Ende nuk dihet nëse mbledhja e Grupit Parlamentar do t’i paraprijë ndonjë takimi të sotëm mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

Ditën e djeshme u paralajmërua një takim mes Kurtit dhe Mustafës e që më pas është mohuar nga zyrtarë të të dy partive.

Po ashtu, dje LDK-ja ka mbajtur mbledhjen e kryesisë së saj, ndërkaq kryetari i partisë Isa Mustafa shkurtimisht tha se janë duke e pritur thirrjen e Kurtit për t’u takuar.

“Nëse Kurti na thërret, ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo moment”, deklaroi Mustafa.

Vetëvendosja dhe LDK-ja pas shumë takimeve të dy liderëve të partive ende nuk kanë arritur të finalizojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje në katër vjetët e ardhshëm.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e gjashtë tetorit ka arritur të fitojë 29 ulëse në Kuvendin e Kosovës që pritet të konstituohet nesër, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës 28 ulëse. /GazetaExpress/

Kosova nuk do të marrë pjesë as në takimin e tretë të liderëve të formatit rajonal të njohur si “Mini-Shengen” që do të mbahet në Tiranë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Thaçi ka falenderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për ftesën duke thënë se për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Dhe kjo për shkak se pengesë kryesore është Serbia, përcjell lajmi.net.

“Dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, ka shkruar Thaçi.

Postimi i plotë:

Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, mikun tim Edi Rama, e falënderoj për ftesën për pjesëmarrje në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Si President dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe një herë shpreh mirënjohjen më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë.

Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë.

Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë. HTH. /Lajmi.net/