Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte thënë më parë se ka pasur shumë oferta nga klube të njohura të bejsbollit për t’u bërë pjesë e tyre kur ka qenë i ri, por se ai i kishte refuzuar ato sepse nuk i kishin ofruar para të mjaftueshme. Të dielën, bejsbolli u hakmor ndaj tij.

I pari i Shtëpisë së Bardhë shkoi për ta përcjellë ndeshjen e bejsbollit mes klubeve Washington Nationals dhe Houston Astros, e cila u luajt në një stadium që ndodhet afër qeverisë amerikane. Kur presidenti u shfaq në ekranin e madh të stadiumit, tifozët brohoritën me zë të lartë kundër tij. Kjo ndoshta ishte e pritshme, sepse e njëjta gjë u kishte ndodhur edhe ish-presidentëve Jimmy Carter, Ronald Reagan, Richard Nixon dhe George Bush.

Sidoqoftë, ajo që ndodhi më pas ishte paksa më personale në qytetin që kryesisht e voton Partinë Demokratike. Tifozët filluan të thërrisnin “Mbylleni në burg!”, e cila i referohet thirrjes që i kushtohej Hillart Clinton-it në tubimet e organizuara nga presidenti gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016.

Kreu i shtetit u largua nga stadium para se të përfundonte ndeshja, ndonëse nuk ishte e qartë nëse ai e bëri këtë për shkak se ishte i pakënaqur me reagimin e tifozëve, humbjen e ekipit “Washington Nationals” apo thjesht dëshiroi t’i shmanget tollovisë në trafik.

Ai shkoi në stadium me bashkëshorten e vet, Melania Trump-in, dhe disa politikanë të Partisë Republikane, përfshirë Lindsey Graham-in, Matt Gaetz-in dhe David Perdue-n, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mori porosi shumë të rënda të Donald Trump, nga i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell.

Kështu raportojnë mediat serbe, të cilat, edhe pse nuk kanë dhënë shumë detaje, kanë thënë se takimi midis Vuçiq dhe Grenell ishte shumë i vështirë, përcjell Telegrafi.

Sipas Blic.rs, pas takimit, Vuçiq nuk donte as të bënte deklaratë për shtyp.

Ndryshe Grenell vizitoi Beogradin, disa ditë pasi mori përsipër rolin e të Dërguarit Special të SHBA-së për Kosovën.

Grenell është një njeri me besimin më të lartë nga Trump dhe erdhi me një mandat të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan, shkruan Blic.rs.

Siç mëson mediumi në fjalë, porositë që Vuçiq mori nga Grenell mbajnë peshë të madhe për Serbinë.

“Takimi, ku u diskutua zgjidhja e çështjes së Kosovës, zgjati më shumë se një orë”, thuhet ndër tjerash në shkrimin e këtij mediumi, përcjell Telegrafi.

Se takimi nuk ka qenë i lehtë e ka konfirmuar edhe këshilltarja e presidentit serb, Suzana Vasiljeviq, e cila ka thënë se takimi midis Aleksandar Vuçiqit dhe të dërguarit special të SHBA-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell ishte shumë i vështirë, por nuk mund të jepte shumë detaje.

Ajo i ka thënë “TV Prva” se Vuçiq dhe Grenell biseduan për dhjetë minutat e para, “sy më sy” – dhe më pas atyre iu bashkua drejtori i të ashtuquajturës Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq.

Vasiljeviq gjithashtu ka thënë se shpesh ndodh që takimet të jenë të vështira kur bëhet fjalë për Kosovën, por siç shtoi ajo, përcjell Telegrafi, nuk kanë qenë asnjëherë në atë masë që presidenti të mos dëshirojë të flasë as me bashkëpunëtorët e tij dhe të kërkojë kohë për të menduar se si të komunikojë atë se çfarë mund të jetë një zgjidhje për atë që mund të ketë dëgjuar nga Grenell.

Ndryshe, Richard Grenell ka vizituar edhe Kosovën ku pati takime me të krerët e partive kryesore politike në vend, si dhe me presidentin Thaçi.

Grenell, i cili do të mbetet edhe ambasador në Gjermani, do t’i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t’iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. /Telegrafi/

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar qëllimin e migrantëve me armë zjarri në këmbë për t’i zmbrapsur nga hyrja në Shtetet e Bashkuara, është thënë në një libër të ri.

Në librin e dy gazetarëve të së përditshmes, New York Times, është thënë se Trump ka propozuar metoda ekstreme për t’i ndaluar migrantët në rrugën e tyre drejt kufirit jugor të SHBA-së.

Në mesin e masave është përfshirë edhe ndërtimi i një muri të elektrizuar.

Ndërtimi i një muri në kufi me Meksikën ka qenë një prej objektivave kyçe të politikës së Trumpit.

Ndërtimi i murit ka filluar, pasi Pengtagoni ka ndarë 3.6 miliardë dollarë nga fondet ushtarake.

Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar raportimet rreth këtij libri.

Libri i titulluar, Luftërat kufitare: Brenda Sulmeve të Trumpit ndaj Imigrimit, nga gazetarët, Michael Shear dhe Julie Davis, dhe i bazuar në intervistat me më shumë se dhjetëra zyrtarë të paidentifikuar, është publikuar nga New York Times.

Aty përmendet një javë e marsit të vitit 2019 kur Trump është raportuar se ka tentuar të ndalojë hyrjen e të gjithë migrantëve nga kufiri jugor i SHBA-së.

Bazuar në disa citime, presidenti u ka sugjeruar privatisht ndihmësve të tij që ushtarët të qëllojnë migrantët me armë zjarri në këmbë, mirëpo i është thënë më pas që një gjë e tillë është e paligjshme.

Më parë, Trump pati bërë një deklaratë publike, duke thënë se ushtarët duhet të qëllojnë migrantët që gjuajnë gurë.

Në muajin shkurt, presidenti Trump pati shpallur emergjencë në kufirin SHBA-Meksikë, në mënyrë që të sigurojë fonde federale për ndërtim të murit.

Bazuar në periudhën tetor 2018- tetor 2019 është thënë që më shumë se 800,000 persona janë ndaluar në kufirin amerikan, që i bie dyfish më shumë sesa numri i periudhës paraprake.

Shumica e atyre që janë nisur drejt territorit amerikan i kanë ikur dhunës dhe varfërisë, me të cilat janë përballur në vendet e tyre. /Lajmi.net

Matt Whitaker, njeriu i besueshëm i presidentit amerikan, Donald Trump, ka elektrizuar atmosferën në tubimin zgjedhor të PDK-së në qytetin e Gjilanit.

Ai ka thënë se SHBA-ja i mbështet njerëzit që e luftojnë korrupsionin dhe e forcon miqësinë me aleatët.

Whitaker u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në këto zgjedhje për Veselin dhe një parti që e forcon raportin me Amerikën dhe jo dikush që e izolon dhe rrezikon marrëdhëniet.

“Pra, më duket se zgjedhja për popullin e Kosovës është mjaft e qartë dhe ju keni një vendim shumë të rëndësishëm për të marrë. Në këto votime, zgjedhja është midis: një qeverie që do të forcojë bashkëpunimin me ne, Shtetet e Bashkuara për të luftuar korrupsionin dhe për të zhvilluar ekonominë tuaj në mënyrë që të krijohet mirëqenie dhe sukses për të gjithë. Mundësitë tuaja alternative përbëjnë një rrezik, bëhet fjalë për një qeveri e udhëhequr nga politikanë që mund ta izolojnë Kosovën dhe do të dëmtojnë marrëdhëniet tuaja me ne. Për një qeveri që nuk mund ta luftojë korrupsionin”, ka thënë Whitaker.

Më tej ai ka shtuar se  “Që të vijnë këtu bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të jenë në gjendje ti besojnë udhëheqësve dhe qeverive të qeverive të huaja. Parakusht është luftimi i

korrupsionit si një kriter i domosdoshëm. Tani për tani, amerikanët kanë hezituar të investojnë në Kosovë për shkak të frikës që kanë prej korrupsionit. Kadri Veseli nuk paraqet rrezik në këtë aspekt. Ai është një reformator. Kadri Veseli është mik i Shteteve të Bashkuara dhe mik i Iowas”. /Lajmi.net/

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media, ku ka folur për propagandën serbe për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se kjo nuk është diçka e re është një përpjekje e vazhdueshme e Serbisë.

“Ne nuk varemi nga Serbia, dhe nuk na duhet amini i Serbisë për asnjë çështje të brendshme të Kosovës”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Kryeministri në detyrë ka folur edhe për shkarkimin e këshilltarit për siguri kombëtare të presidentit Trump, John Bolton.

Haradinaj ka thënë se Uashingtonit i shkuan sugjerime të gabuara nga Ballkani.

“Kam shumë respekt për ambasadorin Bolton, ai ka qenë një njeri i linjës parë për Amerikën. Sa i përket çështje së Ballkanit dhe Kosovës mendoj që gabimet kanë ndodh në Ballkan e jo në Uashington, pra i kanë shkua sugjerime të gabuara prej udhëheqësve të Ballkanit, kuptohet prej presidentit Vuçiq por janë bërë gabime edhe prej tjerëve”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se institucionet e sigurisë të Amerikës e mbrojnë Kosovën, pasi që Kosova është vijë e frontit për ta me influencat amerikane-ruse.

“Jam i bindur se Amerika çdo herë do të jetë me Kosovën”, u shpreh Haradinaj.

I pyetur se kush nga Kosova i ka dërguar sugjerime të gabuara Uashingtonit, Haradinaj tha se kemi dëgjuar shumë deklarata të zyrtarëve tanë, se si nuk na duhet Leshaku e Veriu ose si na ka dhanë Rankoviqi veriun.

Haradinaj theksoi se askush në Amerikë nuk është për ndarje të Kosovës. /Telegrafi/

Presidenti i SHBA Donald Trump tha të hënën se bisedimet me udhëheqësit e Talibanëve të Afganistanit janë anuluar, por ai ende po shikon mundësinë e një tërheqjeje të trupave amerikane atje.

“Përsa më takon mua, bisedimet janë të vdekura,” u tha Presidenti Trump gazetarëve ndërsa largohej nga Shtëpia e Bardhë për në Karolinën e Veriut.

Negociatat shumëmujore të SHBA me militantët talibanë, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha të Afganistanit, përfunduan të shtunën kur Presidenti Trump njoftoi befas se po i anulonte bisedimet sekrete në Camp David me talibanët dhe presidentin afgan. Bisedimet kishin për qëllim të arrihej një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës gati 20 vjeçare.

Presidenti Trump tha se ai e kuptoi se bisedimet nuk mund të vazhdonin kur javën e kaluar talebanët morën përgjegjësinë për një sulm që vrau një ushtar amerikan në kryeqytetin Kabul. Luftimet kanë vazhduar në rajon gjatë gjithë këhës që bisedohej për t’i dhënë fund luftës.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani ka qenë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme të zotit Trump. Presidenti republikan tha se administrata e tij ishte ende duke menduar për një tërheqje të 14,000 ushtarëve amerikanë nga Afganistani.

“Ne do të donim të tërhiqeshim, por do të ikim në kohën e duhur,” tha ai.

POMPEO: ISHTE VENDIMI I DUHUR

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha të dielën se Presidenti Donald Trump “mori vendimin e duhur” për të anuluar bisedimet e paqes me liderët talebanë në vend-pushimin presidencial për shkak të sulmeve të vazhdueshme të grupit terrorist në Afganistan.

“Duhet t’i shohim ata të aftë për të përmbushur premtimet e tyre” për t’i dhënë fund dhunës në vendin e shkatërruar nga lufta para se të “shpërblehen” me një takim me presidentin Trump, tha zoti Pompeo për kanalin CNN. Ai nuk bëri asnjë koment nëse do të vazhdojnë ose jo bisedimet e paqes.

Diplomati i lartë amerikan tha se takimet e planifikuara të dielës në Camp David pranë Uashingtonit me Talibanin dhe Presidentin Afganistan Ashraf Ghani, megjithëse bisedime të ndara me secilin, ishin planifikuar mbi besimin se ato “mund t’i shërbenin interesit kombëtar të Amerikës” për t’i dhënë fund përfshirjes 18 vjeçare amerikane në Afganistan.

Negociatorët amerikanë dhe Talibani kanë zhvilluar gati një vit bisedime paqeje. Kryenegociatori amerikan Zalmay Khalilzad javën e kaluar tha se ekipi i tij i negociuesve kishte hartuar një projekt-marrëveshje kornizë që, nëse miratohet nga Presidenti Trump, do të lejonte 5,000 trupa amerikane të largoheshin nga pesë baza ushtarake në vend brenda 135 ditëve.

Sekretari Pompeo tha se zoti Khalilzad është udhëzuar të kthehet në vend.

Lufta më e gjatë në historinë amerikane filloi me përpjekjet ushtarake amerikane për të fshirë bazat e trajnimit terrorist të al-Kaidës të mbrojtur nga Talibani që u përdorën për të nisur sulmet terroriste të vitit 2001 në SHBA që vranë gati 3.000 njerëz, me afrimin e 18 vjetorit të sulmit të mërkurën.

Presidenti Trump zbuloi planet për bisedimet në Camp David, për të cilat tha se ishin “të panjohura për pothuajse të gjithë”, pas një shpërthimi me makinë bombë në Kabul javën e kaluar që vrau 12 njerëz, përfshirë një ushtar amerikan.

Por përpjekja e tij për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare me Talibanët në Camp David nuk ishte pa polemika.

Kongresmeni republikan, Adam Kinzinger, një pilot i Forcave Ajrore që ka shërbyer në Irak dhe Afganistan para se të fitonte një vend në Dhomën e Përfaqësuesve, tha në Twitter, “Asnjëherë nuk duhet që udhëheqësit e një organizate terroriste që nuk ka dënuar sulmet e 11 shtatorit dhe vazhdojnë rrugën e së keqes, të lejohen në vendin tonë të shkëlqyeshëm. ASNJËHERË ”

Në një intervistë për kanalin Fox News, sekretari Pompeo u pyet nëse ishte e përshtatshme të ftoheshin talebanët të takoheshin tre ditë para një përvjetori tjetër të sulmeve të 11 shtatorit, por ai devijoi pyetjen në lidhje me kohën.

Ai tha se “shumë njerëz të këqij kanë qënë në Camp David në vite. Ai tha se presidenti Trump mori vendimin për takimet, duke e cituar presidentin të ketë thënë, “Unë dua të flas me Presidentin Ghani. Dua të flas me negociuesit talibanë. Dua t’i shikoj në sy. Dua të shoh nëse mundemi të arrijmë një marrëveshje përfundimtare …. Kështu që e pamë këtë takim të pranueshëm”.

Trump, në Twitter, tha se talebanët kishin kryer sulmin me makinë bombë “me qëllim që të ndërtonin një epërsi të rreme” në bisedime. Por ai tha se nëse Talibanët “nuk mund të bien dakord për armëpushim gjatë këtyre bisedimeve shumë të rëndësishme për paqen, dhe madje vranë 12 njerëz të pafajshëm, atëherë me siguri nuk do të kenë forcën për të negociuar një marrëveshje kuptimplotë. Sa dekada të tjera janë të gatshëm të luftojnë”, tha presidenti në Twitter.

Presidenti Trump tha se presidenti Ghani dhe liderët talebanë ishin planifikuar të udhëtonin në Shtetet e Bashkuara të shtunën në mbrëmje.

Ndërsa presidenti Trump është angazhuar të përfundojë përfshirjen amerikane në Afganistan, sekretari Pompeo tha: “Ne thjesht nuk do të largohemi, nëse nuk është e drejtë” për interesat e sigurisë kombëtare amerikane në mbrojtjen kundër terrorizmit.

“Nëse talebanët nuk sillen siç duhet, nëse nuk zbatojnë angazhimet që kanë bërë tani për disa javë, dhe në disa raste disa muaj, presidenti nuk do të zvogëlojë presionin. Ne nuk do të pakësojmë mbështetjen tonë për forcat afgane të sigurisë që kanë luftuar kaq shumë atje në Afganistan”, tha ai.

Talibanët thanë se forcat ushtarake amerikane në Afganistan “do të vuajnë më shumë se kushdo tjetër” nga anulimi i menjëhershëm ibisedimet në Camp David.

Talibanët thanë se “besueshmëria e Shteteve të Bashkuara do të dëmtohet, qëndrimi i tyre kundër paqes do të bëhet më i dukshëm në botë, viktimat dhe humbjet e tyre financiare do të rriten, dhe roli i Amerikës në ndërveprimin politik ndërkombëtar do të diskreditohet edhe më tej”.

Edhe pse synimi fillestar për të sulmuar Afganistanin ishte heqja e bazave të al-Kaidës, lufta në Afganistan është zvarritur për vite me radhë, me gati 2.400 personel ushtarak amerikan të vrarë dhe më shumë se 20,000 të plagosur.

Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 14,000 personel ushtarak në Afganistan edhe pse presidenti Trump është zotuar të tërhiqte me forcë atë forcë. /VoA

Aktori i njohur Woody Harrelson ka rrëfyer për revistën “Esquire”  takimin e tij të parë dhe të vetëm me presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. 

Ai ka treguar se përpara 17 viteve ishte pjesë e një darke të mërzitshme që zgjati mbi dy orë e gjysmë, pasi Trump nuk reshte së foluri për veten. Këtë të fundit nuk ka ngurruar ta cilësojë si një njeri që i tejkalon narcistët.

“Në një tryezë normale me katër vetë çdokush do kishte të drejtëne 25% të bisedës, apo jo? Melania pati rreth 0,1 %, mbase. Unë pata 1%. Guvernatori, Jesse, pati rreth 3%. Trump mori gjithë pjesën tjetër. Ishte e tmerrshme dhe m’u desh të dilja për të tymosur një cigare hashash para se të kthehesha tek monopoli i monologut”-është shprehur Harrelson. “Vij nga Hollywood-i. Kam parë narcistë, por ai është përtej. Më çmendi!”-ka vijuar më tej ai. /Mapo.al

Tiffany e cila është vajza e madhe e Presidentit të Amerikës, u shoqërua në pushime nga miqtë dhe i dashuri i saj, Michael Boulos.

25 vjeçarja u fotografua teksa po relaksohej në ishullin luksoz përkrah njerëzve të saj më të afërt.

Pranë Tiffany –të u pa edhe djaloshi kosovar, Adrian Krasniqi i cili u fotografua shumë pranë vajzës së Trump, gjë e cila tregon për raportet e afërta që ai ka me vajzën e Presidentit të Amerikës, derisa ato dukeshin në disponim dhe po kalonin kohë të mirë së bashku./Kosovarja

Presidenti amerikan Donald Trump bisedoi në telefon me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet në rritje mes të dy vendeve, pasi Ankaraja tha se synonte të merrte nga Rusia sistemin ajror dhe të mbrojtjes nga raketat S-400.

Të dy udhëheqësit pranuan në deklaratat e tyre se kishin diskutuar për sistemin e debatueshëm të raketave. Deklaratat nuk u karakterizuan nga retorika e ashpër e kohëve të fundit, që ka shoqëruar gjithnjë e më shumë diskutimet rreth blerjes së armëve ruse.

Gjatë bisedës së tij telefonike me Presidentin Trump, zoti Erdogan propozoi ngritjen e një komisioni të përbashkët për të zgjidhur mosmarrëveshjen. “Presidenti ynë i nderuar solli propozimin për krijimin e një grupi pune lidhur me prokurimin e sistemit të mbrojtjes S-400 nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratën e zotit Erdogan.

Pentagoni dhe Departamenti Amerikan i Shtetit kanë reaguar me një përgjigje të vakët ndaj propozimt të Ankarasë. Nuk ka patur asnjë koment lidhur me reagimin e Presidentit Trump ndaj propozimit të zotit Erdogan.

Gjatë gjithë periudhës së tensioneve në rritje mes Ankarasë dhe Uashingtonit, as zoti Erdogan dhe as zoti Trump nuk e kanë sulmuar publikisht njëri-tjetrin. Një analist i marrëdhënieve ndërkombëtare sugjeron që Ankaraja mund të përfitojë nga zgjidhja e tensioneve aktuale.

“Vetëm zoti Trump dhe zoti Erdogan mund t’i zgjidhin këto lloj problemesh,” – thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i Universitetit Teknik për Lindjen e Mesme në Ankara, “Për aq kohë sa Trump nuk thotë asgjë armiqësore, gjithmonë ekziston një rrugëdalje nga kjo gjendje.”

Megjithatë koha nuk pret. Raketat ruse janë në plan të dërgohen në Turqi në korrik, një datë e konfirmuar tashmë nga Moska. Kongresi amerikan paralajmëron se dërgimi i raketave mund të pasohet me sanksione të rëndësishme financiare, bazuar në Aktin e Sanksioneve ndaj Kundërshtarëve të Amerikës.

Po ashtu, rrezikohet edhe dërgimi i avionëve F-35 amerikanë në Turqi, ashtu sikurse edhe roli i Ankarasë në prodhimin e tyre. Turqia është partner në prodhimin e këtyre avionëve, një kanë një vlerë prej disa miliardë dollarësh për kompanitë turke.

Zoti Erdogan të martën e minimizoi kërcënimin, duke deklaruar se largimi i Turqisë nga programi F-35 do të rezultojë në prishjen e projektit. Analistët sugjerojnë se pretendime të tilla janë të ekzagjeruara, por pranojnë se ato mund të shkaktojnë vonesa në prodhimin e avionëve, deri në gjetjen e prodhuesve të tjerë.

Vëzhguesit thonë se po vërehet një përplasje e dëmshme mes Ankarasë dhe Uashingtonit.

“Nënpresidenti amerikan (Mike) Pence tha se edhe anëtarësimi i Turqisë në NATO është në pikëpyetje, prandaj ndodhemi në një gjendje mjaft të vështirë”, – thotë ish diplomati i lartë turk në Uashington, Aydin Selcen.

Tensionet në rritje po ndjehen tashmë tek lira turke, që është zhvlerësuar shumë këtë vit. Rezervat e valutës në rënie janë thuajse ezauruar nga Banka Qendrore Turke, e cila i ka përdorur rezervat për të ndihmuar në forcimin e lirës. Kjo po shkakton shqetësim në mesin e investitorëve ndërkombëtarë, lidhur me çështjen nëse Ankaraja mund t’i rezistojë një përballjeje me Uashingtonin. “Ekziston një dyshim serioz lidhur me aftësinë e bankës qendrore për të mbrojtur lirën ndaj ndonjë goditjeje të politikës së brendshme apo të jashtme”, thotë analisti Atilla Yesilada i grupit “Global Source Partners”.

Zoti Erdogan dhe zoti Trump diskutuan gjithashtu mbi Sirinë veriore dhe shqetësimet e sigurisë të Turqisë. Ankaraja po kërcënon të fillojë një ofensivë ushtarake kundër milicisë kurde në Siri, YPG, një aleate e rëndësishme amerikane në luftën kundër Shtetit Islamik. Turqia e ka cilësuar grupin YPG si organizatë terroriste të lidhur me një kryengritje brenda Turqisë.

Deri tani Ankaraja është treguar e përmbajtur në sulmet e saj. Diplomatë të lartë amerikane ndodhen në kryeqytetin turk për bisedime mbi zgjidhjen e ngërçit aktual.

Analistët sugjerojnë se ende mund të arrihet një marrëveshje e rëndësishme mes Ankarasë dhe Uashingtonit. “Unë mendoj se në fund të fundit veprimet e Ankarasë janë një mjet për të patur më tepër ndikim tek Shtetet e Bashkuara, por Turqia tani është duke bërë shumë gabime”, thotë analisti Bagci. “Presidenti Erdogan ka thënë se marrëveshja është bërë (blerja e raketave S-400 të Rusisë), por ai (Erdogan) mund ta ndryshojë mendjen, në minutën e fundit,”- shton zoti Bagci. “Unë ende pres që Turqia të bëjë një manovër, për të mos i blerë sistemet S-400. Turqia nuk mund të përballojë të ndeshet me të gjitha vendet e NATO-s; Turqia nuk mund t’i përballojë pasojat e kësja. Megjithatë, unë nuk e di se çfarë kompromisi duhet të bëjë Turqia për Rusinë “.

Moska ka një ndikim të konsiderueshëm mbi Ankaranë. Forcat ruse u treguan të përmbajtura për të filluar një ofensivë ushtarake ndaj regjimit sirian kundër enklavës së fundit rebele në provincën Idlib të Sirisë. Provinca kufizohet me Turqinë dhe çdo sulm ka të ngjarë të shkaktojë qindra mijëra refugjatë që ikin drejt Turqisë. Të hënën, Moska ngriti përsëri mundësinë e një sulmi ndaj Idlibit, “Ne do të mendojmë se si ta zgjidhim problemin). Mund të jetë e nevojshme të përdorim forcat tona të hapësirës ose forcat ndërkombëtare. Ky problem duhet zgjidhur herët a vonë “, tha Alexandre Lavrentyev, i dërguari i presidentit rus për Sirinë. /VoA