Udhëkryqi i LDK-së

Historiani Jusuf Buxhovi, që ka qenë një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në dhjetor të 1989-ës, thotë se Kosova nuk mund të paramendohet pa një LDK të fuqishme. Por, ai dyshon se kuvendi i 14 marsit i kësaj partie, do të prodhojë shkëputjen nga mentalitetit i udhëheqësisë aktuale.

“LDK-ja ndodhet para sfidave ekzistenciale: të jetë në gjendje që ta tejkalojë këtë rrënim që e përjetoi më 14 shkurt (zgjedhjet e parakohshme parlamentare) apo do ta vazhdojë tatëpjetën e saj edhe më tutje”, tha Buxhovi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Prandaj unë nuk pres shumë edhe prej atyre që do ta drejtojnë LDK-në sepse do të jenë pjesë e mendësisë, një strukture që e ka sjellë LDK-në në këtë gjendje”, shtoi ai.

Kuvendi i 14 marsit – Katër burra në garë për kreun e LDK-së

Të dielën, më 14 mars, 355 delegatët e kuvendit të LDK-së mblidhen për të zgjedhur pasardhësin e Isa Mustafës, i cili ka paralajmëruar dorëheqjen nga drejtimi i partisë, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Dy nënkryetarët e partisë, Lutfi Haziri e Anton Quni dhe anëtarët e kryesisë, Lumir Abdixhiku dhe Besian Mustafa, kanë shpallur publikisht kandidaturat e tyre, por ata do të jenë zyrtarisht në garë, vetëm nëse marrin aprovimin e 178 anëtarëve të kuvendit. Statuti i LDK-së përcakton se kandidaturat për kryetar, duhet të marrin mbështetjen e 50 për qind, plus një, të delegatëve të kuvendit.

Në këtë kuvend, LDK-ja po shkon e përgjysmuar në vota, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019 dhe pa anëtaren e kryesisë, Vjosa Osmanin, e cila u përjashtua nga funksionet në parti, për shkak të qëndrimeve kundër prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje dhe formimit të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Osmani ka krijuar iniciativën e saj politike dhe në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar së bashku me një listë me Lëvizjen Vetëvendosje, ku ka rezultuar si kandidatja më e votuar në zgjedhje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Çfarë ofrojnë kandidatët?

Anton Quni, anëtar i kryesisë së LDK-së dhe ministër në detyrë i Mbrojtjes, ishte i pari që shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të LDK-së. Quni, që njihet si ‘krahu ushtarak’ i LDK-së ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbahet mend për përplasjet e mëdha e të vazhdueshme më ish-drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Më 2016, ai kishte qenë kundër vendimit të partisë së tij për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit. Ai kishte bojkotuar seancën kur ndodhi votimi për zgjedhjen e Thaçit në krye të shtetit.

Quni ka thënë se kandidimin për kreun e partisë po e bën për shkak të kërkesave ndaj tij dhe se është i bindur se do ta rikthejë elektoratin e humbur.

“Janë shumë arsye e faktorë pse kam vendosur t’i futem kësaj gare. Në zgjedhjet e fundit është shprehur mosbesim ndaj LDK-së. Ata që kanë dalë në Lëvizjen Vetëvendosje, brenda një kohe të shkurtër do t’i riktheja në shtëpinë e tyre”, ka deklaruar Quni.