Vjosa Osmani: Do të intensifikojmë bashkëpunimin në rrugën euro-atlantike Kosovë-Shqipëri

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Bajram Begaj pas marrjes zyrtare të postit të presidentit të Shqipërisë, duke thënë se në të ardhmen do të thellohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, por edhe sa i përket rrugës së përbashkët euro-atlantike.

“Sot në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në emër të qytetarëve të Kosovës, përcolla urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“Jam e bindur se do të intensifikojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe sa i përket rrugës sonë të përbashkët euro-atlantike”, ka shtuar Osmani, e cila mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të detyrës nga Ilir Meta te presidenti i ri Bajram Begaj.

Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidenti ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë. /Reporteri.net/.