“Vrite, therre, që shqirptari të mos ekzistoj” thirrja skandaloze nga nxënës në shkollë!





“Mirëmbrëma. U kërkoj prindërve të djemve të flasin me fëmijët e tyre për sjelljen e sotme në dhomat e zhveshjes pas orës së mjekësisë. Këndimi i këngës “Vrit, ther që Shiptari të mos ekzistoj” është rreptësisht i ndaluar në shkollë. E kuptoj që ata ndoshta as nuk e dinë se çfarë do të thotë, por nuk e justifikon atë”. Ky është mesazhi i një mësuese nga një shkollë fillore në Novi Sad e cila e shkroi ditë më parë në grupin e prindërve në Viber, për thirrjen skandaloze të nxënësve të saj.

“Secili prej tyre e di më së miri nëse ka kënduar apo jo. Ata janë ende fëmijë, tema të tilla nuk janë për ta dhe është detyra jonë e përbashkët t’i mësojmë dhe edukojmë, t’u shpjegojmë pse diçka është e keqe dhe t’i bëjmë të vetëdijshëm për këtë”, vazhdon mesazhi i mësueses drejtuar prindërve, shkruan mediumi N1, transmeton Spektri.

Kjo mësuese është vetëm njëra nga të shumtët në Serbi që ballafaqohet me situata të tilla gjithnjë e më të shpeshta.

Ajo ka reaguar dhe shpresojmë që shumica të jenë të tillë, por ka edhe nga ata që e shpërfillin, ashtu siç bëjnë shumica e qytetarëve kur kalojnë në rrugë një grup huliganësh që bërtasin këto apo të ngjashme britma, të cilat konsiderohen vepër penale për nxitjen e urrejtjes dhe fanatizmit racor, kombëtar, fetar ose të tjera, nëse këndohet nga një person mbi 18 vjeç.

Për Marko Milosavleviq-in nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, një organizatë që organizon takime me të rinjët në të gjithë rajonin fatkeqësisht është e pritur.

“Nëse përfaqësuesit e qeverisë në mënyrë nënçmuese i quajnë shqiptarët ‘shiptari’ ose ‘llumë terroristë’ dhe u thonë njerëzve që ikin nga lufta dhe varfëria se Serbia ‘nuk do të jetë parking për emigrantët’, atëherë praktikat diskriminuese, deklaratat raciste dhe dhuna e përgjithshme normalizohen dhe inkurajuese”, tha Milosavleviq për portalin N1.

Shqiptarët së bashku me kroatët janë minoriteti ndaj të cilit të rinjtë serb kanë qëndrime më negative sipas hulumtimit të CEPORA – Qendra për Zhvillim Pozitiv të Fëmijëve dhe të Rinjve.
Romët dhe pjesëtarët e popullsisë LGBT karakterizohen gjithashtu negativisht.

Fundjavën e kaluar, të rinjve në Serbi, por edhe në mbarë rajonin, u është ofruar pamja se si trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviq Piksi, shante nënën “shiptare” dhe tifozët serb në Vjenë, që këndonin njësoj si nxënësit në shkollën në Novi Sad “Vritni, therni që Shiptari të mos ekzistojë”, raporton Spektri.

Policia në Vjenë ka konfirmuar zyrtarisht se videot janë autentike dhe se ka marrë masa në juridiksionin e saj. Ndërsa në Serbi, policia nuk reagon për këtë dhe thirrje të ngjashme./Spektri