Kryeministri Albin Kurti ka dalë para mediave pas takimit trepalësh të zhvilluar në Bruksel, ku ka thënë se s’ka pranuar një propozim që kushtëzohet zbatimi i marrëveshjes së Ohrit me Asociacionin.
Kurti ka bërë të ditur se e ka propozuar një ide për zbatimin me sekuencim të marrëveshjes së Ohrit.
“Kur unë kërkova që ta shohë propozimin e Serbisë sepse mu tha se ka një të tillë, ndërmjetësit nuk ishin në gjendje ta sjellin, dhe vetëm pas përfundimit të takimit mu dhanë dy faqe në anglisht e serbisht i cili paraqet një dokument të vjetër së paku 6 muaj, që do të thotë se nuk mund të jetë udhërrëfyes i sekuencuar si propozim i palës serbe, ishte dokument i kushtëzimit të Serbisë se njëherë duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin, e pastaj marrëveshja bazë. Mua mu desht të iu them se nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari Cooper e kryeministrat e asaj kohe Hashim Thaçi e Daçiq”, tha Kurti.
“Qartë, neni 10 i marrëveshjes bazike thotë që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut në Bruksel, të cilat janë të obligueshme e valide e janë 39. E nuk mundet nga neni 10, nga 39 marrëveshje, të përzgjidhet një e tillë e të vendoset si çerdhja para kuajve, një kushtëzim të tillë nuk e kam pranuar”, deklaroi ai.
“Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë, dhe kushtëzimi i Serbisë e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues por unë nuk mund ta pranoja një gjë të tillë duke cenuar asi soj Kosovën”, deklaroi Kurti.