“Do të parandaloj Luftën e Tretë Botërore”, premtoi Donald Trump në një fjalim të fundit. Kandidati republikan për zëvendëspresident, senatori JD Vance, këmbëngul se Trumpi është një “kandidat i paqes”.
Kampi i Harrisit, për dallim, po ndjek konsensusin e Uashingtonit të pas vitit 1945 për sigurinë kombëtare. Ky konsensus insiston se mësimi nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore është që Amerika përfundimisht do të përfshihet në një luftë evropiane. Pra, mënyra më e mirë për ShBA-në për të ruajtur paqen është përmes një serie aleancash globale ushtarake, si NATO-ja, që dekurajojnë dhe përmbajnë agresorët potencialë. Demokratët vazhdojnë të besojnë se Amerika duhet të veprojë si një lloj polici global 0 duke përdorur forcën me mençuri, për të ruajtur paqen dhe rendin aktual botëror.
Ky kontrast në vizione u shfaq për një moment gjatë debatit kaotik televiziv midis Trumpit dhe Bidenit në qershor. Në një moment, Trumpi sugjeroi se lufta në Ukrainë nuk është vërtet shqetësim i Amerikës, sepse “kemi një oqean në mes”.
Përgjigjja e Joe Bidenit ishte një deklaratë klasike e pikëpamjes së establishmentit të pas vitit 1945. “Asnjë luftë e madhe në Evropë nuk ka mundur ndonjëherë të kufizohet vetëm në Evropë”, këmbënguli presidenti. Braktisja e Ukrainës do të çonte përfundimisht në një konflikt më të madh dhe më të rrezikshëm: “Lëreni Putinin të hyjë dhe të kontrollojë Ukrainën dhe pastaj të kalojë në Poloni dhe në vendet e tjera. Shihni çfarë do të ndodhë më pas”.
Edhe pse ky shkëmbim pikëpamjesh ishte i shkurtër dhe i fragmentuar, Bideni dhe Trumpi u morën me një debat thelbësor. Kanë kaluar gati 80 vjet që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kështu që nuk duhet të jetë befasuese që doktrinat e politikës së jashtme, të lëna trashëgim nga ai konflikt, po sfidohen gjithnjë e më shumë. Luftërat e kushtueshme dhe përfundimisht të humbura të Amerikës në Irak dhe Afganistan, gjithashtu kanë larguar një pjesë të madhe të publikut nga ndërhyrjet ushtarake jashtë vendit. Pra, a mund të ruhet konsensusi i vjetër?
Shanset për të pasur një debat serioz janë kompromentuar nga kontradiktat e brendshme në pikëpamjet e Trumpit. Ish-presidenti dhe mbështetësit e tij vazhdimisht e sulmojnë Harrisin si një luftënxitëse dhe të dobët përballë armiqve të Amerikës.
Vance ka tentuar të gjejë një ekuilibër, duke sugjeruar se politika e Trumpit është një politikë e “paqes përmes forcës”. Por, ka një tension të vërtetë midis “nxitësve” në kampin e Trumpit – ata që besojnë se ShBA-ja duhet të adoptojë një politikë të jashtme edhe më të fuqishme – dhe “të përmbajturve” të cilët duan të ulin angazhimet ushtarake të Amerikës jashtë vendit.
Ky tension bëhet i dukshëm në çështjen e Iranit dhe Izraelit. Shumë nga ekipi i Trumpit kritikojnë administratën Biden për përpjekjet për të frenuar sulmet ushtarake të Izraelit ndaj Iranit. Prapa dyerve të mbyllura, disa nga këshilltarët kryesorë të Trumpit argumentojnë se Izraeli tani ka një mundësi unike për të shkatërruar programin e armëve bërthamore të Iranit – një mision ushtarak që, në mënyrë të pashmangshme, do të kërkonte mbështetjen e ShBA-së.
I vetmi person që mund të zgjidhë këtë tension midis “nxitësve” dhe “të përmbajturve” është vetë Trumpi. Dan Caldwell, një veteran i luftës në Irak që punon në institutin Defence Priorities, argumenton se Trumpi përfundimisht do të anonte kah “të përmbajturit” sepse “instinkti i tij gjithmonë ka qenë që të shmangë një luftë të madhe”.
Megjithatë, Trumpi emëron njerëz në poste të larta bazuar në besnikërinë personale ose nëse janë të gatshëm të sillen sipas situatës, kështu që nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se si do të balancoheshin “nxitësit” dhe “të përmbajturit” në një administratë të dytë të Trumpit.
Harrisi dhe demokratët mendojnë se të dy kampet republikane mund ta përfshijnë Amerikën në një luftë tjetër. Një sulm i plotë ndaj Iranit, argumentojnë ata, do të çonte pashmangshmërisht në përfshirjen e ShBA-së në një konflikt tjetër të zgjatur në Lindjen e Mesme.
Por, politika e përmbajtjes, ashtu siç është zbatuar nga Trumpi, mbart rreziqet e veta. Hezitimi i Trumpit për t’u përfshirë në konflikte të huaja është i lidhur ngushtë me dyshimin e tij të thellë ndaj shumë aleatëve të ShBA-së, për të cilët shpesh ka thënë se po i mashtrojnë amerikanët. Për demokratët, megjithatë, një politikë e “paqes përmes forcës” duhet të bazohet në rrjetin e aleatëve globalë të Amerikës, të cilin ata e shohin si pasurinë më të madhe të vendit në çdo përpjekje për të frenuar Rusinë ose Kinën.
Në çdo rast, ia vlen të kujtohet se argumentet e fushatës janë një udhëzues i papërsosur për atë që ndodh në botën reale. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 1916, Woodrow Wilson bëri fushatë si kandidati i paqes. Një vit më vonë, ai drejtoi Amerikën në Luftën e Parë Botërore. /Telegrafi/