Ibrahimi: Të gjithë ministrat e kaluar e zëvendësuan Ekipin Menaxhues, vetëm Elbert Krasniqi jo

Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi në një intervistë në FRONTAL të T7 ka thënë se Ekipi Menaxhues është dashur të shkarkohej përpara se ta çonte draft-statutin për Asociacionin në Bruksel.

Ibrahimi thotë se tashmë është e kotë të thuhet se ai ekip është shkarkuar, meqë në Bruksel drafti e mban logon e Qeverisë së Kosovës.

“Ekipi Menaxhues është dashur të shkarkohet paraprakisht. Problemi kryesor është që BE-ja po thotë që ai draft do të jetë pikë nisje e diskutimit. Sa të duash thuaj se e kam shkarkuar Ekipin”, ka thënë Ibrahimi në T7, raporton Express.

Ai tutje ka thënë se Ekipi i fundit Menaxhues s’e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2015 që ta ketë një anëtar nga OSBE-ja dhe s’i ka dhënë përgjegjësi institucioneve të Kosovës. Kreu i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka thënë se të gjithë ministrat e Pushtetit Lokal që kanë qenë më herët e kishin zëvendësuar Ekipin Menaxhues në momentin që kishin ardhur në krye të MAPL-së, por shton se një gjë të tillë nuk e ka bërë vetëm Elbert Kransiqi.

Ai thotë se ministri Elbert Krasniqi e kishte të drejtën legjitime për të shkarkuar një ekip që s’i jepte përgjegjësi, por thotë se tashmë në Bruksel ndodhet draft-statuti problematik që do të jetë pikënisje për Asocaicionin.

“Se ka zbatu marrëveshjen 2015 ku thotë se edhe OSBE duhet të jetë pjesë e Ekipit. S’kanë dhënë as përgjegjësi. Nëse s’jep përgjegjësi, atëherë e zëvendëson, ose e shkarkon. Kështu kanë vepruar përpara. Ekipi i parë menaxhues është bërë në kohën e Sllobodan Petroviqit. Ka ardhur Maliqi e ka zëvendësuar ekipin, pas Maliqit ka ardhur Rakiqi e ka zëvendësuar ekipin. Pas Rakiqit erdhi Krasniqi, nuk e zëvendësoi ekipin. Dhe ai ekip shkoi e përfaqësoi Kosovën me atë dokument. Sepse vendimi e mban logon e Kosovës. Pika pesë shkruan që ky ekip i jep përgjegjësi ministrit të pushtetit lokal. Ka pas të drejtën legjitime për me shkarku. Kjo s’ka ndodhur dhe këtë dokument e ki si pikënisje për diskutim”, ka thënë Sazan Ibrahimi./GazetaExpress