Petkoviq për të arrestuarin e sotëm në veri: Llune është luftëtar i interesave kombëtare serbe

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme një serb me emrin Millun Millenkoviq- Llune, i cili sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Sipas ministrit, ai dyshohet se ka organizuar edhe sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri, shkruan Klankosova.tv.

E ndaj këtij rasti ka reaguar Beogradi zyrtar përmes Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili deklaroi se Millun Millenkoviq- Llune nuk është kriminel dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat ndaj tij.

“Kanë vënë në shënjestër kalimtarët e rastit, i mbanin nën kërcënimin e armëve me tyta të gjata. Është policia e Kurtit që shërben për të maltretuar popullin serb. Arrestimet u bënë në kohën kur familjet e Radoshit dhe Dushanit po bënin një protestë paqësore. Llune nuk është kriminal, ajo që ka Llune janë medaljet e shumta. Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, tha Petkoviqi gjatë një konference për media në Beograd.

“Llunen e ka përndjekur me muaj policia e Kosovës sepse është luftëtar i interesave serbe, gjatë arrestimit është krijuar një gjendje rrethimi, një numër i madh kanë hyrë në pjesën veriore, policia ka hedhur gaz lotsjellës në rrugë dhe i ka vënë në shënjestër kalimtarët e rastësishëm”, ka thënë Petkoviq, duke shtuar se jemi në situatën më të vështirë deri tani.

Tutje, ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Petkoviqi i bëri thirrje KFOR-it që të reagojë urgjentisht dhe të largojë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ai po ashtu tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka biseduar disa herë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas mediave serbe, Komandanti i KFOR-it nesër do të shkojë në Beograd për t’u takuar me presidentin serb Vuçiq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë, Milan Mojsiloviq. /Klankosova.tv