Në gjykimin e ish-pjestarit të policisë serbe Dushko Arsiq, gjatë së martës janë dëgjuar dy dëshmitaë. Njëri prej tyre, ka rrëfyer për momentin kur forcat paramilitare serbe gjatë marsit të 1999 ia vranë bashkëshorten e atë e plagosën, derisa i akuzuari pretendoi se rasti ndaj tij ishte i montuar.
I emocionuar e me lot në sy, Hazir Fazliu ka dëshmuar para trupit gjykues, për vrasjen e bashkëshortes së tij, dhe tmerrin që kishin përjetuar nga forcat serbe, gjatë marsit të 1999.
Fazliu ka qenë në cilësinë e dëshmitarit, në rastin ku i akuzuar për “krime të luftës kundër popullsisë civile” është Dushko Arsiq.
Të akuzuarin, Fazliu tha se nuk e njeh, por se ka dëgjuar se i njëjti ka qenë pjesë e malltretimeve që iu janë bërë shqiptarëve gjatë luftës, ka treguar për momentin e vrasjes së gruas së tij dhe plagosjen e tij mes 28 e 29 marsit të 99, në Prishtinë.
“Si e kemi trupu rrugën kanë filluar gjuajtjet na kanë ardhë gjujtje prej mrapa ato ishin kanë të vendosura në një shtëpi, pas lufte kam kuptu se ka qenë shtëpi e Uke Bales edhe prej asaj shpis na kane gjujt neve, me armë të ndryshme, aty nuk i kam parë, cfarë uniforme a kanë qenë polic a çka edhe aty jam plagos unë në këmbën e majtë, shoqja ka qenë së bashku me mua në krahun e djathtë timin, me një vajzë të kojshis Shqipe Bunjaku, edhe shoqja e kuptoj që u plagosa dhe ka kalu në anën e majtë mem shiqu, atëherë shoqes i ka ra me ftyrë nga shtëpia edhe e ka rrok një plumb në gjyks edhe ai plumb u kanë vdekjeprurës”, ka thënë Hazir Fazliu, dëshmitar.
Por, teksa dëshmitari përgjigjej në pyetjet e prokurorit dhe tregonte edhe për vrasjen e personave të tjerë që ishin aty dhe për vuajtjet pas dëbimit nga shtëpia e tyre, avokati i të akuzuarit, tha se kjo nuk ka lidhje me aktakuzën dhe se nuk duhet të lejohen pyetjet për këtë.
“Pa dyshim se është ngjarje tragjike dhe i shprehu ngushllime për humbjen e bashkëshortes dhe familjarëve të tjerë, por dua të them se kjo nuk ka asnjë lidhje me aktakuzën dhe ta pyes prokurorin pse bisedojmë për këtë”, ka deklaruar Nebojsha Vllaiq, avokat i të akuzuarit.
Për dallim Fazliu, që nuk e kishte njohur të akuzuarin, Ilmi Krasniqi kishte pire edhe kafe me të vite më parë. Krasniqi që para trupit gjykues dëshmoi për më shumë se dy ore, tha se ai nuk e kishte ditur se është personi i njëjti që e kishte malltretuar Artan Krasniqin, e të tjerë.
“Nuk e kam ditur se ky është, vetëm kur e kam pa që është arrestuar, e kam kuptuar se është i njëjti”, ka thënë Ilmi Krasniqi, dëshmitar.
Madje gjatë ballafaqimit me deklaratën e dhënë në polici, dëshmitari tregoi se Arsiqin e kishte njohur edhe para luftës.
Por, më shumë sesa për krimet e luftës, gjatë dëshmisë së tij u fol për parcela, për cka i akuzuari Dushko Arsiq, ngriti dyshime se dëshmitari së bashku me të dëmtuarin ia kanë motuar rastin pikërisht për prona.
Ish-polici serb Dushko Arsiq, akuzohet nga prokuroria Speciale se së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre edhe i kanë vrarë./Dukagjini