Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka vizituar të enjten familjarët e tre zyrtarëve policorë, për të cilët autoritetet e Kosovës besojnë se janë rrëmbyer nga autoritetet serbe.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti i ka vizituar familjarët e Beqir Sefës, Rifat Zekës dhe Shemë Mustafës, në Mitrovicë, në fshatin Peran të Komunës së Podujevës, dhe fshatin Letanc të Komunës së Podujevës, respektivisht.
Ai u ka thënë familjarëve të zyrtarëve policorë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, është në kontakt me institucionet atje për të marrë për shumë informacione për ta.
Kurti i ka realizuar këto vizita, një ditë pas arrestimit të zyrtarëve policorë.
Autoritetet e Kosovës besojnë se bëhet fjalë për rrëmbim në territorin e Kosovës, ndërsa autoritetet në Serbi kanë deklaruar se ata janë arrestuar në territorin serb.
Policia e Kosovës e ka konsideruar këtë akt “rrëmbim klasik”, dhe rasti është dënuar rëndë nga ky institucion.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar edhe faktorit ndërkombëtar që të dënojë veprimet e Serbisë, dhe ka thënë se është “i habitur nga heshtja e tyre”./REL