EULEX: Nuk kemi pranuar letër nga Vuçiq për policët e arrestuar

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), e ka demantuar presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq të dielen tha se i ka dërguar një letër EULEX-it rreth arrestimit të tre policëve të Kosovës.

Por, kjo u mohua nga ky mision.

Në një përgjigje për Klankosova.tv, EULEX tha se nuk kanë pranuar asnjë letër nga presidenti serb.

Derisa në përgjigje thuhet se lidhur me këtë çështje kanë kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme.

“EULEX-i është në kontakt edhe me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in në lidhje me këtë rast”, thuhet në përgjigje.

Tre pjesëtarë të policisë së Kosovës janë arrestuar nga Njësia Speciale e Serbisë para disa ditësh.

Kjo ngjarja ka shkaktuar reagim të madh në opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.

Ata po mbahen si të paraburgosur në Kralevë.

Shtetet e mëdha kanë kërkuar lirimin e tyre pa kushte./Klankosova.tv