Kurti: Dje në Bruksel dhashë dëshmitë për rrëmbimin e tre policëve tanë para më shumë se një jave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është prononcuar sërish pas takimit me ndërmjetësuesit evropianë në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka ritheksuar tri pikat kryesore të cilat i ka diskutuar gjatë takimit që zhvilloi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Siguri, Josep Borrel dhe të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se në këto takime ka dhënë dëshmi për rrëmbimin e tre policëve nga shteti serb.

“U takova me Josep Borrell dhe Miroslav Lajcak, por me presidentin e Serbisë, i cili refuzoi të marrë pjesë. Unë dhashë dëshmi për rrëmbimin e tre policëve tanë – të mbajtur për më shumë se një javë – dhe diskutova de-përshkallëzimin, zgjedhjet e reja dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Themelore”, shkroi ai.

Ndryshe, Kurti dje pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.

“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, tha Kurti.

Kurti këmbënguli se ishte i gatshëm të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por ai kishte refuzuar.

“Kam ardhur të takohem me palën serbe për të diskutuar për hapat përpara, por meqë ky është një proces që përfshin dy palë, kjo nuk ishte e mundur”, shtoi Kurti, duke theksuar se është i gatshëm të jetë në bisedime derisa të gjendet një zgjidhje./GazetaSinjali