Shprehitë e përditshme që shkaktojnë dëmtime tek dhëmbët tuaj

Keni pirë ndonjëherë një filxhan çaj në tavolinën tuaj të punës apo jeni mbushur me energji duke pirë gëllënka të vazhdueshme nga kafeja e ftohtë?

Këto shprehi mund të mos ju duken të dëmshme, por dentistët paralajmërojnë se ato janë të tmerrshme për dhëmbët tuaj, madje edhe më rëndë se të hani ëmbëlsira e të pini pije të gazuara, shkruan “The Sun”.

Kjo për shkak se acidi në pije është komponenti që me shumë gjasë do të shkaktojë kërdi në dhëmbët tuaj, thotë Dante Devoti, dentist me seli në New York.

Sipas tij, gati çdo pije – përfshirë edhe uji i gazuar – ka një sasi të aciditetit.

“Smalti i dhëmbëve është substanca më e fortë e mineralizuar në trupin tuaj, por ekspozimi i zgjatur ndaj acidit, veçanërisht lëngjeve acidike, mund të shkaktojë që dhëmbët të demineralizohen, gërryhen dhe të bëhen më të ndjeshme ndaj prishjeve”, thotë Devoti nga Qendra Mjekësore Irving në Universitetin Columbia. “Nëse pini një filxhan kafe, një çaj, lëng apo pije çfarëdo qoftë përnjëherë është shumë më mirë për dhëmbët tuaj sesa nëse pini dalngadalë dhe gëllënkë pas gëllënke gjatë gjithë ditës”, thotë ai.

Në përgjithësi, pirja e çdo gjëje për kohë të gjatë, me përjashtim të ujit të thjeshtë, dëmton dhëmbët.

Pështyma në gojën tuaj do të lajë grimcat e ushqimit e do të neutralizojë nivelet e acidit.

Por, procesi i neutralizimit të niveleve të aciditetit të gojës suaj në një gamë më “mbrojtëse” mund të zgjasë deri në një orë, thotë Devoti.

Pra, kur pini të njëjtën pije gjatë gjithë ditës, pështyma juaj nuk do të ketë kohë për ta nivelizuar aciditetin në gojën tuaj, kështu që dhëmbët tuaj pësojnë.

Sa më gjatë të qëndrojë acidi në gojën tuaj, aq më shpejt do të ndodhë dëmtimi dhe një nivel vazhdimisht i ulët i aciditetit krijon ambient ku strukturat e dhëmbëve tuaj rrezikojnë të shpërbëhen.

Është edhe më rëndë nëse i shtoni sheqer, krem apo aromatizues tjerë pijes suaj.

Devoti thotë se pijet e gazuara janë veçanërisht të dëmshme, qofshin edhe ato pa sheqer.

“Kur ka ekspozime të përsëritura dhe të gjata, thuajse gjitha pijet dhe ushqimet mund të konsiderohen të dëmshme për dhëmbët”, thotë Devoti./Koha.net