Sveçla: Vuçiqi gënjeshtar kronik, djali i tij u ndalua veç një herë

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, e ka quajtur “gënjeshtar kronik” presidentin serb Aleksandar Vuçiq, duke thënë se djali i tij, Danilo, u ndalua vetëm një herë nga Policia e Kosovës.

Vuçiqi dje ka deklaruar se djali i tij u ndalua nga autoritetet e Kosovës tre herë, teksa mori pjesë në festën e Vidovanit në Graçanicë. Megjithatë, kjo u mohua nga Sveçla.

Ministri i Brendshëm në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë të enjten, u shpreh se Policia ka kërkuar nga djali i Vuçiqit gjatë ndalimit ta heqë bluzën provokative që e kishte veshur, iu kontrollua vetura dhe më pas u la i lirë për t’u larguar drejt Serbisë.

“Ai ka hyrë në Kosovë si qytetar i rëndomtë. Nuk ka procedura të veçanta për qytetarët e rëndomtë. Ai u shfaq më pas në Graçanicë me këtë bluzë provokative. Policia ka ndal veturat që janë sjell në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar heqja e kësaj bluze provokuese për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kjo është e gjitha dhe ata janë larguar drejt Serbisë. Ne e dimë që Vuçiqi ka qenë ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit, por se është gënjeshtar kronik po na vërteton çdo herë. Djali i tij nuk është ndal tre herë, por veç një herë në dalje të Prishtinës”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka bërë të ditur se djali i Vuçiqit ka hyrë përmes pikës kufitare të Merdares, dhe eskortës së tij, sipas ministrit, nuk i është gjetur asgjë e dyshimtë./Koha.net