Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama këtë javë me turne ballkanik në kuadër të Procesit të Berlinit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama më 6 dhe 7 korrik do të udhëtojë drejt Beogradit, Sarajevës, Prishtinës dhe Shkupit, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse.

Edi Rama në kuadër të Procesit të Berlinit, më gjashtë dhe shtatë korrik do të zhvillojë një turne në katër vende të Ballkanit Perëndimor.

Në këto data, RTSH-ja raporton se Rama do të udhëtojë drejt Beogradit, Sarajevës, Prishtinës dhe Shkupit, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e shteteve përkatëse.

Disa ditë më parë, Rama gjatë qëndrimit në Ulqin ka thënë se “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin për të cilin është krijuar, për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe se tashmë liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në këtë nismë.

Ndërkaq, 16 tetor të këtij viti, Tirana do të presë samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit./Dukagjini