Kurti: Qeveria ka zero vartësi nga Lista Serbe, në incizime Kusari dëgjohet disa sekonda, e shumë minuta ka interpretime partizane

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për audio-incizimin mes shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lilës dhe ish-shefit të deputetëve të Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Kurti tha se në audio-incizimet, Kusari – Lila dëgjohet disa sekonda, kurse sipas tij, “shumë minuta ka interpretime paraprake partizane”, në mënyrë që njerëzit të mos mendojnë vet se çka po dëgjojnë.

“Qartazi është një incizim i cili është i gjymtuar, i redaktuar dhe rrjedhimisht do të duhej që organet e drejtësisë të merren me të”.

“Shefja e grupit tonë parlamentar natyrisht që jo vetëm që komunikon e bashkëbisedon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por ajo e ka për detyrë që për çdo projektligj që e sponsoron Qeveria e Kosovës, të përpiqet që të sigurojë sa më shumë vota në mënyrë që sa më e madhe të jetë shumica atëherë kur një projektligj në kuvend bëhet ligj”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se qeveria e udhëhequr nga ai ka zero vartësi nga Lista Serbe, teksa shtoi se ai kurrë s’është takuar e as s’ka komunikuar me Sllavko Simiqin.

“Por, edhe një herë, ju lus të gjithëve që të keni kujdes sa i përket kësaj lufte hibride që bëhet nga Serbia kundër shtetit të pavarur dhe pushtetit demokratik në Kosovë”.

“Janë duke u përpëlitur si autokraci që janë në Serbi, e prandaj po përpiqen që me incizime, me insinuata të shkaktojnë konfuzion tek opinioni në Kosovë, por populli ynë është edhe demokratik edhe i qëndrueshëm”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.