Qeveria kërkon reagim ndërkombëtar ndaj Serbisë për koreografinë kundër Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se i gjithë aparati shtetëror në Serbi është i ndërtuar për propagandë, teksa ka reaguar për tifozët serbë “Delije” të cilët shfaqën një koreografi gjatë një loje ku paraqitën shkrimin: “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Bislimi ka thënë se “Delije” shpesh dërgon mesazhe të cilat presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, qëllimisht nuk i përmend publikisht. “Ai ka nevojë për veprime të tilla që të ushqejë urrejtjen dhe nacionalizmin etnik në opinionin publik”, ka shkruar ai.

“I gjithë aparati shtetëror në Serbi është i ndërtuar që media, sporti, arti, kultura, shkenca, të përdoren si mjete propagande dhe që të nxisin dhunë, terror, tensione dhe luftë”, ka shkruar Bislimi.

Ndërkohë, ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai ka thënë se Serbia po mobilizon tifozëri për mesazhe lufte.

Ai ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj këtij veprimi.

“Koreografia e organizuar në ndeshjen miqësore të futbollit të zhvilluar dje ndërmjet “Yllit të kuq” dhe Fiorentinës në Beograd, tregon qartazi për mendësinë e pandryshuar të Serbisë. Serbia edhe një herë tregoi që nuk e kursen as sportin si platformë për promovimin e politikës së saj luftënxitëse. Kërcënimet me luftë nga stadiumi i futbollit duhet të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare të futbollit, të cilat i ftojmë për marrjen e masave të duhura ndëshkuese. Këto veprimeve të Serbisë janë të papranueshme, andaj komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të qëndrojë në heshtje”, ka shkruar Çeku.

Në ndeshjen miqësore mes Cërvena Zvendës dhe Fiorentinës që u zhvillua të mërkurën në Beograd, tifozët e saj, “Delije”, pos koreografisë me tanke, kanë shpalosur edhe mesazhin që ushtria të kthehet në Kosovë. Kur po luhej ndeshja, në minutën 12:44, tifozët shfaqën koreografinë në fjalë, duke aluduar në Rezolutën 1244./Koha.net