Qeveria e Kosovës ka thënë se masat antiCOVID mund të vazhdojnë edhe pas 18 prillit, varësisht sipas situatës në vend.
Qeveria Kurti nuk përjashton mundësinë edhe të ashpërsimit, nëse masat e tashme nuk japin efektet e duhura në uljen e numrit të të infektuarve dhe viktimave nga COVID-19.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, të bërë sot një ditë para hyrjes në fuqi të masave të reja, thuhet se e bazuar në vlerësimet e situatës epidemiologjike nuk përjashtohet mundësia e zgjatjes së afateve të masave.
“Afatet kohore të përcaktura në këtë vendim shërbejnë si domosdoshmëri që lakorja e infektimit të ulët, mirëpo varësisht nga vlerësimet e situatës epidemiologjike asgjë nuk e përjashton që këto afate mund të zgjaten përmes një vendimi të ri. Varësisht prej situatës epidemiologjike dhe efektit të këtyre masave mund të merren masa të reja të cilat mund të jenë më të ashpra apo më të lehta se masat e përcaktuara në këtë vendim”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.
Kujtojmë, që sot numri total i rasteve pozitive është 94.656 raste nga 451.922 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.934 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 745 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 78.702 raste, kurse numri i rasteve aktive është 14.020.