Audi shiti më shumë vetura, por fitoi më pak

Audi rriti shitjet e veturave në gjysmën e parë të vitit, por në të njëjtën kohë fitimi u ul në krahasim me një vit më parë. Qarkullimi u rrit me 14.4 për qind, në 34.2 miliardë euro, dhe fitimi ishte 3.3 miliardë euro, më shumë se një çerek më pak, njoftoi dega e Volkswagen në Ingolstadt.

Disa investime patën efekt negativ, dhe përveç kësaj, Audi përfitoi nga çmimet më të larta të veturave të përdorura në vitin 2022, shpjegoi shefi i kompanisë, Jurgen Rittersberger.

Në gjysmën e parë të vitit, shitjet, duke përfshirë markat Bentley dhe Lamborghini, u rritën me 24 për qind në Evropë dhe me 30 për qind në Shtetet e Bashkuara. Në të kundërt, në tregun e rëndësishëm kinez, plusi ishte vetëm dy për qind, pasi viti i kaluar ishte problematik.

Tremujori i parë ishte i dobët, por në të dytin Audi pati rritje prej 20 për qind – edhe pse vetëm në krahasim me shifrat e vitit të kaluar, kur ende kishte probleme për shkak të masave epidemiologjike.

“Në përgjithësi, gjysma e parë e vitit shkoi mirë”, ka thënë Rittersberger. Në të njëjtën kohë, ai pranoi se oferta e veturave elektrike në Kinë aktualisht është e dobët dhe se konkurrenca për të ofruar vetura më të lira është e ashpër. Megjithatë, Audi po planifikon modele të reja.

Së fundmi Volkswagen ka treguar se nuk është shumë i kënaqur me punën e kompanisë bijë. Për këtë arsye një muaj më parë zëvendësoi drejtorin e mëparshëm të Audi, Markus Duesmann, me Gernot Dollner.

Audi konfirmoi kryesisht parashikimin e vet të mëparshëm për vitin aktual. Megjithatë, kompania pret kosto pak më të larta kërkimi dhe zhvillimi./Koha.net