Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur gjykim të drejtë vendimin për burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit, dhe 15 vjet burgim për Arbër Sejdiun për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Ajo ka thënë se vrasja e Osmanit është prej krimeve më mizore në vitet e fundit.
“Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu. Ndërgjegja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet”, ka shkruar Haxhiu.
Haxhiu ka shtuar se drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave duhet të jetë në nivelin më të lartë profesional, “duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën”.