Tetëmbëdhjetë njerëz janë gjetur të vdekur të martën në një zonë malore në veri të Greqisë, e cila është goditur nga zjarret në katër ditët e fundit, njoftuan autoritetet greke.
Dyshohet se të vdekurit, të cilët u gjetën pranë kufirit grek me Turqinë, ishin emigrantë.
Zëdhënësi i Departamentit të Zjarrfikësve të Greqisë, Yiannis Artopios, tha se viktimat u gjetën në veri të qytetit Aleksandropolis.
Meqë nuk është raportuar për zhdukjen e ndonjë banori vendas “jemi duke e hetuar mundësinë që ata [emigrantët] të jenë futur jashtëligjshëm në vendin tonë”, tha Artopios.
Kjo zonë përdoret shumë shpesh nga emigrantët për hyrje të jashtëligjshme në Greqi.
Numri i të vdekurve nga zjarret në Greqi këtë javë ka arritur në 20 tani, pasi një emigrant tjetër i dyshuar u gjet i vdekur në këtë zonë të hënën.
Një bari i moshuar u gjet i vdekur, po ashtu, në veri të Athinës të hënën.
Flaka ka vazhduar të përhapet në verilindje të Greqisë, si dhe në ishujt Evia dhe Kithnos dhe në rajonin e Boeotias në veri të Athinës, për shkak të një përzierjeje të rrezikshme të erërave dhe temperaturave të larta deri në 41 gradë Celsius.
“Kjo gjendje është e ngjashme me atë në korrik”, tha Artopios për AFP, duke iu referuar zjarreve në disa pjesë të vendit nga të cilat mbetën të vdekur pesë persona.
Mbi 60 zjarre u ndezën në 24 orët e fundit në Greqi, të cilën janë duke e ndihmuar gjashtë shtete përmes mekanizmit civil për mbrojtje të Bashkimit Evropian.
Rreth 120 zjarrfikës nga Qiproja, Rumania, Republika e Çekisë, Kroacia, Gjermania dhe Serbia do të shkojnë në Greqi për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve./REL