Nxehtësia është shkaktari numër një i vdekjeve të lidhura me motin në SHBA. Çfarë ndodh me trupin tonë kur tejnxehemi?
Qindra miliona njerëz në të gjithë globin po jetojnë në mes të temperaturave të paprecedenta, ku korriku është bërë muaji më i nxehtë në histori.
Një tjetër valë e të nxehtit po afrohet në Paqësorin veriperëndimor të SHBA-së.
Vapa është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me motin në SHBA. Si ndikon të nxehtit në trupn e njeriut?
“Stresi i nxehtësisë do të thotë që trupi po përjeton një grumbullim të thellë të nxehtësisë – më shumë sesa mund të çlirojë,” thotë Uwe Reischl, profesor në Shkollën e shëndetit publik dhe popullatës në Universitetin Shtetëror Boise. Në varësi të ashpërsisë së nxehtësisë, simptomat mund të variojnë nga të pakëndshme në fatale.
Temperatura “optimale” e trupit
Temperatura e brendshme “optimale” në të cilën trupi ynë funksionon me qetësi është rreth 36,8 C. Ndërkohë që ndryshon pak nga personi në person, temperatura thelbësore e trupit duhet të qëndrojë brenda një intervali të ngushtë prej 36-37C për t’i mbrojtur organet dhe që qelizat të funksionojnë më mirë.
Kur trupi bëhet shumë i nxehtë, enët e gjakut në lëkurë zgjerohen dhe djersa lirohet. Nxehtësia shpërndahet nëpërmjet avullimit të djersës, e cila e ftoh sipërfaqen e lëkurës, duke çliruar nxehtësinë e transferuar nga bërthama.
Lagështia e lartë mund ta pengojë këtë proces natyral të ftohjes. Dhe kur indeksi i nxehtësisë – një metrikë e kombinuar e temperaturës dhe lagështisë së ajrit – arrin 32C, rreziku i sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë fillon të rritet.
Fillimisht ngërçe dhe lodhje
Disa nga simptomat e para fizike të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë janë ngërçet e muskujve, të cilat mund të shfaqen në të gjithë trupin.
Faza tjetër është lodhja nga nxehtësia – një gjendje më serioze që ndodh kur trupi ende nuk mund të shpëtojë nga nxehtësia e tepërt. Shenjat mund të përfshijnë lodhje, dhimbje koke, të përziera, gojë të thatë dhe të vjella.
“Jo të gjithë do të shfaqin të njëjtat simptoma,” thotë Gredia Huerta-Montañez, pediatre dhe studiuese e shëndetit mjedisor në Universitetin Northeastern. “Është e lehtë t’i injorosh ato, kështu që ne duhet të vazhdojmë t’i edukojmë komunitetet”.
Brenda trupit, zemra shpejtohet dhe muskujt ngadalësohen
Brenda trupit, nxehtësia e tepërt ka një efekt dramatik. Zemra duhet të pompojë më shpejt për të nxitur më shumë rrjedhjen e gjakut në lëkurë, kështu që nxehtësia mund të çlirohet. Për ta zvogëluar sasinë e nxehtësisë së prodhuar nga muskujt, trupi bëhet i ngadaltë dhe lëviz më ngadalë.
Frymëmarrja bëhet më e rëndë ndërsa trupi kërkon të marrë më shumë oksigjen.
Urinimi bëhet më i rrallë pasi trupi kërkon të mbajë sa më shumë lëngje që mundet. Megjithatë, sasi të mëdha të lëngjeve mund të humbasin për shkak të niveleve të larta të djersës (që mund të kalojnë 2 litra në orë në të rriturit e rinj të shëndetshëm), që do të thotë se dehidrimi mund të zhvillohet shpejt.
Rrjedha e gjakut në traktin gastrointestinal dhe veshkat zvogëlohet, gjë që, nëse mbahet për periudha të gjata, mund të shkaktojë dëmtime në këto organe.
Faza më e rrezikshme: sulmi nga nxehtësia
Sulmi nga nxehtësia është sëmundja më e rëndë e lidhur me nxehtësinë. Kur trupi arrin 39.4C ose më shumë, organe të tilla si truri, zemra, zorrët dhe veshkat mund të dëmtohen.
Një viktimë e sulmit nga nxehtësia mund të përjetojë ndryshime të papritura në funksionin njohës dhe gjendjen mendore, të tilla si konfuzion, halucinacione dhe konvulsione. Një person mund të bjerë pa ndjenja dhe, në raste ekstreme, të pësojë arrest kardiak.
Sulmi nga nxehtësia është një urgjencë mjekësore dhe është e rëndësishme që të ftohni personin dhe të kërkoni ndihmë shpejt.
“Në rast të një sulmi të tillë, nëse ju duhet ta merrni një vendim, edhe nëse ka një ambulancë”. A e çojmë këtë person në spital apo e ftohim?”, ftohja duhet të ketë përparësi,” thotë Robert Meade, studiues i nxehtësisë ekstreme në Universitin e Otavës.
“Sa më gjatë që personi të qëndrojë në atë temperaturë të ngritur të trupit, të gjitha këto efekte në sistemin nervor qendror si endotoksemia do të vazhdojnë të ndodhin”.
Endotoksemia ndodh kur trupi nxehet aq shumë sa zorrët janë të uritura nga gjaku dhe oksigjeni dhe barriera e zorrëve fillon të prishet. Bakteret nga trakti gastrointestinal mund të hyjnë në qarkullimin e gjakut.
Mundësia përmes së cilës nxehtësia e madhe e trupit mund të bëhet fatale është e shkurtër, madje edhe për të mbijetuarit mund të ketë komplikime shëndetësore afatgjata./The Guardian