I bëhet thirrje Serbisë për hapje të arkivave dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara

Qeveria e Kosovës, bashkohet me botën demokratike dhe me thirrjet e familjarëve nga tërë Kosova për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur, u tha në hapje të tryezë së organizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Në Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në tryezën e bashkë organizuar me Këshillin Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës (KKAFZhK) u bashkëbisedua mbi gjendjen aktuale të proceseve të ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të gjithë të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe hapave në vijim.

Nga kjo tryezë, KQPZh dhe KKAFZhK i bënë thirrje Serbisë për hapje të arkivave, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, si dhe lejim të gërmimeve në lokacionet e shënjuara në Serbi.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, theksoi mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e angazhimit të faktorit ndërkombëtar për zbatimin e Deklaratës së adoptuar për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kryesuesi i KQPZh-së rikujtoi se me adoptimin e Deklaratës pёr personat e zhdukur më 2 maj 2023, pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur.

Ai përmendi edhe letrën e dërguar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku kërkon prej tij hapjen e arkivave, posaçërisht të dokumentacionit të klasifikuar, por duke mos u kufizuar tek ai, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave, e cila është përgjegjëse për një mori masakrash në rajonin e Drenicës. Ndonëse janë bërë gati katër muaj nga adoptimi i deklaratës dhe tre muaj nga letra e dërguar z.Vuçiq, ende nuk ka përgjigje nga Serbia.

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë, në përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, paradite u bënë homazhe dhe u vendosën lule te përmendorja dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës në Kosovë./Klankosova.tv