Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Ata kanë biseduar për takimin e radhës të nivelit të lartë, që pritet të mbahet në shtator.
Lajçak ka njoftuar në rrjetin social X (Twitter) se me Vuçiqin ka folur edhe për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut.
Ndërsa, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se me Lajçakun kanë biseduar për më shumë se dy orë.
“Unë jam shumë i shqetësuar për zhvillimet në Kosovë dhe planin e Kurtit për të pushtuar me dhunë veriun e krahinës dhe për të dëbuar serbët nga vatrat e tyre shekullore. Ia përcolla përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialogun”- ka shkruar Vuçiq në rrjetin social Instagram.
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dy ditë më parë ka zhvilluar në Slloveni një takim me kryeministrin Albin Kurti.
“Pata një takim të rëndësishëm me kryeministrin Albin Kurti sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e Takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës 🇪🇺 të 3 qershorit”- ka shkruar ai.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që përveç zvogëlimit të pranisë policore në objektet komunale në veri, të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Mitrovicë Veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.