Banori i parë i Tafeghaghte që takuam na ofroi një vlerësim të hapur të shkatërrimit të shkaktuar nga tërmeti i Marokut.
“Njerëzit në këtë fshat ose janë në spital ose kanë vdekur”, thanë ata.
Teksa ngjiteshim në majë të rrënojave, kuptuam se si askush nuk mund të shpëtonte i padëmtuar.
Tullat dhe gurët e shtëpive të tyre tradicionale nuk përputheshin me madhësinë e këtij tërmeti.
Nëntëdhjetë nga 200 banorët këtu janë konfirmuar të vdekur dhe shumë të tjerë janë të zhdukur.
“Ata nuk patën mundësinë të iknin. Nuk patën kohë të shpëtonin veten”, thotë Hassan, i cili gjithashtu është ngjitur në rrënoja.
Hasani thotë se xhaxhai i tij është ende i varrosur nën rrënoja.
Nuk ka asnjë shpresë se ai do të nxirret nga atje.
Askush këtu nuk ka makineri për ta bërë gërmimin dhe ekspertiza e jashtme nuk ka ardhur.“Allahu e solli këtë dhe ne e falënderojmë Allahun për gjithçka.
Por tani kemi nevojë për ndihmën e qeverisë sonë. Ata po vonohen shumë, janë shumë vonë për të ardhur për të ndihmuar njerëzit”, thotë ai.
Hasani shton se autoritetet marokene duhet të pranojnë të gjitha ofertat e ndihmës ndërkombëtare, por ka frikë se krenaria mund të parandalojë që kjo të ndodhë.
Në anën tjetër të këtij komuniteti të vogël, duket se të gjithë po e ngushëllojnë një njeri në mënyrë veçantë.
Emri i tij është Abdu Rahman. Ai ka humbur gruan dhe tre djemtë e tij.
“Shtëpia jonë ishte atje lart”, thotë ai duke treguar zonën ku dikur ishte.
Tani është vetëm pjesë e një hapësire me mbeturina.“Mund t’i shihni batanijet e bardha dhe mobiljet gjithashtu.
Gjithçka tjetër ka shkuar”.Abdou Rahman thotë se vrapoi 3 km (në shtëpi nga pika e karburantit ku punonte pas tërmetit).
Ai thotë se instiktivisht filloi t’i thërriste fëmijët e tij, britmat e tij u bashkuan me një zhurmë të tjerëve që bënin të njëjtën gjë.
Nuk pati asnjë përgjigje për të.
“I varrosëm dje”, thotë ai.“Kur i gjetëm, ishin të gjithë të grumbulluar, tre djemtë ishin në gjumë, kur nodhi tërmeti”.
Në një tendë të madhe pak larg rrugës malore gjarpëruese që lidh fshatin me botën e jashtme, dhjetëra familje janë ulur së bashku.
Nga çdo anë vjen një klithmë e pangushëllueshme.
Kjo valë e fundit pikëllimi është nxitur nga trupi i një vajze 10-vjeçare, Khalifa, që u tërhoq nga rrënojat.
Ky është pikëllimi në formën e tij më të keqe.
Një gruaje i bie të fikët dhe një tjetër bie në karrige dhe vajton.
Tragjedia e Marokut është se kjo skenë po luhet fshat pas fshati nëpër malet e Atlasit.
Komunitetet tradicionale mund të kenë qenë të kënaqur duke qenë të ndara nga disa prej presioneve të botës moderne, por tani, më shumë se kurrë, ata kanë nevojë për ndihmë nga jashtë. Në mënyrë të dëshpëruar – dhe sa më shpejt të jetë e mundur./BBC