Serwer thotë se duhet të kerkojmë reciprocitet për asociacion nga Serbia edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të takohen më 14 shtator në Bruksel, për të diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes Bazë dhe Aneksin e saj.

Një ndër 11 pikat e cila është më e vështira për t’u zbatuar nga pala kosovare është ajo e 7-ta dhe që ka të bëjë me themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Profesori amerikan në universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer, thotë se një Asociacion i ngjashëm me atë që po i kërkohet Kosovës, duhet t’i kërkohet edhe Serbisë për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Reciprociteti është rregulli i parë i diplomacisë”, thotë ai në një intervistë të shkurtër për Klankosova.tv.

Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë:

Klankosova.tv: Derisa faktori ndërkombëtar ka ushtruar vazhdimisht presion mbi palët që të takohen dhe të diskutojnë rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje, a mendoni se Kosova është nën presion më të madh, ndërsa Serbia nën më pak presion?

Daniel Serwer: Evropianët dhe amerikanët kanë dy gjëra të gabuara:

1) Po i japin përparësi prioritetit kryesor të Beogradit (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe) duke lënë pas dore prioritetin kryesor të Prishtinës (njohjen, nëse jo nga Beogradi, të paktën nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së);

2) Po i bëjnë presion Prishtinës shumë më tepër sesa Beogradit.

Klankosova.tv: Nëse PO, atëherë a mund të na thoni se me çfarë preteksti po i bëhet më shumë presion Kosovës (ku ka gabuar Kosova)?

Daniel Serwer: Kosova duhet të riparojë marrëdhëniet e saj me Brukselin dhe Uashingtonin, të cilat janë të tendosura për më shumë se një vit.

Klankosova.tv: A konsideroni se masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës jenë të padrejtë?

Daniel Serwer: Jo.

Klankosova.tv: Derisa Kosova po përballet me këto masa, përfshirë edhe përjashtimin nga “Defender 2023”, a mendoni se ShBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë një qasje më të ashpër ndaj Serbisë kur dihet se qeveria e saj nuk është distancuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe nga veprimet e presidentit rus, Vladimir Putin?

Daniel Serwer: Po, por unë nuk do të citoja Millosheviçin apo Putinin para sjelljeve të fundit të Vuçiqit: inkurajimi për bojkot të zgjedhjeve komunale të Kosovës, nxitja e trazirave kundër trupave të NATO-s, mobilizimi i ushtrisë përgjatë kufirit, kidnapimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në territorin e Kosovës, dhe dekurajimin e Ukrainës për ta njohur Kosovën.

Klankosova.tv: A duhet që këtë herë faktori ndërkombëtar të insistojë që palët të nënshkruajnë marrëveshjen e arritur më 27 mars në Bruksel dhe më 18 shkurt në Ohër, në mënyrë që marrëveshja të bëhet ligjërisht e obligueshme?

Daniel Serwer: Nuk mendoj se çelësi është te ligjërisht i obligueshëm. Është te vullneti politik. Dhe mungon vullneti politik, veçanërisht në Beograd.

Klankosova.tv: Duke pasur parasysh se ka kaq shumë presion për krijimin e një Asociacioni që i ofron komunitetit serb në Kosovë më shumë të drejta, a mendoni se faktori ndërkombëtar duhet të insistojë që një Asociacion i ngjashëm të themelohet edhe në Serbi për shqiptarët në Luginën e Preshevës?

Daniel Serwer: Po. Reciprociteti është rregulli i parë i diplomacisë.