Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku të pranishëm ishin edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Vendtakimi qëlloi të jetë Bërdo në Slloveni, ku u mbajt një samit i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, përcjell KosovaPost.
Kurti tregoi se për çfarë u bisedua në këtë takim, ndërsa theksoi Procesin e Berlinit.
“Në një takim me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron & Presidentin e Serbisë, ne folëm për Procesin e Berlinit; lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave”, shkroi Kurti në Twitter.
Ai tha se Kosova i mbështet marrëveshjes në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Ne mbështesim marrëveshjet në të cilat të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor trajtohen si të barabarta dhe qytetarët janë përfituesit përfundimtarë”, shkroi Kurti.