Policia e Kosovës, konkretisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore kanë arrestuar sot personin e dyshuar me iniciale R.B. si dhe kanë kontrolluar banesën e tij.
Gjatë realizimit kontrollit të banesës së të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi të cilat do të përdoren si prova në procedurë penale.
Sipas njoftimit të Policisë, i lartcekuri dyshohet se është prezantuar rrejshëm si person zyrtar (ministër) dhe me këtë prezantim të rremë ka kërkuar nga dy persona një shumë të parave në mënyrë që t’u ndihmojë në një çështje pronësore.
Po ashtu gjatë hetimit ndaj të dyshuarit janë siguruar dëshmi për përfshirjen e tij në falsifikim të dokumenteve dhe mashtrim.
Me këto veprime i dyshuari R.B. dyshohet se ka kryer veprat penale – prezantimi i rremë si person zyrtar. mashtrim dhe falsifikimi i dokumenteve.
I dyshuari pas intervistimit dërgohet në vuajtje të dënimit pasi që rezulton se paraprakisht është dënuar edhe nga Gjykata me vendim të formës së prerë në kohëzgjatje prej dhjetë muajsh për vepra të mëhershme penale – mashtrimi dhe prezantimi i rremë si person zyrtar.