Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka përkujtuar komandantin legjendar, Adem Jasharin në 68-vjetorin e lindjes së tij, duke thënë se ai iku nga kjo botë duke e lënë trupin pajetë si monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku e mbante flamurin kombëtar.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ka shkruar edhe për komandantin legjendar, Adem Jashari, i cili sot më 28 nëntor do të kishte mbushur 68 vjet.
Në një postim të ndarë në Facebook, kryeministri Rama ka përcjellë lavditë e tij, duke thënë se para 68 vitesh, në këtë ditë të shenjtë kombëtare, Adem Jashari erdhi në këtë botë.
Rama ka përshkruar Adem Jasharin si një figurë të jashtëzakonshme, duke e përshkruar momentin e largimit të tij nga kjo botë.
“Iku nga kjo botë duke e lënë trupin e pajetë, si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar,” ka shkruar kryeministri Rama në postimin e tij në Facebook.
Ai ka vazhduar me një përshkrim për Adem Jasharin, duke thënë se shpirti i tij është ngjitur në Altarin Qiellor të Heronjve të Kombit.
Kujtojmë se sot, më 28 nëntor, Shqipëria shënon 111-vjetorin e Pavarësisë nga Perandoria Osmane, nga e cila ishte e pushtuar përreth 500 vjet.
Sot 111 vjet më parë në Vlorë, përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nga Ismail Qemali ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.