Përdoruesit e “Google” thonë se të dhënat e tyre janë zhdukur ndërsa një inxhinier u ka kërkuar që të mos shtypin një buton që mund ta përkeqësojë problemin.
Ditët e fundit, përdoruesit e “Google Drive” – që i lejon njerëzit të ruajnë skedarët e tyre në cloud – thonë se ata skedarë duket se janë zhdukur. Disa raportojnë se skedarët disa mujorë u janë zhdukur, pa asnjë mënyrë të dukshme për t’i rikthyer ato, raporton “The Independent”.
Dosjet duket se janë zhdukur pa lënë gjurmë, pa asnjë shenjë se pse janë zhdukur apo edhe nëse janë të rikuperueshme.
Problemi duket të jetë me një përditësim të fundit të “Google Drive” për desktop, një aplikacion që mund të instalohet në Mac ose Windows për të pasur akses te skedarët e ruajtur në “Drive”.
Qindra njerëz po ankohen për problemin ditët e fundit, duke përdorur një forum të “Google” që lejon përdoruesit të kërkojnë ndihmë. Numri ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Google thotë se nuk është e qartë se çfarë është çështja, me një punonjës që tha se kompania po “heton raportet e një problemi që ndikon në një grup të kufizuar të ‘Drive’ për përdoruesit e desktopit”. Deklarata tregoi se kompania do të “japë më shumë informata”, por ende nuk ka dhënë asgjë.
Megjithatë, ai përfaqësues i ekipit të “Google Drive” u bëri thirrje përdoruesve të mos klikojnë butonin “Shkyçe llogarinë” (Disconnect account) në aplikacionin “Drive” për Desktop. Kjo mund të shkaktojë probleme të mëtejshme me skedarët e humbur, tha punonjësi i “Google” me emrin Saitej.
Disa thanë megjithatë se kishin dëgjuar se shtypja e atij butoni mund të resetonte aplikacionin dhe të ndihmonte në gjetjen e skedarëve të humbur.
Përdoruesve iu tha gjithashtu që të mos e fshinin follderin e të dhënave të aplikacionit dhe u këshilluan që ta kopjojnë atë follder në hard-diskun e tyre nëse kishin hapësirë.