Ambasadori Malaj: Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë kanë qenë, janë dhe do të jenë shumë të mira – ato s’përcaktohen nga një moment

Petrit Malaj ka pak më tepër se një muaj prej që ka marrë detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë.

Për këtë periudhë ai ka zhvilluar një mori takimesh me drejtues institucionalë e politikë.

Në intervistën për KlanKosova.tv diplomati shqiptar ka treguar se kudo që ka shkuar, pritja ka qenë sa vëllazërore aq edhe diplomatike. Duke qenë se në Prishtinë ka ardhur në një periudhë kur raportet Kosovë – Shqipëri janë të diskutueshme, ai e thotë krejt diçka tjetër për këtë marrëdhënie.

“Marrëdhëniet janë shumë të mira mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Kanë qenë të tilla dhe do të vazhdojnë të jenë. Marrëdhëniet nuk përcaktohen nga një moment, fjali, apo term i caktuar në një moment të caktuar. Marrëdhëniet janë gjithëpërfshirëse, marrëdhëniet ka qenë historike dhe marrëdhënie të tilla do të jenë”, është shprehur ai.

Malaj thekson se Shqipëria mbështet Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe këtë, ai shton se kujdeset ta bëjë kryeministri Edi Rama.

E kishte Shqipëria të pashmangshme që të dorëzonte dhe draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe?

Përmban diçka dokumenti evropian nga propozimi i Shqipërisë?

Çfarë thotë Malaj për nismat rajonale?

INTERVISTA E PLOTË:

Dua ta nis këtë intervistë duke shprehur ngushëllime për një humbje të madhe që pati shqiptaria – vdekjen e artistit të madh, Mirush Kabashit. Ju padyshim e keni njohur më ndryshe, por mund të themi se ishte i rrallë e është i pazëvendësueshëm.

Petrit Malaj: Shumë faleminderit! E kam përjetuar keq këtë moment sepse kam qenë larg tij, si të thuash për të marrë pjesë edhe në homazhet që u zhvilluan. E kisha koleg, koleg qoftë në fushën e aktrimit, në kinema, por nga ana tjetër e kam pasur koleg në fakultet ku ai ka dhënë mësim pikërisht lëndën e mjeshtërisë së aktorit me studentët. Unë mund të them kaq, që arti shqiptar padyshim që këto dy ditë ka qenë në zi dhe ka pasur një humbje shumë të madhe me artistin e madh, me aktorin e madh, brilant do ta quaja Mirush Kabashi.

Unë i shpreh ngushëllime familjes. Por kjo nuk është humbje vetëm për familjen, por është humbje e madhe edhe për komunitetin artistik, jo vetëm në Tiranë, por mbarë hapësirës shqiptare. Biles mund ta themi se ai ishte një përfaqësues i denjë i aktrimit shqiptar. Kudo që ka shkuar ka lënë gjurmë të fuqishme me veprat e tij, me krijimtarinë e tij – interpretimet e tij, qoftë në film, qoftë në teatër, apo edhe në interpretimet tjera, si poezi dhe poema të ndryshme që i kishte për zemër, dhe në fakt ka ngacmuar dhe ka provokuar pozitivisht, do të thoja në fenomene dhe ngjarje të veçanta.

Ka një muaj e ca ditë prej kur keni dorëzuar letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani. Çfarë keni parë përgjatë kësaj periudhe? Çfarë ju ka rënë në sy këtu në Kosovë?

Petrit Malaj: Një muaj është pak. Kam një muaj… kam një muaj që kam dorëzuar letrat kredenciale dhe menjëherë kam filluar procesin e njohjes të disa situatave, momenteve, personave – qoftë zyrtarë, shoqëri civile apo parti opozitare. Kam pasur një dinamikë të ngarkuar. Ngarkesa ka qenë shumë e madhe. Përveç takimeve me spektrin politik në Kosovë, kam takime të vazhdueshme edhe me përfaqësi diplomatike, kolegët e mi ambasadorë, që nga QUINT-I, me radhë rajoni, duke shkuar edhe më tej edhe me vendet… do të kem takime në të ardhmen edhe me vende që nuk e kanë njohur Kosovën.

Keni ardhur Ambasador i Shqipërisë në Kosovë në një periudhë kur raportet në mes të dy shteteve nuk është se shndritin. Cili është vizioni juaj? Si shihni që ta çoni në një nivel tjetër këtë marrëdhënie?