Putin: Paqe në Ukrainë do të ketë vetëm kur Rusia t’i arrijë qëllimet e saj

Gjatë konferencës vjetore për media në kryeqytetin rus Moskë, presidenti rus Putin ka thënë se sovraniteti i Rusisë është nën kërcënim dhe se “vetë ekzistenca e vendit tonë pa sovranitet është e pamundur… i gjithë vendi nuk mund të ekzistojë pa sovranitet”.

Në pyetjen e gazetarit se kur do të ketë paqe përgjigjia e Putinit është: “Do të ketë paqe kur të arrijmë qëllimet tona. Ato nuk kanë ndryshuar. Denazifikimi i Ukrainës, çmilitarizimi i Ukrainës”.

Këto janë disa nga termat më agresivë që Putin i pati përdorur në fillim të luftës në Ukrainë përpara se Rusia të pësonte një sërë pengesash ushtarake vitin e kaluar. Por me dështimin e kundërofensive të Ukrainës, Putin tregon se Rusia ende po kërkon një kapitullim të plotë të Ukrainës.

Putin është pyetur gjithashtu nëse do të ketë një raund të ri mobilizimi në Rusi, për të cilin ai thotë se Rusia ka mjaft njerëz nën armë dhe rekrutë të gatshëm për momentin për të rritur numrin e forcave të armatosura ruse në 500,000 deri në fund të vitit.

“Pse na duhet një mobilizim? Nuk ka nevojë për mobilizim sot”.

Putin pohoi gjithashtu se ndihma ushtarake për Ukrainën nga perëndimi është duke u reduktuar dhe se Ukrainës së shpejti do t’i mbarojnë armët e huaja për t’i rezistuar pushtimit rus.

“Ukraina nuk prodhon pothuajse asgjë, gjithçka vjen nga perëndimi, por gjërat e lira do të mbarojnë një ditë dhe duket se tashmë po ndodh”- thotë ai./The Guardian