Albin Kurti – Lajçakut: Në vitin e ardhshëm do të shkruaj një draft modern evropian për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vitin 2024 do të krijojë një draft modern evropian së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Ky reagim i Kurtit vjen pas deklaratës së Miroslav Lajçakut, se draft statuti është vetëm çështje e brendshme e Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti.